• |
ide | kryesore

Ilir Meta përsëri si Fyle, flet për konsensus

I pakategorizuar
meta.jpg


Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka dalë sot përpara gazetarëve për të dhënë disa mendime për çështje të aktualitetit. Duke folur me një gjuhë si të ndërkombëtarëve, Meta i ka kërkuar opozitës të kthehet në Kuvend në emër të reformave dhe integrimit të vendit. Ai ka thënë se opozita duhet të jetë nesër në sallën e Kuvendit për të plotësuar vendet që i takojnë në dy komisionet hetimore që miratoi parlamenti javën e kaluar.
Nevojën për bashkëpunim Meta e ka përsëritur edhe sa i takon çështjes së emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë pas rrëzimit të dekretit të Presidentit një ditë më parë. "Besoj se debatet janë gjithnjë të dobishme por në rastin konkret do theksoj rëndësinë e procesit dhe të mos ndikohen emocionalisht pasi ky proces për zgjedhjet të kandidatëve për Gjykatën e Lartë përputhet me vetë kërkesën e ligjit, ka nevojë dhe për vendosjen e kritereve shtesë si rezultat i një konsultimi që duhet të realizohet mes presidentit dhe grupeve parlamentare dhe që më pas është mbështetur dhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Besoj se ky konsultim duhet të realizohet sa më shpejt për të ecur sa më shpejt për përzgjedhjen e kandidatëve".
Konsultimi dhe konsensusi kanë mbizotëruar në komentin e Ilir Metës edhe sa i takon zgjedhjes së Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë. “Për çëshjten e Guvernatorit të ardhshëm kam shprehur besimin se është një çështje që duhet të zgjidhet sa më shpejt dhe në konsensus dhe besoj se ky konsensus do të ishte mjaft i dobishëm për zgjidhjen e duhur. Lidhur me detyrimet që ka Kuvendi për të plotësuar vendet vakante në Këshillin Mbikqyrës, patjetër që Kuvendi do ta plotësojë këtë detyrim, për mënyrën e përzgjedhjes në transparencë të plotë për të gjithë kandidatët. Kjo do të miratohet në seancën e nesërme për të qenë sa më transparentë për opinionin publik", tha Meta.
Me këtë frymë si mbi palët, kreu i Kuvendit komentoi edhe tensionet e fundit mes Serbisë dhe Shqipërisë. "Ajo që është me rëndësi është të punojmë për një të ardhme që ndihmon edhe Shqipërinë edhe Serbinë edhe Ballkanin për të ardhmen e përbashkët euroipane. Është pa kthim politika e Shqipërisë për bashkëpunimin rajonal në funksion të integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe në këtë funksion e vlerësoj vullnetin e Ramës për të vijuar axhendën në kontribut të paqes në rajon, siç duhet të jetë në raport me BE", tha Meta.