• |
ide | kryesore

Gjergj Leka padit shkrimtaren Flutura Açka

Arkiva, Paparazzi
gjergj leka.jpg


Intervista e kantautorit Gjergj Leka ka trazuar botën e artit këto ditë. Rrëfimet e tij mbi karrierën e 2 këngëtareve, Parashqevi Simaku dhe Lindita Theodhori shkaktuan një valë reagimesh. Artistë e këngëtarë iu kundërpërgjigjen ashpër në media Lekës. E quajtën të turpshme intervistën e tij dhënë për një të përditshme, në të cilën thoshte se dy këngëtaret u ngjitën në karrierë pasi ishin të dashurat e drejtuesve të sigurimit të shtetit. Shkrimtarja Flutura Açka e quajti Lekën “një lloj artisti seksist, fyes, inatçor, denigrues e të pakulturuar”. Në shkrimin e saj, shkrimtarja thotë se shqetësimi i saj ka të bëjë “me gjuhën e poshtër dhe këllirën me sens seksist në gjykimin e kolegeve femra”. Nisur nga ky reagim kantautori do të ngrejë padi ndaj Açkës. Avokati Sarimir Vishaj e ka konfirmuar këtë për gazetën Panorama. Ai ka thënë se do të depozitohet një padi në Gjykatën e Tiranës ku Leka do të kërkojë dënimin me 1 vit burg të shkimtares dhe dëmshpërblim me 10 mijë euro. Avokati sqaroi se bëhet fjalë për një kallëzim penal për fyerje.
 
