• |
ide | kryesore

Berat Buzhala: 12 fakte dhe disa video për Edi Ramën përpara se të takojë Vuçiçin

I pakategorizuar
berat buzhala.jpg


Ish -deputeti i Kosovës dhe gazetari Berat Buzhala shprehet pro vizitës së kryeministrit Rama në Beograd. Por ai i kërkon kreut të qeverisë shqiptare që kur të takojë homologun serb, për të cilin thotë se ka zëra që është djali jashtëmartesor i një shqiptari, duhet të ketë parasysh edhe disa fakte, të cilat ai i rendit në 12 pika, në një  shkrim të botuar në Express.

 

*****

 

Meqë për Republikën tonë të mjerë nuk kemi më as çfarë të shtojmë e as çfarë të heqim – është e vogël dhe e parëndësishme edhe për të dështuar – po e bëj një hop në dy Republikat fqinje, atë të Shqipërisë dhe atë të Serbisë.

Dy Kryeministrat, Edi Rama dhe Aleksander Vucic, pritet të takohen këtë muaj, në një atmosferë pak a shumë të ngjashme, në mos edhe më të tensionuar, me atë të takimit të dy kombëtarëve, shqiptare dhe serbe, në futboll.

Personalisht, nuk e kam asnjë dyshim se Rama duhet të niset për Beograd. Siç nuk e kam asnjë dyshim se edhe intelektualisht, edhe kulturalisht, Edi Rama është dukshëm më i arrirë se sa Aleksandar Vucic. Prandaj, as Rama, e as ne, nuk duhet të kemi as drojën më të vogël për ketë vizitë.

Por çfarë duhet të dijë Rama, përpara se të niset për në Kryeqytetin e Krimit Europian. I inspiruar prej 12 fakteve të Ramës për ndeshjen në mes të Serbisë dhe Shqipërisë, edhe unë po them se ai duhet t'i dijë së paku 12 fakte për Serbinë, dhe për Vucicin, përpara se ai të takohet me të.

1. Aleksandar Vucic, është Kryeministri më i ri në rajonin tonë, e ndoshta edhe më gjerë. Por ditëlindja e tij, është njëkohësisht edhe mashtrimi i tij më i madh. Ai është vetëm i ri në moshë, por jo edhe në krim. Ai ka lindur në mars të vitit 1970. Paragjykimi se të rinjtë janë më të hapur dhe më tolerant, se sa të vjetrit, në ketë rast nuk vlen. Këtu mund të shikoni një video kur Vucic, së bashku me padronët e tij, Sheshel dhe Nikolic, viziton forcat serbe që po e mbanin të rrethuar Sarajevën, në vitin 1995 (https://www.youtube.com/watch?v=QHfGtULnni8). Vucic i duartroket dhe i buzëqesh krimit më të madh që kishte ndodhur në Europë, që prej Luftës së Dytë Botërore.

2. Ndonëse gati teorikisht e pamundur, Vucic, ka qenë në fillimin e viteve të tija të 20'ta, kur ka marrë pjesë, në një formë a në një tjetër në luftën e Bosnjës, ku janë vrarë rreth 200 mijë veta. Nëse jo dora e tij, atëherë gjuha e tij është përgjegjëse për shumë jetë të humbura. Si gazetar i formacioneve paraushtarake serbe në Bosnje, ai e ka helmuar opinionin më të pavërteta kriminale (https://www.youtube.com/ëatch?v=WJ1sBaP38VE). Ky ishte një krim, por ndoshta jo më i rëndi që e ka kryer ky djalosh.

3. Në Serbi, tingëllon ironike, në fundshekullin e kaluar, luftërat nuk i ka nisur ushtria dhe policia, por mediat dhe gazetarët. Vucic ka qenë pjesë fizike e këtyre formacioneve, fillimisht e atyre mediale, e mandej përmes strukturave partiake edhe atyre paramilitare. Sheshel gjatë gjykimit të tij në Hagë, që po vazhdon edhe më tutje, vazhdimisht ka treguar se nëse ai është përgjegjës për krime të luftës, njëjtë janë edhe Nikolic dhe Vucic.

