• |
ide | kryesore

Amaneti i shqiptarit të vrarë në Siri: Mos i ktheni fëmijët

I pakategorizuar
dumani femijet.jpg



Shqiptari Shkëlzen Dumani i cili u vra para pak ditësh teksa po luftonte në radhët e militantëve të ISIS-it, kishte lënë amanet që fëmijët e tij të mos kthehen në Shqipëri. Ndërsa nëna e tij gjendet që një kohë të gjatë atje, në përpjekje për t’i kthyer dy fëmijët e mitur të djalit. Vëllai i Shkëlzen Dumanit, Nekiu, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" tregon bisedat me vëllanë e tij, si dhe amanetin që ai ka lënë për dy fëmijët e tij të mitur që të mos kthehen më në Shqipëri. Megjithëkëtë, familja Dumani ka vendosur t'i kthejë fëmijët tek nëna e tyre në atdhe. Veç kësaj, Neki Dumani sqaron se në Siri prej 25 marsit ndodhet edhe nëna e tij, e cila i ka thënë se do kthehet në Shqipëri shumë shpejt bashkë me nipin dhe mbesën e saj të mitur.

Z.Neki kur e morët vesh lajmin për ndarjen nga jeta të vëllait tuaj në Siri?

Shkëlzeni është vrarë në Siri ditën e Bajramit në 5 tetor. Ne e kemi marrë vesh vetëm të hënën e kësaj jave, kur na morën në telefon dhe na thanë se çfarë kishte ndodhur.

Kush ju mori në telefon dhe çfarë ju thanë konkretisht?

Në fillim na mori në telefon një shok i vëllait dhe na tha se donte që të fliste nëna jonë në telefon. Nëna më tha që Shkëlzenin e kishin vrarë dhe se ajo do përpiqej që të kthehet në Shqipëri bashkë me dy fëmijët e vëllait.

Kur ka ikur në Siri nëna juaj?

Nëna jonë ka ikur në Siri në 25 mars të këtij viti. Shkëlzeni iku në 1 shkurt dhe më pas iku nëna ime,sepse ajo donte që të merrte fëmijët.

Kur kishit folur për herë të fundit me vëllanë tuaj?

Unë kisha shumë kohë pa folur, ndoshta muaj, më shumë ka folur vëllai tjetër me atë në Skype. Por, edhe ai nuk ka folur shumë shpesh, sepse ata atje kanë rregullat e tyre.

Kur flisnit, i kishit thënë që të kthehej në Shqipëri?

Po, i pata thënë disa herë që të kthehej në Shqipëri, madje i pata thënë se nëse nuk vinte vetë, të sillte dy fëmijët e tij. Por, ai më kishte thënë që nuk vij dhe as fëmijët nuk i sjell më aty, sepse në Shqipëri nuk ka më njerëz.

Në dijeninë tuaj, ka lënë ndonjë amanet vëllai juaj?

Ai u ka thënë shokëve të tij atje që edhe nëse vritej, dy fëmijët e tij të mos i kthenin më në Shqipëri. Dhe sipas rregullave të tyre, amanetin duhej ta zbatonin njerëzit më të ngushtë. Por, tani që atje ka shkuar nëna, amaneti ka kaluar nga shokët e ngushtë tek nëna jonë, sepse kështu i kanë rregullat ata, dhe tani vendos nëna se çfarë do bëjë me fëmijët.

Ju keni folur me nënën tuaj se çfarë do bëjë ajo me nipin dhe mbesën tuaj?

Unë fola të enjten me nënën dhe ajo më tha që do të marr ditën e diel për të folur se kur do kthehet në Shqipëri ajo, nipi dhe mbesa ime. Të dielën më tha që do të them datën se kur do vijmë, sepse ata nuk mund të vijnë pa rënë dakord me rregullat që përcaktojnë udhëheqësit atje.

Po me trupin e vëllait tuaj çfarë do bëhet?

Trupi do qëndrojë atje, sepse sipas rregullave fetare, ai quhet i rënë shehit dhe trupi duhet të qëndrojë atje kur bie. Ne nuk e duam trupin, edhe nëse na e sjellin, sepse quhet thyerje e rregullave të fesë islame, sipas së cilës trupi duhet të qëndrojë atje ku bie, sepse në të kundërt quhet fyerje.

Të kthehemi pak tek periudha kur ju flisnit me vëllanë tuaj , çfarë ju thoshte ai për dy fëmijët e tij, si kalonin ata atje?

Na thoshte gjithmonë se ata ishin mirë që të tre, më vonë kur shkoi nëna edhe për të na thoshte se ishte mirë. Por, asnjëherë nuk na përmendi as kampin, as luftën, nuk na tregonte asgjë. Na thoshte se këtu(për në Siri) është shumë qetë, fëmijët janë mirë dhe se për ta kujdesej nëna dhe se ata rrinin në një shtëpi atje. Por, nuk na përmendi kurrë as emra shokësh, as emra vendesh, sepse ata kështu i kanë rregullat.

Po nënën tuaj kush e dërgoi në Siri?

Unë e kam çuar deri në Turqi, në kufirin me Sirinë dhe atje ua kam dorëzuar shokëve të vëllait me të cilët kishim rënë dakord që më parë. Unë nuk shkova, edhe nëse do shkoja, do kthehesha sërish, sepse unë nuk do shkoja të luftoja atje.

Po ju vetë, keni qenë dakord me veprimet e vëllait tuaj?

Kjo punë tani ka marrë fund, por unë gjithmonë i thoja që të kthehej, por ai nuk na dëgjonte. I kërkonim të paktën të na kthente fëmijët. Tani që nëna na tha se do vijë bashkë me fëmijët, të paktën kemi nipin dhe mbesën në shtëpi, sepse Shkëlzeni nuk kthente nga rruga ku ishte nisur./GazetaShqiptare/