• |
ide | kryesore

Izolimi i Turqisë së Erdoganit

I pakategorizuar
turqia.jpg


Gjatë 11 viteve të tij si kryeministër, Turqia e shtoi fuqinë e saj. Nisi negociatat për anëtarësim në BE. Shtoi prezencën diplomatike, veçanërisht në Afrikë. Qyteti më i madh, Stambolli, tani ka një nga aeroportet më të mëdhenj në botë dhe një linjë ajrore që fluturon në më shumë vende se çdo linjë tjetër. Por muajt e shkuar, ndoshta prej dy vitesh, diçka ka ndryshuar për keq. Liderët botërorë vazhdojnë të ndalojnë në Turqi- si zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, por Turqisë sot i mungojnë qartazi miqtë. Kur Asambleja e Përgjithshme e OKB votoi muajin e shkuar për anëtarët e rinj jo- permanentë në Këshillin e Sigurimit, Turqia ishte e bindur se do e merrte një vend. Por në mënyrë të turpshme humbi ndaj Spanjës dhe Zelandës së Re. Ishte një shuplakë në fytyrë ndaj zotit Erdogan, i zgjedhur president në gusht.

Nisi me “Pranverën Arabe”

Turqia vuri bastet më të këqija, duke mbështetur Vëllazërinë Myslimane në Egjipt dhe rrëzimin e presidentit Assad në Siri. Tani nuk ka ambasador në Kajro dhe Erdogan e fajëson homologun egjiptian si një ‘tiran i pavotuar’.Dhe Turqia është tërhequr në mënyrë të pashmangshme në makthin sirian, duke u kritikuar sepse ka lejuar xhihadistët që të kalojnë përmes kufijve të saj. Lidhjet me Irakun, Iranin dhe Arabinë Saudite janë dobësuar. Dhe ish- partneriteti strategjik me Izraelin është në telashe- ambasadori është tërhequr nga Tel Avivi. Erdogan i pati krahasuar bombardimet e Izraelit mbi Gaza me gjenocidin e Holokaustit. Por tani edhe marrëdhëniet me aleatët e vjetër si SHBA janë perkeqesuar. Ndërkohë që Uashingtoni po ndërtonte një koalicion për të luftuar Shtetin Islamik, Turqia qendroi mënjanë, duke refuzuar SHBA të përdorë bazat e saj ajrore për sulme ajrore nëse nuk do shënjestrohej presidenti Assad.

Pak orë pasi Erdogan e paralajmëroi presidentin Obama muajin e shkuar që të mos armatosë kurdët në Siri, SHBA hodhi armë nga ajri. Nuk mund të kishte një shenjë më të qartë mosmarrëveshjeje. “Qeveria e kupton se çfarë terreni ka humbur,” thotë Sinan Ulgen nga qendra Edam. “Por Ankaraja e justifikon këtë izolim duke thënë se Turqia është i vetmi vend që ka kurajën e majftueshme për të adoptuar politika me moral të lartë dhe të vlefshme”. “Ky argument është blerë nga zgjedhësit e Erdogan dhe për të, kjo është ajo që ka rëndësi”. Në fakt, kjo është ajo që e shtyn përpara zotin Erdogan. Suksesi i tij i pashembullt tek kutitë e votimit i jep bindjen e patundur se politikat e tij janë të drejta. Protestat masive në rrugë në qershor të vitit 2013, të nxitura nga planet për një ndërtim në parkun Gezi në Stamboll nuk e ndryshuan rrugën e tij- ndërkohë që figura të larta rreth tij bënin thirrje për dialog, ai i etiketonte demonstruesit si llum. Madje ai arriti t’ia dalë edhe kur u publikuan një seri me telefonata private, që e implikonin atë dhe aleatët në dyshime për afera korruptive. Ai u përgjigj duke thënë se kjo ishte një përpjekje për grusht shteti, duke pushuar nga puna mijëra policë e gjyqtarë e duke tentuar që të bllokojë median sociale. Ai ngushtoi radhët, duke u mbështetur tek besnikët e vjetër. “Protestat e Gezit, pasuar nga reagimi i tij mbi pretendimet për korrupsion ishin pika kur ndryshoi opinioni ndërkombëtar për Erdoganin,” thotë Sinan Ulgen. “Izolimi i Turqisë është një problem për veten, por edhe për Perëndimin. Nëse Perëndimi do të arrijë qëllimet e tij për sigurinë në rajon, nuk ka partner më të mirë se Turqia. Por me influencën e Turqisë në dobësim, Perëndimi ka probleme. Erdogan beson se legjitimiteti demokratik është tek kutia e votimit. Të tjerët presin më shumë nga demokracia turke- një shtyp të lirë, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit”.

