• |
ide | kryesore

Blushi “godet” sërish: Jemi vend sovran, s’mund të na e ndërtojë Turqia parlamentin

I pakategorizuar
blushi1.jpg


Në seancën e sotme në Kuvend deputeti Ben Blushi iu rikthyer sërish vizitës së presidentit turk Erdogan në Tiranë javën e kaluar. Blushi tha se është kundër ndërtimit të parlamentit nga Turqia, sepse sipas tij parlamenti është simbol i sovranitetit. Edhe Fatos Lubonja dy ditë më parë, duke komentuar debatin që filloi pas largimit të presidentit turk,ka vënë re se disa lavdëronin Gylenin i cili financon shkolla dhe disa të tjerë Erdoganin që po na ndërton parlamentin apo xhamitë. Jashtë të dy grupeve Lubonja ngre pyetjen: po ne pse nuk jemi të aftë të mbledhim para për shkollat, godinat publike dhe objektet tona të kultit? Ndërsa Ben Blushi sot në Kuvend tha se nuk kemi pse i kërkojmë borxh Turqisë për të ndërtuar simbolin e sovranitetit.
"Nëse kemi 12 milionë euro të ndërtojmë një stadium në Shkodër, kemi 5 mln euro për një stadium në Elbasan, kemi 20 mln euro për të investuar në Durrës dhe s’paskemi ne 30 milionë euro për të bërë parlamentin e Shqipërisë dhe ta kërkojmë borxh tek Turqia apo Franca, apo te Gjermania nuk ka rëndësi. Parlamenti i një vendi është simboli i sovranitetit. Kur nuk je sovran nuk mund të kesh parlament. Dhe deri në vitin 1912 nuk kemi pasur parlament se nuk ishim vend sovran. Parlamenti ynë ishte në Stamboll. E për çfarë duhet ta marrim borxh parlamentin ?  Unë jam kundra kësaj. Të kërkojë borxh qeveria për çdo gjë, edhe për rrugë, edhe për energji, edhe për ujë por jo për Parlament. Për shkak të amatorizmit futemi në raporte që na nxjerrin më të dobët dhe ndoshta ky është rasti me Turqinë. Bëjmë premtime dhe kërkojmë gjëra që nuk duhet të kërkojmë", tha Blushi. 
Deputeti socialist kritikoi edhe shërbimin diplomatik duke thënë se është i një cilësie të ulët dhe se shumica e diplomatëve tanë nuk përmbushin kriteret. Sa i përket deklaratave të një dite më parë të Ramës, që do Shqipëria do të vendosë veto për Maqedoninë në NATO, Blushi tha se kjo nuk funksionon pasi e bën më të fortë Gruevskin. Vetoja e Greqisë sipas tij e bëri më të fortë Gruevskin. Duke u ndalur edhe njëherë tek eksodi i shqiptarëve, ai tha se njerëzit po largohen për shkak të qeverisjes së keqe. /Lapsi.al/