• |
ide | kryesore

Dancing With the Stars përgatit fitoren e Tunës

Arkiva, Paparazzi
tuna kopertina .jpeg


Kjo e hënë e nëntë për Dancing With the Stars ishte tejet e tensionuar. Që nga konkurrentët përballë eleminimit, e deri tek të papriturat që kishin ndodhur gjatë javës, të gjitha u reflektuan në natën e spektaklit. “E keqja” më e madhe, por diçka e natyrshme për këtë lloj programi, i qëlloi Tunës. Balerini i saj Erindi kishte pësuar një lëndim dhe nuk mundi të ishte krah këngëtares nga Shkupi. Megjithatë produksioni ishte kujdesur ta zëvendësonte balerinin profesionist që Tuna kishte kërcyer deri në javën e nëntë, me Simonen.

 

 

Ky ishte dhe problemi, që me sa duket nxehu gjakrat mes këngëtares, jurisë dhe antijurisë – Fatma & Aulona. Gjithçka filloi kur Tuna nisi të marrë kritikat e para për pasodoblen e ekzekutuar.

 

 

Ilir Shaqiri me ironi i përmendi kostumin teknologjik që ajo kish veshur. Kur i tha "dritat nuk mbulojnë gjithçka", ai pati parasysh performancën e dobët të këngëtares, duke iu referuar shkëlqimit të dritave 'led' në trup, që nuk mbuluan dot problemet teknike të kërcimit.

 

 

Kaq u desh dhe Tuna iu kundërvu kryetarit të jurisë dhe kush foli pas tij, vetëm me një argument, në kurriz të partnerit: Ajo kishte punuar thjesht nje ditë e gjysmë për performancën, pasi Simone kishte qenë në Zvicër me pushime dhe nuk kishte patur mundësi që të ushtrohej. Natyrisht pikët pas votimit rezultuan të ulëta dhe gjithashtu shigjetimi i dyshes antijuri nuk mungoi. Ajo që për kaq javë me rradhë shihej si pretendentja kryesore për të fituar Dancing With the Stars, po sulmohej. Në sytë e Tunës – ”të paprekshmes", kjo ngjarje u duk si një provokim, pasi aty për aty situata mori trajta dramatike, duke iu përmendur deri "dance-off"-i. Por për publikun, u duk më tepër si një stisje që nuk u servir ashtu siç duhet.

 

 

Të gjithë kemi të drejtë ta mendojmë këtë, përderisa në klipin përpara kërcimit, Tuna shfaqej me balerinin e përhershëm Erindin i cili vallëzonte për bukuri. Te gjithë mund të dyshojmë se pse balerini nuk u filmua në provat ku u lëndua, përderisa ky program ka edhe një përmbledhje 'daily'. Të gjithë nuk kuptuan, madje edhe vetë Aulona nuk ishte në dijeni se çfarë konkretisht i kishte ndodhur Erindit, kur aty në shfaqje e pyeti direkt Tunën dhe ajo nuk diti ç’ti thoshte.

 

 

Gjithashtu, jo i ndershëm ishte zëvendësimi i balerinit të dëmtuar të Tunës, me koreografin e spektaklit. Italiani Simone, që deri dje duhej të kujdesej njëlloj për të gjithë, nga kjo e hënë e deri në natën finale, merret me mënd se me kë do harxhojë më shumë kohë në palestër.

 

 

Kjo, jo sepse Tuna është balerina perfekte, as se ka më shumë talent në kërcim se të tjerët aty, e po ashtu, as se është e sjellshme dhe nuk i kujtoi Simones vajtjen me pushime në kohën kur duhet të punonin bashkë. Jo! Por sepse Tuna është këngëtarja e hiteve me miliona klikime, me ndjekës dhe fansa pa fund. Personazhi që në fund të ditës, u bë si një garanci për produksionin e Dancing With the Stars, që ky edicion i pestë, të ngjallë interes dhe të thithë shikueshmëri, në kundërshtim me konsumizmin e patentës dhe rrezikut nga konkurrenca e programeve të ngjashme. Për këtë, Tuna meriton të shpërblehet.