• |
ide | kryesore

Vazhdon debati pro dhe kundër Blushit/ Çfarë synon ai?

I pakategorizuar
ben-blushi1.jpg


Megjithëse gjithnjë e më shumë Partia Socialiste po e sheh me shqetësim duke tentuar ta mbajë si një fenomen periferik, qëndrimet, artikujt dhe fjalimet e Ben blushit në parlament janë kthyer në një fenomen të vërtetë mediatik. Ato kanë tërhequr jo vetëm vëmendjen e lajmeve ditore porn ë një farë mënyre kanë vënë në detyrimin për tu prononcuar, analistët më në zë në vend që kanë folur pro apo kundër tij. Kështu Zheji, Nazarko, Lubonja, Gjekmarkaj, Baze, Bushati, Stefani kanë marrë penën për të shprehur pikpamjet e tyre. Në një farë mënyre, Blushi e ka kapërcyer rrethimin e tij të parë, dëshirën e kësaj shumice për ta paraqitur si irilevant.“Mesa duket, edhe ai e ka llogaritur këtë efekt të shfaqjeve të veta: të shndërrohet në dukuri politike, për të cilën të flasin të gjithë. Të interesuarit apo të painteresuarit për letërsinë politike dhe politikën e letrarizuar” ka shkruar në qëndrimin e tij të fundit Mentor Nazarko në “Panorama”. Po në të njëjtën gazetë Agron Gjekmarkaj flet për interesin që kanë zgjuar tezat e Blushit tek publiku  gjërë, si dhe për mënyrën se si do ta shmangë këtë debat Rama dhe zëdhënësit e tij: “Gjithçka ai thotë dhe shkruan prej disa kohesh, shndërrohet në lajm. Mijëra klikime dhe shikues të shumtë në aulat e debatit televiziv, ku fjalimet dhe shkrimet e tij janë objekt diskutimi, e shoqërojnë. Njerëzit janë në pritje të befasisë së radhës; Komunikimi ka rregullat e veta. Një kumt nuk e merr kurrë vëmendjen e publikut nëse nuk prek ndjeshmërinë e tij. Me ato që thotë Ben Blushi, ka sintetizuar të vërtetat e shumëkujt dhe u ka dhënë atyre zë. Jo pak herë gjatë këtyre ditëve shtrohet pyetja: pse Blushi po e bën këtë, ku e ka hallin, ku është cenuar, flet kështu se nuk është përfshirë në qeverisje etj.? Por njerëzit nuk po merren shumë me to, ndonëse propaganda e qeverisë ka interes të fokusohet aty duke u dhënë rëndësi shqetësimeve që ai ngre”.

Pikërisht këto pyetje që shmangin thelbin e debatit dhe i shkojnë për shtat qeverisë ka ngritur në shkrimin e tij të fundit në gazetën Shqip Andrea Stefani, “A ja mban Blushit të bëhet Hasan”: “Sot ka më shumë se kurrë kolltukofagë të tranzicionit që lënia pa kolltuk u duket padrejtësia më e madhe në botë, sepse kanë për kolltukun, po atë pretendim që mund të ketë një breshkë për zhguallin e saj! Ndaj e sulmojnë Ramën dhe “Rilindjen”, shfaqin pakënaqësi, më së shumti, nga se nuk janë më në listat e deputetëve, se nuk janë më ministra, se nuk janë më presidentë, se nuk kanë më kolltuk. Nuk them me siguri se Blushi është një nga këta, por duart në zjarr nuk i vë dot” thotë ai duke hequr një paralelese pse Hasani i kukësit qenkëshka “pa din e pa iman” kur kundërshtoi berishën kryeministër ndërsa Blushi qenkërka pozitiv që po e bën tani këtë gjë?  “Blushi ka një hall: E ka shpallur Rilindjen të vdekur ndaj është vënë në kërkim të fakteve të kalbëzimit të kufomës. Dhe nxiton ta gjejë një të tillë në rastin e Hasan Halilajt që, gjithsesi, është vetëm një rast ndaj edhe e nxituar ta përgjithësosh. Por, për më tepër, është rasti i gabuar që Blushi megjithatë, nuk ngurron ta tentojë si kauzë, sepse nuk i bëhet vonë për të vërtetën. Por e vërteta është se Hasani nuk është “hasan” në kuptimin që e përdor Blushi. Pra, “pa din e pa iman”, “pa kurajë, guxim dhe pa nishan” shkruan Stefani.

Gjthësesi Nazarko, po aq pranë qeverisë sa edhe Stefani nuk bie në banalitetin e përfundimeve të të parit. Ai shikon tek ajo që e quan “paketa e dinjitetit” pra tek propozimet e Blushit për të luftuar varfërinë një projekt të mirfilltë politik. “: Për shembull, të enjten në Parlament, edhe si njëlloj tribuni modern i mjerimit, besnik i qasjes së vet apokaliptike për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, Blushi ngjau si Tsiprasi me paketën e vet të dinjitetit për të mjerët. Duke qenë se kurbat ku kalon karriera e të dyve janë të ndryshme në startin e tyre, duke parë sesi po i shkojnë punët Tsiprasit në qeverisje, atëherë ndoshta edhe ky krahasim mund të jetë apokaliptik për Blushin. Që me siguri Shqipëria ka nevojë për paketën e vet të dinjitetit, këtë e dinë të gjithë. Por një politikan duhet të na sqarojë identifikimin e burimeve të financimit të kësaj pakete dhe modelin ideologjik të këtij financimi: neokejnesian, ciprasian, apo si”?

Por nëse Nazarko shikon në këtë përpjekje një tentativë për të krijuar një Tsipras shqiptar Gjekmarkaj shikon aty përpjekjen për të krijuar një lëvizje të re politike:” Këto të vërteta të thëna prej tij ekzistojnë përtej sinqeritetit të Blushit, por sinqeriteti do t’i përcaktojë profilin e tij si intelektual dhe të ardhmen politike në shoqërinë shqiptare. Të bësh kritika, edhe pse të vërteta, është më e lehtë se të japësh alternativa, por këtë Blushi nuk mund ta bëjë, duke qenë deputet i Partisë Socialiste, pasi ka rrëzuar in totum qeverisjen e saj. Kur të nisë një artikulim këso dore, atëherë një lëvizje politike e re do të përvijohet në Shqipëri. Nuk jam skeptik për sasinë e ndjekësve të saj”.

A do të ketë sukses Blushi në artikulimin e të vërtetave të tij duke marrë përsipër atë që Gjonmarkaj e quan “metamorfozën e Shën Palit, i cili në rrugën për në Damask nga saul shndërrohet në Pal, nga persekutor në shenjtor”? A do ai të krijojë një forcë të re politike? A po kërkon të krijojë një parti të re? Të gjitha këto pyetje i shtrojnë mbështetësit dhe kundërshtarët e tij. Jo më kot Nazarko pyet: “mirë që e ka nisur, por si do ecë nëse do ecë vetë, dhe ku do shkojë?

(Lapsi.al)