• |
ide | kryesore

Në pritje të vendimit të UEFA

I pakategorizuar
foto duka e fundit.jpg


Teksa UEFA pritet të japë të enjten vendimin nëse ndeshja e ndërprerë e Beogradit do të luhet apo do të quhet fitore në tavolinë për njërën prej skuadrave, presidentët e dy federatave të futbollit rrëfejnë se çfarë presin nga qeveria e futbollit europian. Armando Duka dhe Tomislav Karaxhiç janë intervistuar nga Anadolu Agency. 

 

Duka flet gjerësisht rreth incidentit të ndodhur në Beograd, vendimeve të pritshme nga UEFA, pozicionin dhe rolin e institucionit që ai drejton si dhe çfarë pret ekipi shqiptar nga vendimet e UEFA-s.Duke iu referuar ngjarjeve në stadiumin e Beogradit, ai pohon se është diçka për t’u harruar, është një natë për t’u harruar jo vetëm për futbollin serb, por edhe për futbollin evropian dhe botëror. Sipas tij ishte një ngjarje që dëmton imazhin e futbollit, por që ndoshta ka edhe konotacione të tjera, jo vetëm futboll dhe nuk i shërben marrëdhënieve të mira mes vendeve. 

 

Sa i përket mundësisë së përsëritjes së ndeshjes, Duka pohon se nuk e di nëse mund të shkohet në vendime të tilla dhe nuk beson se mund të ndodhë një gjë të tillë. 

 

“Ajo çfarë u pa në atë “fushëbetejë”, kishte shumë pak lojë dhe futboll dhe më shumë thirrje raciste dhe dhunë, goditje, dhe duke qenë se nuk kishte kushte loje dhe ishte e pamundur për të vazhduar, jo vetëm për ekipin tonë, por edhe për atë serb, apo edhe për gjyqtarin për ta vazhduar ndeshjen, shkaktarët dhe organizatorët duhet të mbajnë përgjegjësi për të riparuar atë dëmtim që u shkaktua. Pra dua të them që e rëndësishme është që Serbia t’i kuptojë gabimet dhe t’i ndreqë ato, por fatkeqësisht nuk shoh një reagim të shëndoshë nga pala serbe që të tentojë përmirësimin e asaj situate që ndodhi dhe vazhdon me të njëjtën gjë. Në një ndeshje tjetër të kampionatit serb u djeg edhe flamuri shqiptar. Duke qenë se ishim në ato kushte dhunuesit duhet të ndëshkohen dhe Shqipëria duhet ta fitojë atë ndeshje”, shprehet ai.

 

FSHF e ka dorëzuar sot dosjen në UEFA dhe presidenti Duka shpreson se provat janë mëse bindëse. 

 

“Ne kemi përgatitur një dosje që tenton të zbardhë realitetin për atë çfarë ndodhi atë natë në Beograd. Ekipi shqiptar nuk ka refuzuar të hyjë në fushën e lojës, por ka refuzuar të vdesë në fushën e lojës.”

 

Presidenti i Federatës Serbe, Tomislav Karaxhiç thotë se presidenti i UEFA -s, Michelle Platini e ka siguruar se vendimi i Komisionit do të jetë i drejtë. 

 

“Biseduam me Mishell Platini, President i Asociacionit Evropia të Futbollit (UEFA). Ai na tha se Komisioni Disiplinor i UEFA-s të enjten do të marrë vendim të drejtë për dënimet në incidentet dhe ndërprerjen e ndeshjes Serbi – Shqipëri më 14 tetor në Beograd”

Edhe Serbia ka paraqitur një dosje voluminoze mbi ndërprerjen e ndeshjes. Karaxhiç është i bindur se fajin e kanë shqiptarët

"Ndërprerja erdhi pasi u shfaq droni me flamurin e 'Shqipërisë së Madhe'. Po të mos ndodhte kjo, ndeshja do të përfundonte në mënyrën më të mirë. E gjitha ishte iniciuar nga pala shqiptare. Nga videot shihet qartë se lojtari i tyre Taulant Xhaka, i kthyer nga bankina e Shqipërisë, ku ai ishte, udhëzohet që ta marrë flamurin e 'Shqipërisë së Madhe'. Vrapon drejt lojtarit tonë Stefan Mitroviç, i cilën kishte hequr flamurin, me qëllim që ndeshja të ndërpritet. Pastaj vijon kaosi, për të cilën ndeshja ndërpritet." -thotë Karaxhiç. 

 

Kundër Serbisë UEFA ka nisur procedim disiplinor për trazirat e shkaktuara nga tifozët, me hedhje fishekzjarresh dhe objekte të tjera nga tribuna dhe hyrjen e spektatorëve në fushë. Ndërsa Shqipëria është proceduar me pretendimet se refuzoi të vazhdojë lojën. UEFA, të enjten nuk pritet të japë ndëshkime, por vetëm të vendosë se çfarë do të bëhet me lojën e ndërprerë. Të dy Federatat kërkojnë 3 -pikëshin në tavolinë. Por duket se ato janë pajtuar edhe me idenë e ripërsëritjes së ndeshjes në fushë neutrale.