• |
ide | kryesore

Analiza/ Çfarë rreziku ka nacionalizmi i Ramës?

I pakategorizuar
ram nacionalist.jpg


Falë gafave nga mosnjohja, apo asaj që Fatos Lubonja e quan “gjuha e dyfishtë” që përdor, kryeministri Rama ka rrezik ta përkeqësojë pozitën e tij si “faktor stabiliteti” në rajon. Vetëm në pak ditë atij i janë hapur konflikte me pothuajse të gjithë fqinjët tanë. Nga të gjitha anët po vijnë reagime të forta nga kancelaritë ballkanike. Jo për të gjitha kryeministri shqiptar është përgjegjës, por fakt është se ai nuk po e përmbush dot premtimin e kësaj qeverie për “zero probleme me fqinjët”. Le t'i marrim me radhë: Sot shefi i diplomacisë greke Nikos Kotzias nuk ka pranuar të vijë në koferencën rajonale (SEECP) që zhvillohet në Tiranë si pasojë e mosmarrëveshjeve për ndarjen e kufirit detar. Shtypi i Athinës ka qenë këto ditë shumë kritik pas një note të ministrisë sonë të jashtme lidhur me mosmarrëveshjet për kërkimin e naftës në detin Jon. Por sikur të mos mjaftonte kjo, Greqia ka reaguar ndaj emërimit të Shpëtim Idrizit (dhe largimit të Vangjel Dules) në postin e nënkryetarit të Parlamentit të Shqipërisë.  Ministria e Jashtme greke reagoi me anë të një deklarate ku thuhet se “zgjedhja e personave irredentistë që lidhen me të shkuarën e tmerrshme fashiste e naziste të Europës, në pozitat më të larta të institucioneve më të larta shtetërore, nuk promovon miqësinë, bashkëpunimin, stabilitetin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes vendeve të Europës Juglindore dhe as kontribuon në perspektivën europiane të Shqipërisë.”

Natyrisht në të gjithë këtë pazëll duhet futur edhe nacionalizmi proverbial grek, që vihet re në gjuhën e përdorur nga dikasteri i diplomacisë helene, por fakt është se marrëdhëniet me Athinën nuk janë në më të mirën e mundshme.

Më keq ato janë me Maqedoninë. Vetë Rama i cili tha se nëse regjimi i Gruevskit nuk zbaton marrëveshjen e Ohrit, ai nuk e meriton futjen e vendit në NATO, ngjalli shumë reagime me deklaratat e tij. Pothuajse të gjitha mediat e vendit e përkthyen fjalën e Ramës si një veto (çka nuk qe e tillë) por po ashtu e pa edhe një pjesë e shtypit ndërkombëtar. Rrjeti televiziv amerikan ABC News shkroi se tashmë Maqedonia do te këtë edhe një bllokadë nga Shqipëria, përvec Greqisë e cila e kushtëzon hyrjen e Maqedonisë në NATO me konfliktin e emrit. Por si të mos mjaftonte hapi i parë Edi Rama hodhi edhe një të dytë më të rëndë. Ai transformoi deklaratat e ministrit të Jashtëm gjerman lidhur me Maqedoninë. Nëse Frank Walter Steinmeier kërkoi një hetim transparent për ngjarjen e Kumanovës, Edi Rama përmendi termin hetim ndërkombëtar që ndryshon diametralisht nga i pari.

Ministria e Jashtme maqedone reagoi: “Të gjitha bllokadat, kërcënimet për bllokada dhe deklaratat për justifikuar mbështetjen e dobët apo kundërshtimin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë  NATO dhe në BE  nuk janë në frymën e vlerave dhe shpirtit europian dhe nuk kontribuojnë në asnjë mënyrë apo formë për paqen dhe stabilitetin e rajonit në tërësi”, thuhet në deklaratën e siguruar nga lapsi.al. Më shumë i ngriti tonet nënkryetari i parlamentit maqedonas, Milloshoski, i cili e quajti kryeministrin shqiptar një politikan të mesëm që shet populizëm dhe që dëshiron të imponohet si “padron suprem” i shqiptarëve.

Pavarësisht nga halli që e ka zënë klasën politike në pushtet në Maqedoni, që ka gjithë perëndimin kundër dhe pavarësisht nga mëkatet e tyre, kryeministri shqiptar po rrezikon të shndërrohet në një dele të zezë të Ballkanit. Ai më tepër po priret t'i vërë shkrepsen benzinës që hedhin kundërshtarët. Mes rrezikut që jashtë ta vizatojnë si nacionalist, ai duket se po joshet nga reagimet populiste të bashkëkombasve të vet. Prej afro gati dhjetë muajsh termi i “Shqipërisë së Madhe” po përdoret me një frekuencë jo të zakonshme nga fqinjët tanë. Le të mos i harrojmë deklaratat e Ramës në një intervistë me Baton Haxhiun që ngjallën reagime të zjarrta në Beograd.  Atje Rama tha se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në mënyrë klasike nëse ato nuk përparojnë drejt BE-së. Homologu i tij serb Vuçiç u përgjigj menjëherë: “Unë premtoj se Kosova dhe Shqipëria, siç thotë kryeministri Rama në një mënyrë klasike, asnjëherë nuk do të bashkohen! Ju lutem shqiptarëve të ndalin provokimet që çojnë në destabilizimin e mëtejshëm në rajon!”.

Por po aq shpejt e fshikulloi kryeministrin shqiptar edhe Bashkimi Evropian. “Deklaratat e kryeministrit shqiptar dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi për bashkim kombëtar, janë provokime dhe të papranueshme, aspak në përputhje me politikën e bashkëpunimit rajonal”, tha zëdhënesja e KE, Maja Koçijançiç.

Po atëherë a rrezikon Rama ta shohin me syrin e një politikani nacionalist, të cilit perëndimorët e kanë me shumë frikë në Ballkan? Pas gjuhës së dyfishtë që ai përdor frika është e madhe. Por më e madhe ajo bëhet po të shihet si një naivitet që mund t'i fusi shqiptarët në grackën e provokimeve. Pas ngjarjeve ne Kumanovë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov tha se “kriza në Maqedoni është orkestruar nga jashtë”. Si duhet kuptuar një gjë e tillë? Frika është se ato janë mbështetje për një teori që po përhapet se nuk ka qenë shërbimi sekret maqedonas, por përkundrazi ai shqiptar që ka paguar mercenarë nga Kosova për të destabilizuar Maqedoninë. Natyrisht që këto janë teori konspirative që nuk mbështeten në fakte. Por nëse mungojnë faktet, gjuha e dyfishtë e politikanëve nuk ka pse i përforcon këto teori. Fatkeqësisht, në mënyrë naive, Rama po e bën këtë. Duke i prishur në radhë të parë punë vetes, e natyrisht shumë më shumë edhe shqiptarëve. /lapsi.al/