• |
ide | kryesore

Hipokrizia e Edi Ramës/ Kopjon hapur idetë e Fatos Lubonjën

I pakategorizuar
mbledhja1.jpg


Edi Rama ka dhënë sot shembullin më të mirë dhe më eklatant të politikës hipokrite që ai po luan me opinionin publik. Vetëm dy ditë më parë, këtë lloj politike të Ramës, Fatos Lubonja e përshkruante në një shkrim të tij duke trajtuar temën e përdorimit të gjuhës së shumëfishtë nga politikanët shqiptarë në vartësi të bashkëbiseduesit. Dhe këtu veçonte kryeministrin tonë, i cili e ka ngritur këtë përdorim në një nivel shumë të lartë.  Lubonja, ashtu si dhe në raste të tjera, i referohej hipokrizisë së kryeministrit në raport me Kosovën. Sipas tij, Rama ka kapur rekordin duke përdorur tre gjuhë për të njëjtën çështje: nacionaliste për shqiptarët (një popull, një komb, një ëndërr, etj etj), postnacionaliste për perëndimorët (do të bashkohemi në Bruksel) dhe një gjuhë tjetër për shqiptarët e Kosovës duke marrë rolin e babait të tyre që i mbron jo vetëm nga serbët por edhe u del për zot përpara Europës.
Ky koment i Lubonjës merrte shkas nga mbledhja me pompë që dy qeveritë bënë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku dominonte një shqiponjë gjigante dhe simbole të tjera të bashkimit kombëtar, por ku ra në sy më së shumti një fjalim me tone të forta patriotike i Edi Ramës ku ai i kërkonte llogari dhe madje demaskonte Europën që nuk po i heq vizat për kosovarët.
Nën avujt e kësaj gjuhës që përdor për shqiptarët këtu dhe në Prishtinë, Edi Rama e thelloi më tej paralajmërimin për Europën gjatë një interviste euforike dhe simbolike për Baton Haxhiun në Ulqin, ku la të kuptohej qartë se "verbëria apo përtacia europine" mund t'i çonte shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës drejt një bashkimi pa pritur "godonë" e integrimit europian.
Mirëpo këtë delir provincial ballkanik e ka goditur menjëherë Brukseli duke i cilësuar si provokime të papranueshme deklaratat e kryeministrit shqiptar. Dhe atëherë ky i fundit i është kthyer gjuhës së dytë, asaj që ka për ndërkombëtarët. Madje këtë herë ka shkuar shumë larg, duke kopjuar pa pikë gajle idenë e Lubonjës, që kritikonte pikërisht hipokrizinë e kryeministrit Rama. Me pendët e lagura nga deklarata e Brukselit, Rama tha gjatë një fjalimi lidhur me faturimet e energjisë se financimet e shtuara në këtë sektor janë "edhe rezultat i përgjigjes së tyre (qytetarëve) masive, pozitive, ndaj apelit për t'u bërë të gjithë bashkë dhe për t'u treguar patriotë, jo duke tundur flamurin kuqezi gjatë një ndjeshje futbolli, por duke paguar secili pjesën e vet të detyrimit në raport me këtë pasuri kombëtare. Sepse ky është thelbi i patriotizmit të një vendi: vetëdija për detyrimin që ka secilin ndaj vendit të vet, ndaj pasurisë së përbashkët dhe ndaj asaj që konsumon si pjesë të vetën në tërësinë e konsumit të pasurive tona të përbashkëta".
Këto më sipër janë fjalët e Edi Ramës. Lexoni tani atë që ka shkruar Lubonja për të kritikuar pikërisht patriotizmin me flamur dhe shqiponjë të Edi Ramës. Ja çfarë shkruan Lubonja: "Eshtë koha që, kush e do sadopak Shqipërinë, të mbajë në dorë një vegël pune më shumë se flamurin, të ruajë fushat e malet dhe lisat e gjatë nga plehrat që u hedhim përditë mbi shpinë, të ruajë shoqërinë nga plehrat e krimit që po e mbysin, të bëjë pra punë që ta nderojnë këtë vend, se vetëm kështu flamuri do të jetë i nderuar në kohën dhe vendin që i përket". 
Pa u skuqur, këtë ide të Lubonjës, Edi Rama e paraqiti të mërkurën si thelbin e patriotizmit sipas tij, pa besuar aspak tek ajo. Thjesht se i duhej për të kaluar situatën që vetë e krijoi me Brukselin. Kjo është më shumë se hipokrizi, kjo është një gjuhë e katërt që ai ka filluar ta përdorë për veten e tij, sepse askush tjetër nuk mund ta besojë. /lapsi.al/