• |
ide | kryesore

Opinioni publik reagon kundër “shtetit policor”

I pakategorizuar
Opinioni publik.jpg


Mustafa Nano, një prej zërave më kritikë të qeverisjes së PD -së dhe autori i tezës së “bashkimit të të gjitha qelbësirave” për të rrëzuar Berishën, një vit nga qeverisja PS – LSI u bashkohet zërave kritikë ndaj  disa prej nismave kryesore të qeverisë. Në një shkrim të botuar në gazetën “Shqip” ai flet për sinjale shqetësuese, që “të lënë pa gojë”. E nis me atë që e quan si “praktikë Oruelliane” të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me udhërin e tij drejtuar policisë së shtetit për të mbledhur informacion mbi kërkesat e prokurorëve dhe vendimet e gjyqtarëve ndaj personave të arrestuar nga policia. Thotë se kjo praktikë mbikqyrëse do t’i shërbejë vetëm për propagandë.

“Nuk ka se ç’të bëjë me atë informacion. Nuk ka asnjë tagër që ta shqyrtojë, që të marrë masa mbi bazën e tij, që të bëjë shkarkime a emërime në sektorin e drejtësisë. E shumta që mund të bëjë është ta përdorë atë informacion për të bërë propagandë.”

Nano flet për selektivitet, shkelje të ligjit dhe standarde të dyfishta në aksionin kundër ndërtimeve pa leje.

“Por lind një pyetje: Përse Fratari arrestohet në një kohë që sivëllezër të Fratarit ngrefosen nëpër qytet, ndoshta edhe në parlament? Kjo mazhorancë duhet të mësohet që të përdorë të njëjtën njësi matëse për të gjitha ngjarjet e personat. Dhe meqë jam këtu, si mbështetës i aksionit të madh kundër ndërtimeve abuzive, nuk do të doja që ky aksion të komprometohej nga goditjet me logjikë selektive. Ky aksion duhet të godasë “edhe tanët”, jo vetëm “të tyret”. Dhe në të gjitha rastet duhet të jetë i bazuar së pari në ligj, së dyti në ligj, së treti në ligj.”

Në marrëdhëniet e kryeministrit me krerët e institucioneve, ai i kujton atij se është zgjedhur për të qeverisur dhe se refuzimet që i bën çdo dekreti të presidentit, nuk e çojnë gjëkundi. I zhgënjyer nga Rama Nano pohon se kryeministri po sillet si paraardhësi i tij në qeveri e nuk po përpiqet të ndërtojë institucione, por t’i “PS -izojë” ato.

“Sa herë që kësaj mazhorance i është dashur të emërojë njerëz nëpër institucione, ajo ka vepruar me të njëjtën logjikë të vjetër, gjë që ka krijuar idenë se qëllimi i Kryeministrit është thjesht pësë-izimi i atyre institucioneve… Emërime të tilla të bëjnë të jetosh me idenë se në këtë vend, zotësia profesionale e integriteti moral nuk vlejnë asgjë pa një lidhje politike. Ka pasur njerëz që kanë besuar se Rama mund t’i bindte për të kundërtën. Por s’paska qenë e thënë.”

Publicisti Fatos Lubonja, në një shkrim të botuar në gazetën Panorama (ribotim në rubrikën Ide të lapsi.al) flet për arrogancë të Ramës që synon të frikësojë, me ultimatumet 5 –ditore e kërcënime për burgosje për ata që vjedhin ergjinë apo me gjobat e kripura të rrugorëve. Lubonja e sheh këtë si rrugën e gabuar të ndërtimit të një shteti.  

“Një shtet i së drejtës nuk funksionon me aksione frikësuese dhe taksidarë të shoqëruar me policë, por me punë të përditshme, që synon mbi të gjitha t’u shërbejë njerëzve, t’u rrisë mirëqenien, të fitojë respekt, dhe jo t’i frikësojë ata apo t’i përdorë si lopë për t’u mjelë”.

Lubonja ka një qasje kritike ndaj urdhërit për monitorimin e prokurorëve e gjyqtarëve nga policia e shtetit, për gjobat e rrugorëve apo për aksionin kundër vjedhjes së energjisë, në përpjekjen që bën për të gjetur përgjigjje për pyetje të tilla si: “Kush na e jep ne garancinë se policia qenka më e ndershme se prokuroria dhe gjykatat?  A nuk do të ishte më normale që shteti të bënte përditë punën me vjedhësit e energjisë dhe po ashtu të bëhej një fushatë sensibilizuese për nevojën e vërtetë të këtyre jelekëve dhe jo të kërcënoheshin njerëzit me ultimatume?”

