• |
ide | kryesore

Cherie Blair, kontratë të majme me qeverinë shqiptare

I pakategorizuar
cherie_blair_3223757b.jpg


Më kot nuk thuhet se “Tony udhëheq, Cherie i shkon pas”. Një vit e gjysmë pasi ish –kryeministri britanik Tony Blair do të nënshkruante me qeverinë shqiptare një kontratë si këshilltar, bashkëshortja e tij Cherie Blair firmos me Shqipërinë  një kontratë të majme. Firma e saj ligjore Omnia Strategy është emëruar për të vepruar për llogari të Shqipërisë në një çështje gjyqësore, ku qeverisë së Tiranës i kërkohen 250 milionë paund dëmshpërblim për prishjen e një koncesioni për vendosjen e skanerave në dogana. Tony Blair është këshilltar zyrtar i qeverisë shqiptare, por kontrata e tij mbetet e paqartë. Opozita ka bërë disa herë thirrje për transparencë në këtë marrëdhënie, por as nga qeveria dhe as nga zyra e zotit Blair nuk ka patur komente. Në një rast të vetëm, kryeministri Rama, në një emision televiziv është shprehur se këshilltat e Blair nuk kanë të paguar. Por ai nuk iu përgjigj pyetjeve se sa mund të paguhet një këshilltar si Blair, i cili ka kosto të mëdha. Për shembull, një orë fluturim me avionin e tij luksoz, kushton mbi 70 mijë euro.

Kontrata me Shqipërinë vjen pas asaj që zonja Blair fitoi me qeverinë e Kazakistanit, ku bashkëshorti i saj është një këshilltar zyrtar gjithashtu, i paguar për të këshilltuar presidentin autokrat, nursultan Nazarbayev.

Nuk është e qartë se sa do të paguhet zonja Blair në Shqipëri. Por nëse do të jetë një kontratë e ngjashme me atë të Kazakistanit, ajo do të mbetet e kënaqur.

Omnia Strategy, siç ka zbuluar gazeta “The Telegraph” është paguar thuajse 400 mijë paund për 6 muaj punë në Kazakista, për të shqyrtuar traktatet e investimeve bilateral. Zonja Blair, e njohur si një avokate e të drejtave të njeriut, i kërkoi qeverisë së Kazakistanit që të paguhej me 975 paund ora. Zakonisht ajo merr 1.150 paund për orë, por ajo kësaj here ua ofroi me ulje shërbimet e saj taksapaguesve kazakë.

Çështja ligjore që ajo do të ndjekë në Shqipëri ka të bëjë me vendimin e qeverisë socialiste për të ndërprerë një kontratë me një kompani amerikane, e cila kishte fituar të drejtën e vendosjes së skanerave përgjatë pikave doganore .

Rapiscan System, me baë në Redhill, fitoi një kontratë 15 –vjeçare në prill të vitit 2013, si pjesë e një projekti të qeverisë së mëparshme shqiptare për të forcuar sigurinë kufitare, në përpjekje për të luftuar trafikun e drogës dhe kontrabandën e cigarëve, armëve apo edhe trafikun e qenieve njerëzore. Forcimi i kufinjve është kusht për anëtarësimin në BE.

Por kontrata u prish pasi Edi Rama fitoi zgjedhjet. Në shtator të vitit 2013, Rama, një mik i Tony Blair, e punësoi ish –kryeministrin Britanik si këshilltar. Marrëveshja u arrit gjatë një bisedimi mes tyre në Londër, përpara mbajtjes së zgjedhjeve.

Zoti Blair është një figurë popullore në Shqipëri, për shkak të mbështetjes së ndërhyrjes ushtarake në Kosovë.

Rapiscan nisi një aksion ligjor ndaj Shqipëirsë në gusht të vitit të shkuar, duke e paditur vendin me 250 milionë paund, një rast që po shqyrtohet nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë në Vienë.

Shqipëria pajtoi një firmë ligjore për t’u mbrojtur ndaj kësaj padie, pas një procesi tenderimi të filluar në tetor që coi në shpalljen si fitues të Omnia Strategy. Zonja Blair u largua si avokate e të drejtave të njeriut në Matrix Chambers për t’iu përkushtuar punës në Omnia, firmë të cilën ajo e ngriti në vitin 2011.

Kontrata e nënshkruar me qeverinë shqiptare ka shkaktuar shqetësim në Shqipëri për faktin se bashkëshorti i saj, zoti Blair, është shumë i lidhur me qeverinë shqiptare dhe për shkak të mungesës së transparencës.

Por kjo nuk është hera e parë që Omnia Strategy punësohet nga Tirana zyrtare. Në vitin 2012 ajo fitoi një kontratë 300 mijë paundëshe për të këshilluar qeverinë në një çështje ligjore ndaj një firme amerikane të tregtimit të naftës. Shpenzimet ligjore të qeverisë shqiptare në këtë rast arritën në 300 mijë paund, afro 500 mijë dollarë. Nuk është e qartë se ç’pjesë e kësaj shume i shkoi firmës ligjore Omnia Strategy.

Zonja Blair e ka vizituar Shqipërinë për herë të parë në vitin 2010 si e ftuar e Liri Berishës, bashkëshortes së kryeministrit  të asaj kohe, zotit Berisha. Cherie Blair erdhi në Shqipëri me një avion privat të Rezart Taçit, një biznesmen kontrovers dhe një prej njerëzve më të pasur në Shqipëri, shkruan The Telegraph.

Shqipëria është një ndër vendet ku Tony Blair është punësuar si këshilltar, përmes kompanisë së tij Tony Blair Associates, të cilën ai e ngriti duke lënë detyrën e kryeministrit në vitin 2007. Zoti Blair ka nënshkruar kontrata të majme me Kazakistanin, Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mongolinë dhe së fundi me Serbinë.

Zoti Blair insiston se taksapaguesit shqiptarë nuk paguajnë për ekipin e tij që gjendet në Shqipëri, ndonëse nuk është e qartë se kush po paguan për këshilltarët që ndodhen në terren, mes të cilëve edhe nip ii Alistair Campbell, këshilltar i zotit Blair.

Julia Yun Hulme, menaxherja e Omnia Strategy refuzoi t’i tregonte gazetës “The Telegraph” se sa do të fitonte nga kontrata e fundit me Shqipërinë. Ajo gjithashtu nuk pranoi të tregonte nëse Omnia kishte fituar kontrata me vendet e tjera ku zoti Blair është i punësuar si këshilltar. Në një deklaratë ajo tha: Zoti Blair nuk është i përfshirë me Omnia Strategy”. Ndërsa Rapiscan refuzoi të bëjë komente mbi çështjen. /The Telegraph -Përgatiti Lapsi.al/