Reagimet e artistëve
I ashtuquajturi “rrëfim pa doreza” i kantautorit Gjergj Leka ka nxitur një stuhi debatesh me artistësh. Pak ditë më parë ai dha një intervistë për gazetën “Panorama” ku ka folur për të kaluarën e tij dhe të kolegëve duke përmendur emra të njohur të skenës shqiptare, madje edhe në limitet e etikës. Leka thotë se për të mbytur emocionet e madhja Vaçe Zela rrëkëllente gota me konjak ndërsa këngëtaret e reja të asaj kohe bënin karrierë duke u bërë dashnore të njerëzve me pushtet.
“Ka shumë artistë të mirë që kanë vuajtur në Shqipëri, shumë artistë që nuk ua kanë dhënë kurrë hakun, sepse kolegët e paaftë ua kanë marrë shpirtin. Se ishin të dashura të punonjësve të sigurimit, të drejtorit dhe shokut të drejtorit… Ishin gjithmonë treshe. Pse, çfarë kujton ti, se orgjitë kanë nisur me demokracinë? Jo, jo, kanë qenë që në kohën tonë…”– shprehet Leka duke shtuar: “Kemi pasur këngëtare të zgjuara, këngëtare finoke dhe këngëtare kurva. Kurvat morën fund shumë shpejt, sepse e morën vesh të gjithë se çfarë ishin dhe i lanë. E kuptoni menjëherë për kë e kam fjalën, se kurvat këngëtare, sado të famshme ishin asokohe, u zhdukën nga qarkullimi shpejt, pasi ndërroi sistemi. Fituan këngëtare finoke dhe të zgjuara”.
Leka përmend edhe këngëtare të njohura të skenës si Parashqevi Simaku apo Lindita Theodhori.
“(Cilat ishin rivalet e Vaçes?) Kanë qënë ato që kishin të dashurin ose mikun më të fortë. Historikisht, dy më të rrezikshmet kanë qenë Parashqevi Simaku dhe Lindita Theodhori. Përveç Vaçes, që e shpjegova më lart, që ishte tjetër gjë, Parashqevia dhe Lindita zgjidhnin këngët që dëshironin ato, bëhej ç’donin ato”– thotë Gjergj Leka.
I pari që reagon me përçmim për këtë intervistë është kantautori Robert Aliaj Dragoti. në një shkrim të dërguar për lapsi.al, me titull “Etika e "tregimit të një të vërtete të gënjeshtërt" dhe "loja e ndershme e thashethemit”, Aliaj e konsideron të papranueshme gjuhën e përdorur nga kolegu megjithtëse nuk ka dëshirë të kalojë në replika personale.
“Arsyeja që po shkruaj është se nuk po kuptoj se cili është qëllimi i botimit të intervistave skandaloze si ajo e djeshmja, që i mungon elementi i seriozitetit dhe i argumentit, ku villet vrer  për individë të nderuar, të cilët janë duartrokitur ndër vite, ku hidhen akuza të forta denigruese për dy këngëtare të talentuara dhe kontribuese në veprimtaritë e Radio-Televizionit Shqiptar, konkretisht për këngëtaret Parashqevi Simaku, Lindita Theodhori e të tjerë, madje ato cilësohen me plotë gojën k…a. Mbas leximit të një interviste të tillë të shpifet dhe pyes veten, me denigrimin moral të artisteve të sipërpërmendura, si do ta ndjenin veten të tjerat? Po gjithë ajo gjeneratë artistesh të respektuara që brenda atij kuadri historik krijuan maksimumin e vlerave të mundshme? Si e ndjejnë veten këngëtaret e reja që ose janë marrë nëpër gojë ose që jane viktima potenciale të trilleve shpifëse e denigruese? Kujt i shërben ky lloj moraliteti voyeurist, prej kurjozi anadollak për të gjykuar jetën private të të tjerëve? Për mua nuk përbëjnë problem deklaratat …. të kujtdo qoftë. Problemi qëndron tek mediat që i ofrojnë  publikut banalitetin dhe imoralitetin si standart” – shkruan Robert Aliaj Dragoti.
Ai e thotë qartë se të tilla rrëfime “të sinqerta” për figura të ekranit nuk duhet të kalojnë pa u filtruar.
“Më provokon kjo lloj gazetarie e pështirë. Nuk dua të merrem aspak me të intervistuarin butaforik. Gazetaren as nuk e njoh dhe as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Kjo situatë më nxiti një refleksion dhe një shqetësim të vjetër për nevojën që ndjehet prej kohësh për një gazetari më me integritet në një demokraci të çoroditur nga krizat dhe korrupsioni, për nevojën e ruajtjes së kredibilitetit të medias  nga shkatërrimi që shkaktojnë theshethemet, spekullimet etj., që duket se janë bërë standarte tek ne…. E di që nuk jam i pari që po krijoj bezdi tek kjo kategori, nuk do të jem as i fundit. Çfarë synon gazetarja këtu?
A është kjo gazetarja e virgjër? Pse e ç’burrëron ajo kaq pamëshirshëm prehën e saj? Përse kjo gazetare  e ndershme, fanatike e fjalës së lirë, e orienton bisedën në mënyrë të tillë  që viktima delirante në ato që thotë nëpërmjet fyerjeve, bën një promenadë autobiografike në fije të perit dhe mua më duket sikur flet më tepër për vetveten. Cili do të mbajë përgjegjësi për ato akuza? Sepse normalisht dikush do të duhet të përgjigjet. Apo vari k…n, kush e çan bythën këtu? Cili institucion i mbështet këta artistë shpifës?” – shkruan ndër të tjera Dragoti në shkrimin e dërguar në lapsi.al.
Edhe shkrimtarja dhe poetja Flutura Açka ka reaguar online duke e konsideruar të turpshme intervistën e dhënë nga Gjergj Leka.
“Për llojin e muzikes se Gj. Lekës nuk mund të flas, se nuk jam specialiste, por di te them se nuk shquhet kushedi çfarë, në një kohë kur kemi nevojë për art të vertetë nga ky dominim i vulgaritetit. Gjithsesi, shqetësimi im ka lidhje me gjuhën e poshtër dhe këllirën me sens seksist ne gjykimin e kolegeve femra. Që një grua te jetë kurvë, nuk është ndonjë fatalitet I madh… sepse edhe mund ta justifikoj (në rrethana të caktuara duke qenë seks më i dobët, për interesa te caktura apo qoftë për kënaqësi). Fundja nuk do të japë llogari për mënyrën se si e përdor biologjinë e saj. Por një burrë-kurvë është gjëja me e neveritshme mbi dhe. Dhe te tillë burra-kurva në Shqiperi ka shumë, ka patur shumë edhe në kohën që i referohet Gj. Leka. Por ai nuk i përmend, sepse problemi është të përbalten femrat kolege” – shkruan poetja Açka duke tërhequr vëmendjen:
“Në asnjë rast te vetëm nuk kam pare që ai dhe kolege të tij Seksistë të thonë një gjysmë fjale për politikën-kurvë, për artistë-kurvarë, për horra që vodhen dhe rropën Shqipërinë. Asnjëherë! Fundja në kohën e errët kur 'mbreteronin' Zela, Simaku e të tjera, ato ishin të paktat regetima që ndryshonin nga minatorët, montateret, kipistet, tezgjahistet, e modele të tjera qe iu imponuan grarimit shqiptar. Edhe me 'kurvërimin' e tyre, ato e benin njëfarë ndryshimi. Ndërsa kurvat e vërteta që vranë e prenë, janë shpesh në ekrane dhe po aq të nderuar sa dikur ose janë varrosur me ceremonira shtetërore. Të paktën Vaçja, Parashevia, e te tjera iken dhe ikja a tyre është ndjesë e heshtur. Se paku unë kështu e kam lexuar, edhe pse nuk jam e bindur për fajësine e tyre. Dhe kjo vijane këllirë kundër femrave artiste është e përsëritur, e qëllimtë që është produkt i një shoqërie burrashe, edhe me tej: maçoiste. Deri kur?” 
Intervista e Gjergj Lekës që shkaktoi revoltën e artistëve

