• |
ide | kryesore

Zbulohet strategjia mbrojtëse e Shqipërisë në UEFA

Arkiva, Sport
gjykata-arbitrazhit-sportiv.jpg


Federata Shqiptare e Futbollit mund të jetë e para në listën e federatave europiane që mund të dërgojë një vendim të komisioneve juridik të UEFAs në shkallën e tretë të gjykimit,në Komisionin e Arbitrazhit Sportiv në Lausanne të Zvicrës. Asnjëherë më parë një Federatë e Europës nuk e ka kontestuar vendimin e gjykatës sportive në UEFA deri në këtë instancë dhe në përgjithësi federatat janë mjaftuar me një apelim në komisionin e apelit, pas vendimit të disiplinës. Duhet shpjeguar që ky precedent krijohet vetëm për vendime që kanë të bëjnë me skuadrat përfaqësuese A, ndërkohë që në KAS shpesh klube apo futbollistë të caktuar kanë ngritur cështje në raport me federatat dhe vendimet përkatëse. 

Dërgimi i cështjes në KAS do të vijë pasi rasti i Shqirërisë të shqyrtohet në gjykatën e apelit sportiv të UEFA-s. Si paraktikë pune pesë ditë pas dhënies së vendimit (e premte 24 tetor), arsyetimi i tij i jepet në dorë federatës përkatëse. Me ta marrë këtë arsyetim në dorë, pala shqiptare do të ketë tre ditë kohë për të bërë apelimin. Burime nga FSHF-ja bëjnë të ditur se i kanë marrë masat për një gjë të tillë. Duke qenë se ndryshe nga shkalla e pare, në apel dëgjohen edhe gojarisht pretendimet e palëve FSHF ka pajtuar dy studio mbrojtëse: “Littleton Chambres” britanike me avokat Antonio Rigoci dhe një zvicerane “Levy kaufman Kohler” me avokat John Mehrzad. Por pavarësisht nga kjo, ka pak shpresë që apeli ta kthejë përmbys vendimin e shkallës së parë. Praktika e UEFA-s tregon se në apel zakonisht janë reduktuar dënimet, por nuk janë zhbërë ato.

Ndaj edhe pala shqiptare po bën përgatitjet që ti drejtohet shkallës së tretë, gjykatës së Arbitrazhit sportive (KAS). Po ti besosh një shkrimi të së hënës në “Panorama sport” që i rreferohet burimeve brenda federatës, pala shqiptare tashmë ka kontraktuar edhe njeriun që do ta mbrojë Shqipërinë në këtë shkallë të gjykimit. Burimi që donte ta mbante sekret emrin, pohonte se ai ishte një personalitet i njohur i jurispridencës sportive. Ende nuk dihet nëse këtu ka dicka të vërtetë apo kjo është thjeshtë një manovër e propagandës së FSHF-së, për të treguar se po bën maksimumin, por gjithësesi një gjë është e qartë: Shqipëria mund të ketë ndonjë shpresë vetëm në shkallë të tretë. Megjithëatë ende pa pasur në dorë arsyetimin e vendimit të komisionit të disiplinës juristët që punojnë për FSHF-në kanë vendosur këto piketa për mbrojtjen e tyre:

1. FSHF-ja nuk mban asnjë përgjegjësi për hyrjen e banerit fluturues në stadiumin e Partizanit. Siguria është një përgjegjësi e organizatorit. Nuk kishte tifozë shqiptarë në stadium. FSHF-ja nuk mund të jetë përgjegjëse për mungesën e sigurisë në territorin serb, brenda dhe jashtë stadiumit.

2. Nuk ekzistonin më kushtet e sigurisë për të vazhduar lojën. Arbitri i drejtoi lojtarët jashtë fushës për arsye sigurie, por sipas raporteve nuk ekziston vendim i arbitrit dhe as i zyrtarëve të tjerë të UEFA-s që siguria u rivendos. Fusha mbeti e pasigurt.

3. Ka prova të qarta mjekësore që lojtarët e ekipit shqiptar ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë të luanin, si pasojë e dëmtimeve që rrodhën nga dhuna e tifozëve vendës që hynë në fushë. 

4. Ndëshkimet janë dukshëm të padrejta, sepse thuajse barazojnë dënimet. Një stadium që ofroi parulla etnike, politike dhe fetare, urrejtje raciale u ndëshkua në mënyrë të njëjtë me një baner të vetëm, të paligjshëm dhe me origjinë të pavërtetuar.

5. Shkaqet finale që çuan në braktisjen e ndeshjes ishin mungesa evidente e sigurisë dhe dhuna e pësuar nga lojtarët shqiptarë dhe e ushtruar nga tifozët vendës. Lojtarët shqiptarë nuk u njoftuan kurrë që zyrtari i ndeshjes vendosi që takimi të vazhdonte. Ky pozicion është produkt fantazie. Skuadra jone nuk refuzoi kurrë të vazhdonte ndeshjen. Lojtarët shqiptarë deklaruan se ata ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë për të luajtur një ndeshje futbolli".