Turqia e re

Javët e fundit, kritikat janë shtuar- që nga ndërtimi i një pallati presidencial me 1 mijë dhoma në pyje të mbrojtura, që ka kushtuar mbi 615 milionë dollarë, tek sulmet verbale ndaj gazetarëve të huaj dhe deklaratat kontroverse se ishin myslimanët dhe jo Kolombi, ata që zbuluan Amerikën. Por ai e ruan mbështetjen mes atyre që i besojnë. 52 përqindët që e zgjodhën president nuk shqetësohen shumë për ndalimin e Twitter-it apo akuzat për korrupsion, të cilat besojnë se janë të pranishme tek shumica e politikanëve. Për ta ka rëndësi transformimi në ekonominë e 17-të më të madhe në botë gjatë dekadës së shkuar. Ata duan spitale, rrugë e shkolla të reja. Mbështetësit e tij, shumica konservatorë fetarë, ndjehen të çliruar nga inkurajimi i presidentit për të mbajtur shami në shkolla dhe universiteti, i ndaluar më parë nga 80 vite sekularizëm. Dhe ata e duan imazhin e njeriut të fortë- një lideri që do të rezistojë ndaj Perëndimit.

Erdogan e ka bërë Turqinë një fuqi ekonomike dhe politike, thotë një këshilltar i tij, Ibrahim Kalin. Ai shton se ai ka forcuar klasën e mesme. Por sukseset e tij të hershme janë harruar për shkak të rritjes së autoritarizmit. “Privatisht, ai është sharmant,” më thotë një zyrtar europian. “Ai i dëgjon këshillat. Por në publik është gjithçka për të fituar betejën. Kompromisi, kontrolli dhe balanca janë shenja dobësie. Ai futet në betejë dhe më pas e kupton se mund të duhet një qasje tjetër”. Favori fillestar i BE-së është shuar me shqetësimet në lidhje me lirinë e shprehjes. Përparimi i Turqisë drejt BE ka ngecur dhe lodhja nga zgjerimi ka shtuar akoma më shumë ndjenjën e izolimit. “Ne duam që ta mbajmë procesin e pranimit në lëvizje dhe duam një marrëdhënie më substanciale. Ka një mirëkuptim mbi rëndësinë e Turqisë,” pranon zyrtari europian.

Dhe kjo i jep ndërkombëtarisht Erdogan atë besim për të cilin ka nevojë: Që Turqia është një lojtar kyç. Është një gur i rëndësishëm i Perëndimit në paqëndrueshmërinë e Lindjes së Mesme dhe një ekonomi në rritje, që asnjë palë nuk mund ta injorojë. “Ambiciet e Erdogan janë për t’u bërë turku më i madh në histori,” thotë zyrtari europian. “Edhe nëse entuziazmi ynë për të ka qenë i rrëmbyer, sërish ai është tipi me të cilin duhet të bësh biznes”. Recep Tayyip Erdogan po ndërton atë që e quan “Turqia e Re”. Të tjerët e quajnë një Turqi e polarizuar dhe e palumtur- dhe një, të cilës miqtë në vend dhe jashtë po i largohen shpejt.

Mark Lowen, BBC