Ai ngre hije dyshimi edhe mbi qëllimin e aksioneve policore.

“… është shumë e vështirë të besosh sot, sado mirëdashës të jesh ndaj qeverisë, se ky aksioni i jelekëve të verdhë, bombolave dhe kutive mjekësore nuk është një aferë midis atyre që e kanë urdhëruar dhe atyre që përfitojnë direkt nga ky operacion. E mendja nuk ka se si mos të të shkojë te sponsorët e fushatave elektorale të partisë dhe në krejt sistemin klientelist korruptiv që, sipas Kryeministrit kur ishte në opozitë, qe fajtori kryesor për korruptimin e njerëzve.”

Nuk mund të mbështetet qeverisja vetëm tek policia, thotë Lubonja, sepse “një qeverisje e mbështetur vetëm në policinë bëhet dy herë problematike për një forcë që pretendon se është e majtë.”

Me dyshim e sheh edhe arsyen e heqjes së fashës së 300 kilovatorëve të energjisë apo operacionin për ndëshkimin e vjedhësve të energjisë,  të cilin e konsideron si “komisionet revolucionare të Enver Hoxhës”.

“…bashkë me këtë aksion kundër shkelësve të ligjit njoftohet edhe heqja e fashës së 300 kWh për konsumatorët familjarë që kanë respektuar ligjin. Dhe, sipas kalkulimeve, del se me këtë heqje fashe ata që kanë paguar për ata që nuk kanë paguar përsëri do të paguajnë më shumë nga ç’kanë paguar, pra nuk përfitojnë asgjë, por humbasin…

Personalisht kjo më duket se është tejet problematike përsa i përket aspektit ligjor, pasi këta duken si komisione revolucionare, si kontrollet punëtore në kohën e Enver Hoxhës, që viheshin mbi institucionet dhe ligjin). Por edhe duke zbatuar këtë logjikë revolucionare, në një vend që pretendon të bëhet shtet i së drejtës, a nuk do të ishte më e udhës që të paktën të negociohej me opozitën dhe të kërkohej të futeshin edhe përfaqësues të opozitës në këto komisione, që të evitohej akuza për ndëshkime selektive?

Mero Baze, ndonëse mbështetës i nismave kryesore të qeverisë pë kontrollin e territorit apo vendosjen e rregullit në qarkullimin rrugor, flet për klientelizëm në fushatën e qeverisë kundër shkeljeve të Kodit Rrugor.

“Forcimi i Kodit Rurgor në disa pika është i nevojshëm, por fushatat plaçkitëse me gjoba hanë disktim. Fjala vjen, fushata për kontrollin e kutive të ndihmës së shpejtë bie pak erë klientelizmi, pasi policia duket sikur është orientuar tek disa kuti që shiten tek Megateku dhe nuk ta quajnë kutinë nëse e ke bërë vetë me sende të blera në farmaci. Mund të jetë edhe keqpërdorim i policëve që dalin në rrugë për të bërë planin e gjobave, por duket se është një fushatë si me të  kap pa mendje, e paparaprirë nga një fushatë ndërgjegjësuese për rëndësinë e kësaj kutie. Po aq formaliste duken edhe kërkesat për zixhirë kur ka ende diell, apo për goma dimri në Durrës e Sarandë.

Preç Zogaj ngre pikëpyetje mbi kohën e zgjedhur nga qeveria për të vepruar me "dorë të hekurt". “A është ky momenti i duhur që qeveria të veprojë me dorë të fortë kur vendi ndodhet në vështirësi ekonomike, veçanërisht kur nga qeveria nuk ka ende një bilanc që tregon se ka rritje ekonomike, rritje të punësimit e të investimve?” Të enjten në emisionin Opinion ai shprehu shqetësimin "për shtrëngime ndaj biznesit" në këtë situatë aspak të favorshme.

"Policia, -shpehet Zogaj, – nuk duhet të sillet si gjykatë." Ai sjell rastin e ndërtuesit Hajredin Fratari, i cili u arrestua pa ndonjë kërkesë prokurorie, vendim gjykate apo pa ndonjë shkak ligjor, siç tregoi më pas edhe vendimi i prokurorisë që e la të lirë.