• |
ide | kryesore

Rama përdor Tahirin për të kompensuar 21 janarin

I pakategorizuar
hoxha tahiri.JPG


Ky 21 janar do të ketë qenë më i vështiri për Edi Ramën, që prej atij të 2011 -ës kur katër protestues që ai çoi para kryeministrisë, u vranë. 4 vjet nga premtimet se sapo të vijë në pushtet kjo do të ishte çështja e parë që do të zgjidhte, Edi Rama e pati të vështirë të përballej me familjarët e viktimave. Këtë vit nuk i takoi as para kamerave. I gjendur në vështirësi shpiku një “alternativë” për të zbardhur vrasjet nëse prokuroria nuk do ta bënte. Postimi i tij në Facebook mori mijëra reagime kundër. Sikleti vijon edhe pse 21 janari ka kaluar. Dhe për ta kompensuar këtë Rama nxorri Saimir Tahirin sot nëpër ekrane televizive për të sulmuar opozitën, prokurorinë, gazetarë, analistë e këdo që nuk mendon si ai dhe ministri i tij i Brendshëm për 21 janarin e çështje të tjera. Saimir Tahiri pati një ndërhyrje me telefon në Top Story për 21 janarin. Por debatin më të pazakontë e pati në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu, ku disa analistë dhe Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci po diskutonin për laboratorin e drogës dhe kriminalitetin në vend. Tahiri sulmoi prokurorinë sapo iu dha fjala dhe i kërkoi të zbardhë 21 janarin. Mund t’ia kishte thënë edhe një vit më parë këtë, por fakti që u detyrua të lidhej me Opinionin për ta sulmuar prokurorinë pikërisht sot, tregon se Kryeministri gjendet vërtet në vështirësi. Tahiri u përdor në këtë lidhje telefonike për të sulmuar edhe kreun e opozitës kur i kërkoi prokurorit të krimeve të rënda të zbardhë kërcënimin ndaj Bashës dhe i kujtoi se Basha ishte ministër i brendshëm më 21 janar të 2011 -ës. 
Ai përdori një gjuhë të çuditshme jo vetëm për një Ministër, por edhe për një qytetar që diskuton publikisht në studio televizive, kur duke folur për luftën kundër drogës, iu drejtua kreut të shtetit dhe atij të opozitës me fjalët “ky që është sot president apo ky që është sot kryetar opozite”.
Tahiri lavdëroi policinë për zbulimin e laboratorit të drogës, por toni i tij, euforik dhe i pavend, u bëri përshtypje të gjithë të ftuarve të Opinionit, aq sa drejtuesi Fevzu i tha: Atëherë duhet të jeni më i qetë, s’keni pse nxeheni”.
Veç kompensimit të pakënaqësisë që ka shkaktuar ky 21 janar ndaj shefit të tij, Ministri i Brendshëm zbuloi edhe një tjetër arsye të ndërhyrjes në Opinion
“Nuk duhet të përdorni çdo studio për të thënë se kur ka faj, atë e ka policia dhe ku ka sukses, ai është i prokurorisë”. 
Ky konstatim i tij shkaktoi të qeshura të të ftuarve, Fatos Lubonja, Andi Bushati, Mark Marku, Artan Hoxha, e Lorenc Vagjeli. 
Ndërsa Lubonja u shpreh: “E kuptoni ku e ka hallin?”, duke e bërë të qartë se halli i Tahirit ishte që të mos i jepeshin merita prokurorisë.
Tahiri u kërkoi gjithashtu të ftuarve të mos merren me këtë çështje, ndërsa debatin me ata e personalizoi, aq sa në fund e humbi kuptimin.
Tahiri: Atëherë pse po merreni ditë për ditë me këtë çështje? 
Lubonja: Na lini të flasim edhe neve… 
Tahiri: Pse nuk thua që policia po i godet trafikantët? Laboratorë droge ka edhe në Itali. 
Lubonja: Pse nuk u ndoq që të kapet i gjithë rrjeti, por u bë një ndërhyrje kaq e shpejtë? 
Tahiri: Mos bëni ekspertin e hetimeve. 
Lubonja: Unë po ngre hipoteza. 
Tahiri: Ju keni përgjegjësi për hipotezat.
 
Bushati: Përgjegjësi keni ju për t’i sqaruar. 
 
Marku: Nuk je ti që na kërkon llogari ne.
Tahiri: Pse mos të të kërkoj ty? Ti nuk i ke kërkuar llogari Berishës për drogën. 
Marku: Unë po, ti s’ke guxuar t’i kërkosh llogari atij tëndit (Ramës)
 
Tahiri: Zotëri unë s’kam fare punë me ty. 
 
Hoxha: Ishte e tepërt, bëri vetëm propagandë.