• |
ide | kryesore

Sot, Bleona feston ditëlindjen. A do të marrë fund manipulimi i këngëtares me moshën?

Arkiva, Paparazzi
bleona hapja.PNG


Ajo gjithnjë e ka fshehur moshën dhe me të drejtë, kur rreth 6 vite më parë u shpërngul në Shtetet e Bashkuara, Bleona nuk mund të prezantohej si një 30-vjeçare që kërkonte famën e Britney Spears e cila e kishte nisur punën që adoleshente.

Pas artikujve të sponsorizuar që flisnin për një artiste alla "Albanian Madonna" dhe albumeve të stërfryrë në shifra shitjesh, këngëtarja e cila debutoi në vitin '96 në festivalin e RTSH me këngën "Lermëni", arriti të krijojë disa lidhje në Amerikë ku realizoi disa single.

Megjithatë,  mosha duket se ishte e vetmja pengesë që Bleona nuk mundi dot të depërtonte në tregun amerikan të muzikës. Ajo bashkëpunoi me një nga emrat më të rëndësishëm të biznesit muzikor atje. Timbaland prodhoi pak këngë për artisten shqiptare, që nuk kishin asnjë ndryshim nga pop-i që dëgjohej në radiot amerikane. Por, pavarësisht publicitetit se po punonte me këta producentë të famshëm, asnjë nga këngët e saj nuk ngjiti. Ndoshta personaliteti dhe eksperienca jetësore, ishin në kontradiktë me atë që këngëtarja po i ofronte një publiku të ri në moshë, ama të stërvitur me lloj-lloj personazhesh.

Sot, kur faqja e saj zyrtare në wikipedia tregon gjithçka rreth aktivitetit artistik të këngëtares, (përveç moshës) Bleona është rikthyer në Shqipëri teksa po merr pjesë si mentore në jurinë e X Factor.

Nga koha kur u zhvesh në skenë rreth 17-vjeç e deri sot, kanë kaluar shumë vite, rreth 20. Zhveshjen në skenën e festivalit që theu tabu asokohe, ajo e ka kthyer në lajtmotiv.

Po njësoj, fitoi vëmendjen e mediave të huaja nëntorin e shkuar me fustanin rrjetë në AMA.

Këtë 14 maj, në ditën e lindjes, të cilën vetë këngëtarja e bëri me dije në rrjetet sociale, mos do të qe më mirë të tregohej po aq transparente sa edhe me fustanet që vesh? A nuk do të ishte më e ndershme që Bleona, të largohej nga "Adoleshenca"- që dikur këndonte, dhe t'i tregonte publikut anën e saj të pjekurisë? Mos ndoshta fansat e saj do të shtoheshin kur të merrnin vesh se ajo sot mbush 36 vjeç dhe duket si një 29-vjeçare, mosha e përmendur në artikujt e mediave të huaja që sigurisht janë informuar nga vetë Bleona. 

Përvec sjelljes pa komplekse dhe tipit për t'i thënë gjërat pa dorashka, cilësi për të cilat u pëlqye në show-n amerikan "Euros of Hollywood", duket se për Bleonën, është koha edhe për këtë të vërtetë. E gjitha, për publikun ku ajo synon të arrijë diçka, pasi ne këtu në Shqipëri, mjafton të bëjmë një llogari të thjeshtë matematikore dhe manipulimi që këngëtarja bën me moshën, kthehet në humor. Por jashtë, askush nuk do pranonte të ndihej i mashtruar, aq më tepër nga një artist, i cili i ofrohet publikut si model për t'u ndjekur.