• |
ide | kryesore

Hakmarrja e papërfunduar e kryeministrit me mediat

Arkiva, Ide
arion-sulo.jpg


Pritja e fundvitit që kryeministri organizoi për gazetarët u kthye në një shfaqje të sikletshme, ku humori i të zotit të shtëpisë, përveç pështjellimit emocional, bëri që dy nga të ftuarit; njëri botues i rëndësishëm dhe tjetri drejtues emisioni të braktisin hollin e Pallatit të Brigadave në mënyrë demonstrative.
Pas fjalimit cinik të Ramës, zor se dikush nga gazetarët në atë darkë do të ketë shijuar diçka nga menyja, që niste me antipastë dhe përfundonte me konjak. E sigurt është që në mes, vera është pirë me shumicë për të kapërdirë talljet dhe ironitë therëse të kryeministrit, i cili në sajë të talentit të njohur si publicist arriti në mënyrë të pabesë t’ua ngecte bukën në fyt të ftuarve.
Show që kalonte nga parodia dhe përfundonte me fshikullimë ishte i parapërgatitur në formën e një pusie të ngritur aq dinakërisht, saqë asnjërit prej të ftuarve nuk i kishte shkuar ndër mend.
Kryeministri i tërhoqi të ftuarit në kurthin e durimit të humorit dhe prodhoi prej tij një ngjarje serioze: një gjyq për median kritike.
Gazetarët as nuk u ngritën të iknin e as nuk kishin të drejtë replike, ndaj ranë një e nga një në grackën e ngritur nga sebepçiu.
Formati i pritjes së fundvitit ishte kopjuar nga pritja jo-zyrtare që presidentët e SHBA bëjnë me  korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë, por që në fakt Rama e katandisi në një karikaturë të origjinalit.
Sepse në Shtëpinë e Bardhë, objekt i thumbave dhe i humorit bëhet Presidenti dhe jo e kundërta, përgjatë një pritjeje të shpenguar me gazetarët, ku ngjarjet më pikante trajtohen me humor dhe mbresa individuale. E megjithatë, Frank Rich i “Neë York Times” e ka bojkotuar këtë event në 2007-n, duke e quajtur një turpërim për gazetarët.
Por, pse fjala e kryeministrit Rama për gazetarët ishte në rastin më të mirë, e panevojshme dhe në rastin më të keq, intimiduese?
Së pari, ajo ishte një presion i hapur për median kundërshtare. Rama përmendi me ironi negative vetëm mediat dhe gazetarët që kanë mbajtur qëndrime kundër tij apo që kanë mbështetur PD-në. Në fokus të fjalimit të tij u vendos televizioni “Klan” me të gjithë drejtuesit e tij, duke qenë në kufi të skandalit me etiketimet fyese. Ndërsa botuesit të një gazete të rëndësishme iu kujtuan marrëdhëniet me bankat, sikur kredimarrja për biznes të jetë ende një “krim” i ndaluar me Kushtetutë, siç qe në ’87, kur Ramiz Alia i thoshte Shtrausit që s’mund të pranojmë kreditë se s’na e lejon ligji.
I përmendi mediat mbështetëse, por vetëm me nota të bardha humori dhe pa guxuar të thotë dhe për to, të vërtetat që tha për mediat kundërshtare. Kjo ishte një pikë e pandershmërisë së fjalimit të Ramës në raport me humorin që kishte marrë përsipër të bënte me mediat.
Së dyti, fjala ishte e pavlerë për opinionin publik dhe përmbushi vetëm hakmarrjen personale të tij. Nuk do të kishte asgjë të tepruar sikur kryeministri të përballej me gazetarët në një konferencë për shtyp dhe le të thoshte aty edhe arsyet e vërteta që shtyjnë një pjesë të medias të ketë qenë dhe të jetë kritike ndaj tij. Le të rreshtonte ku ato kanë përfituar nga trafiku i influencës apo shkeljes së ligjit pa hyrë në etiketime me legenë dhe rrufera në vend të keq. Por Rama nuk donte dhe nuk e bën dot këtë, sepse atij, si gjithë të tjerëve para tij, nuk i intereson që media të jetë e pavarur.
Rama donte dhe bëri një shoë për përdorim të brendshëm dhe pa asnjë vlerë për teleshikuesit që  nuk kanë kuptuar edhe sot asgjë nga gjetjet stilistike të kryeministrit, ngaqë s’mund të jenë në brendësi të historive dhe marrëdhënieve të ngatërruara të medias shqiptare.
Së treti, qëndrimi i Ramës ishte personal. Të gjithë e dinë marrëdhënien e tij me Tv Klan që ishte epiqendra e humorit të tij. Kjo media e di vetë sesi sillet me pushtetin që ka dhe me kryeministrat që vijnë e ikin. Të vërtetat rreth saj, kë zgjedh të mbështesë apo kundërshtojë me apo pa etikë janë çdo ditë në bursën e opinionit publik, në komentet e të tretëve apo në hapësirën pa censurë  të rrjeteve sociale. Ka zgjedhur të mbajë këto qëndrime që mban me gjithë kostot, e kjo s’është punë e kryeministrit. Punë e tij është të përballet në mënyrë zyrtare me këtë media dhe me mediat e tjera, nëse ka diçka që nuk shkon.
Media shqiptare ka dhjetëra halle, por ato as kanë qenë dhe as janë halle të krijuara vetëm nga ajo. Mëkati i medias shqiptare është një debat i gjerë që vazhdon, por kjo nuk është punë e një kryeministri dhe as një çështje ku ai mund të përfshihet.
Mjafton të përmendim rekordet turpëruese të Berishës ndaj medies më  ‘96, djegien e “Koha Jonë” apo përdorimin e pushtetit si kryeministër ndaj kundërshtarëve mediatikë në qeverisjen e dytë të PD. Por Rama vetë njihet si pushtetari që mblodhi rreth tij grupin më të gjerë mediatik mbështetës, falë mjeteve që kishte në dispozicion për vite me radhë.
E tani, nëse kjo është një kohë tjetër, ku edhe media do të rilindë, qëndrimi ndaj saj nuk nis nga tallja me publicistikën sado të arrirë të kryeministrit. As nga shprehja e përdorur gjatë darkës nga ai se “sa më shumë ta marrim veten seriozisht, aq më pak kemi mundësi të bëjmë gjëra serioze….”. Sepse kryeministri dhe media janë gjëra serioze!
/Mapo/