4. Krimet e kryera në Bosnje, qoftë si gazetar, ose si pjesë e Partisë Radikale të Serbisë, të udhëhequr nga Vojisllav Sheshel, janë të ndyta, por jo më të ndytat që i ka kryer Kryeministri aktual i Serbisë. Pra, Vucic, ka qenë pjesë integrale e Partisë Radikale Serbe, e cila në luftën e Bosnjës, i ka pasur formacionet e saja paramilitare. Për akte të tille sot e kësaj dite po gjykohet në Tribunalin e Hagës, ish 'babai shpirtëror' i Vucicit, Sheshel.

5. Aleksandar Vucic në vitin 1998 ishte zgjedhur Ministër për Informim i Qeverisë serbe. Në kohën kur civilizimi perëndimor ishte kthyer kundër regjimit gjenocidial të Milloshevicit, Vucic po e kryente rolin që dekada më parë e kishte kryer Joseph Goebbels, për Adolf Hitlerin. Ministër për Propagandë. Pra, në kohën kur serbët kanë vrarë e masakruar shqiptarët në Kosovë, Vucic ka qenë Ministër për Propagandë. I ka arsyetuar edhe vrasjet e fëmijëve në Abri, edhe krimin ndaj familjes Jashari.

6. Aleksander Vucic, në përmbyllje të shekullit të kaluar, pos Ministër i Informacionit, ka qenë edhe koordinator i shërbimeve sekrete serbe. Ky djalosh, pa i mbushur 30 pranvera, ishte tashmë mjaftueshëm i helmuar, që të jetë i besuar i shërbimeve më kriminale, që prej shuarjes së SS'it dhe Gestapo'së.

7. Me pesë tetor të vitit 2000, opozita e bashkuar serbe kishte arritur ta rrëzonte nga froni diktatorin Sllobodan Milloshevic, e bashkë me të edhe Partinë Radikale Serbe, e bashkë me ta edhe Aleksander Vucicin.

8. Por festa nuk zgjati shumë. Elementët radikal arritën ta vrasin Kryeministrin Zoran Gjingjic. Pjesë e kësaj intrige të madhe serbe thuhet të ketë qenë edhe Partia Radikale Serbe, e udhëhequr nga shefi i Vucic'it, Vojisllav Sheshel. Kur është marrë në pyetje në Hagë, nga prokurorët serbë, lidhur me vrasjen e Kryeministri Gjingjic, Sheshel kishte thënë se 'vrasësi i Gjingjit është një hero, njëjtë sikur kanë qenë hero Gavrillo Principi dhe Millosh Obiliqi'. (http://www.24sata.rs/vesti/aktuelno/vest/seselj-ubica-dindica-je-heroj-kao-milos-obilic-i-gavrilo-princip/149473.phtml).

9. Distancimi i Vucic'it dhe Nikolicit nga padroni i tyre, Sheshel, asnjëherë nuk është bërë për shkak të dallimeve rreth politikave nacionaliste. Kjo ka ndodhur kryekëput për shkak të interesave të tyre për pushtet dhe për shkak të mospajtimeve partiake. Konflikti kishte eskaluar edhe për akuza dhe kundërakuza për tentim atentate. (http://www.b92.net/info/vesti/index.php?yyyy=2008&mm=11&dd=04&nav_id=327001)

10. Pasi ishte zgjedhur President i Republikës së Serbisë, duke e mundur Boris Tadicin, Tomislav Nikolic – i njohur në Serbi si Toma varrmihësi, për shkak se kishte qenë përgjegjës i varreve në Kragujevc – Partia Përparimtare Serbe – cfarë emri ironik – kishte mbetur në duart e Aleksandar Vucic'it. Në koalicion me Partinë Socialiste Serbe, të udhëhequr nga një pinjoll i Sllobodan Milloshevicit, Vucic kishte treguar një performancë të mirë në qeverisje. Kjo ishte edhe arsyeja përse SNS, partia e Vucic, kishte korrur një fitore të jashtëzakonshme në zgjedhjet e fundit.

11. Aleksandar Vucic, ndonëse duart me gjak, konsiderohet një prej kryeministrave të vetëm në Ballkan, që është i pakorruptuar. Kjo është pika e vetme ku z. Rama mund të mësojë diçka prej tij.

12. Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia: Aleksandar Vucic, spekulohet, është biri gjenetik i një shqiptari. Për ketë kanë shkruar mediat e verdha gjithandej. Kjo për arsyen e thjeshtë, se familja e Vucic fqinjë të parë e kishte pasur një shqiptar. Dorën në zemër Vucic, fizikisht, ngjan bukur shumë me prindin e supozuar shqiptar.