• |
ide | kryesore

Serbia nderon tradhtarin Esat Pashë Toptani (foto)

I pakategorizuar
vulin edat.jpg


Për herë të parë dhe publikisht një zyrtar i lartë i qeverisë serbe nderon Esat Pashë Toptanin. Figura kontroverse e Esat Pashës njihet më së shumti për lojërat e pushtetit në shekullin e kaluar dhe përpjekjet e tij për t’u bërë i pari i vendit. Ai u vra nga Avni Rrustemi më 13 qershor të vitit 1920 në Paris pasi veprimtaria e tij u konsiderua armiqësore dhe në tradhti të atdheut. Dihen publikisht lidhjet e tij me serbët e për këtë Beogradi zyrtar ka vendosur të provokojë sadopak. Ministri i Punës së Serbisë, Aleksander Vulin vendosi një kurorë me lule në nderim të tij, në varrezat e Parisit për, siç tha ai, kontributin e tij për Serbinë.

"Serbia i kujton heronjtë e saj por Serbia i kujton edhe miqtë e saj dhe ne nuk do ta harrojmë Esat Pashën i cili në momentet më të vështira ishte përkrah nesh. Esat Pasha ishte mik i serbëve, padrejtësisht i harruar dhe i anatemuar nga historia, qoftë edhe e jona"- tha Vulin.

Sipas tij, Esat Pasha duhet kujtuar përherë ngaqë përveç se u varros pranë serbëve në varrezat e Parisit, ndihmoi forcat ushtarake serbe për të depërtuar në Shqipëri.

"Esat Pasha është shembull se si shqiptarët dhe serbët do të duhet të bashkëpunonin, rruga e tij ishte rruga e mirëkuptimit e marrëdhënieve të mira fqinjësore, ai ishte shqiptar që i donte serbët për këtë arsye nuk bën të harrohet" – tha Vulin.

Esat Pashë Toptani lindi në vitin 1863. Ai ishte një politikan dhe ushtroi detyrën e kryeministrit të Shqipërisë nga 12 tetori 1913 deri më 12 shkurt 1914 si dhe nga 5 tetori 1914 deri më 24 shkurt 1916. Gjatë viteve 1918 – 1920 Esat Pasha përpiqej që përmes aktivitetit të tij në mërgim në Paris, Francë të përfaqësojë Shqipërinë në Konferencën e Paqes por delegacioni shqiptar nuk e përkrahte. Në vitin 1920 ai po përgatiste territorin që të kthehej në Shqipëri me anë të një marrëveshjeje me serbët por u vra nga Avni Rustemi. Esat Pasha do të mbahet mend edhe për dorëzimin që i bëri Shkodrës tek forcat malazeze vetëm për përfitime personale. /lapsi.al/

(dorezimi i Shkodres tek malazezet)