• |
ide | kryesore

Analistët: A do të tregojë Rama se është i shantazhueshëm?

I pakategorizuar
IMG-20150302-WA000.jpg


Ndërkohë që disa nga deputetët socialistë të dirigjuar nga selia e PS-së i janë kundërvënë me ekses zelli deputetit të Shkodrës Tomë Doshi, mes komentatorëve të shtypit pikpyetja më e madhe ka qenë mënyra se si do të sillet Edi Rama. I pari që ka folur për këtë çështje, Mero Baze, në një editorial në gazetën Tema, hidhte tezën se sjellja e Doshit ishte më shumë se një akuzë e thjeshtë për korrupsion, prandaj ajo duhej trajtuar si një shantazh politik. Dhe pikëpyetja e Bazes ishte se sa të shantazhueshëm janë socialistët nga akuza të tilla. Baze bënte thirrje që socialistët të distancoheshin nga deputeti në fjalë dhe i sugjeron kryeministrit Rama të trgojë vendosmëri dhe të luftojë  kundër shantazhit politik. Në të kundërt shkruan Baze, “ai do të kthehet në një figurë zvarraniku  për opinionin publik dhe kryeministri real i vendit do të jetë shantazhi”.
Edhe në një shkrim tjetër Mustafa Nano mbron po të njëjtën linjë. “E kish thënë Mero Baze në një artikull që kish shkruar pardje në të nxehtë, teksa nënvizonte mesazhin se “Kryeministri duhet të dëshmojë se është i pashantazhueshëm, e duhet të tregojë vendosmëri të bëjë betejë kundër shantazhit politik”. Unë këtu do të shtoja. Nuk ka rëndësi se çfarë meraqesh mund të ketë Kryeministri në rrethanat që Toma do të çalltisë të zbrazet mirë e mirë. Nuk e përjashtoj që të ketë meraqe të tilla. Por sido që të jetë puna, pafuqia e një Kryeministri për t’i thënë “jo” një shantazhi apo gatishmëria për të jetuar mes shantazhit, e turpëron atë dhe ia lidh duar e këmbë, më shumë se çdo gjë e ndyrë që mund të ketë bërë. E nëse ai nuk e sheh kështu, është opinioni publik që ka nevojë ta shohë kështu. Është opinioni publik që e ka më të ngjërueshëm një kryeministër që ka bërë ndonjë zullum, e që këtë zullum ia denoncojnë, sesa një kryeministër që ndodhet gjithë kohën nën shantazh. Unë vetë, ndonëse e di se zullumi e shantazhi lidhen me njëri- tjetrin, preferoj një kryeministër zullumqar përpara një kryeministri të shantazhueshëm. Për aq sa këta dy lloje kryeministrash mund të ndahen e për aq kohë sa nuk kam një opsion të tretë".
Nga ana tjetër në shkrimin e tij të kësaj të hëne në vigjilje të mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Fatos Lubonja ka folur edhe për ndërhyrjen e një oligarku tjetër në konflikt të plotë interesi, Koço Kokëdhimës, i cili po mundohet me të gjitha mënyrat për të patur një kryeministër të shantazhueshëm. Gjatë gjithë ditës së hënë shumë deputetë socialistë janë telefonuar nga Kokëdhima, me merakun për t'i vënë kapakun një gjelle të qelbur. Lubonja shkruan se pasi Doshi bëri akuza për tronditje të themeleve të shtetit nëse ai hapte gojën “askush nuk u ngrit t'i thotë se për çfarë e ke fjalën- përkundrazi, një tjetër simbol i konfliktit të interesit, deputeti Kokëdhima, nxitoi ta qetësojë ndërkohë që kur këto akuza u artikuluan nga opozita, Kryeministri vendosi të përballet në gjyq me ta”.
Pra shihet qartë se nga të gjithë opinionistët me zë në vend, Ramës i kërkohet të tregojë se nuk është as i kapur peng dhe as i shantazhueshëm. Ata e denoncojnë linjën e oligarkëve të tipit Kokëdhima, që para interest të qeverisjes, kanë interesin e aferave të tyre. A do të ketë kryeministri forcën t'i dëgjojë këta zëra, shumë prej të cilëve edhe mbështetës të tij, apo do të japë edhe një provë më shumë se ai nuk është i kapur vetëm në fjalime, ndërsa kur vjen puna tek aktet, është krejtësisht e kundërta. (lapsi.al)