• |
ide | kryesore

Sëmundja e rrallë/ Prej 8 vitesh jeton të njëjtën ditë

Arkiva, Stil
semuri.jpg



E keni parë filmin “Groundhog Day” të vitit 1993 me protagonist aktorin Bill Murray i cili mbërthehet në një cikël ngjarjesh të përditshëm? Çdo ditë ai zgjohej në mëngjes dhe i ndodhnin të njëjtat gjëra që i kishin ndodhur një ditë më parë. Është ajo që po i ndodh, prej 8 vitesh një 23-vjeçari britanik i cili është mbërthyer në një “deja vu” të vazhdueshme.

Ky fenomen quhet “njohja e falsifikuar” që bazohet në ndjesinë e gabuar se i ke jetuar këto ngjarje në të kaluarën dhe se po të ndodhin njëlloj edhe në këtë moment. Është gazeta shkencore “Journal of Medical Case Reports” në Londër që e ka sjellë këtë rast të çuditshëm duke e konsideruar si “rastin e vetëm” në literaturën mjekësore.

Raporti flet për një epilepsi të lobit temporal, ndërsa arsyet kanë të bëjnë më shumë me natyrën psikologjike të paraprirë nga gjendja e ankthit dhe depersonalizimit. Ajo që është më e keqja e kësaj sëmundjeje është se personi në fjalë është i vetëdijshëm që ka mbetur në këtë rreth vicioz ngjarjesh dhe që nuk ka humbje të kujtesës. Gazeta shkruan se kjo “deja vu” e vazhdueshme e ndalon të shohë TV, të dëgjojë radio, të lexojë pasi kujton se këto gjëra i ke parë dhe dëgjuar edhe më parë”.

Djali në fjalë ka vuajtur prej vitesh nga shqetësime të ankthit si dhe nga një formë e avancuar e germofobisë, e cila ishte klasifikuar si “shqetësim obsesiv kompulsiv”. Frika e tij është rritur me kalimin e viteve dhe në Universitet ajo u bë edhe më intensive. Sidomos kur përdori vetëm një herë drogën LSD. Pasi la provimet ai iu nënshtrua një kure mjekësore, por ajo ndjesia e “deja vu” nuk iu largua kurrë dhe po e shoqëron çdo ditë./lapsi.al/