Ka bërë një rrëfim “pa doreza” kantautori i njohur Gjergj Leka. Në një intervistë dhënë për gazetën “Panmorama” ai ka folur për të kaluarën e tij dhe të kolegëve duke përmendur emra të njohur të skenës shqiptare. Më të prekura janë kengëtaret e njohura për të cilat Leka ka rrëfyer shumë nga prapaskenat e jetës së tyre artistike, ndoshta edhe duke e tejkaluar masën. Vaçe Zela sipas tij është një këngëtare gjigande, por që për të mbytur emocionet, i duhej të rrëkëllente alkool para se të dilte në skenë. Nuk shpëtojnë nga ai këngëtaret e famshme Parashqevi Simaku apo dhe Lindita Theodhori. Më poshtë intervista e Lekës dhënë për gazetën “Panorama”.

Nëse do t’i bënit një rezyme jetës suaj, çfarë do të nxirrnit në pah?

Që asnjë presje nuk do t’i hiqja jetës që kam bërë. Nëse do të bëja një rezyme të së kaluarës, përveçse i kam bërë keq vetes sime, si dhe familjes sime për shkak të sjelljes, askujt tjetër nuk i kam rënë më qafë. Nuk i kam bërë kurrë keq dikujt, siç ka ndodhur fatkeqësisht me shumë emra të tjerë nga arti shqiptar, që u kanë bërë keq kolegëve.

Për shembull, ndonjë emër konkret?

Lista është shumë e gjatë. Ishallah nuk po hapen shumë dosje. Kë do të vinit në krye të listës? Ka shumë artistë të mirë që kanë vuajtur në Shqipëri, shumë artistë që nuk ua kanë dhënë kurrë hakun, sepse kolegët e paaftë ua kanë marrë shpirtin. Se ishin të dashura të punonjësve të sigurimit, të drejtorit dhe shokut të drejtorit… Ishin gjithmonë treshe. Pse, çfarë kujton ti, se orgjitë kanë nisur me demokracinë? Jo, jo, kanë qenë që në kohën tonë… Është bërë e zakonshme tashmë që flitet në mënyrë të përgjithshme… Mos më provoko tani, lëre… Kanë bërë mëkatet e tyre edhe artistët, kanë folur më shumë sesa duhet, më kanë përmendur edhe mua personalisht.

Po personalisht kush ju ka përmendur?

Ti i do me emra e mbiemra? Po, sepse edhe ju jeni personazh i kësaj interviste me emër e mbiemër… Nuk i them se kanë familje, ca kanë ndërruar jetë. Ndërsa njëra shumë e rëndësishme për atë kohë, është edhe e sëmurë aty ku jeton. Është shumë sëmurë. Bëhet fjalë për një këngëtare shumë të madhe, që ka marrë madje dhe çmime nga këngët e mia…

E keni fjalën për Parashqevi Simakun, se ajo ka qenë këngëtare shumë e madhe dhe keni bërë këngë për të?

Unë nuk thashë gjë, ti e the…

A ka qenë e privilegjuar Parashqevi Simaku?

Më e privilegjuara. Sigurisht në vend të parë ka qenë e privilegjuar Vaçe Zela, më pas erdhi Parashqevia. Vaçja ka qenë “ministri më vete”. Madje Vaçja ishte mbi ministrinë. Ajo zgjidhte çfarë kënge të donte, ishte shumë e fuqishme.

Nga i vinte gjithë ajo fuqi Vaçes?

Sepse Vaçja nuk ishte thjesht një këngëtare, por ishte një këngëtare shumë e zgjuar. Vaçja, duke qenë jo e bukur, nuk e fitoi se “ia dha” dikujt. Se ishin ca të tjera që “e jepnin” dhe ishin të bukura, që të flasim troç tani. Vaçja e fitoi me zgjuarsinë e saj, duke ditur të mbante kontaktet e duhura dhe duke u bërë institucion. Bëhej çfarë deshte Vaçja, ishte shumë kapricioze në punë. Por Vaçja kishte nuhatje të lindur për këngë, ndërkohë që kishte emocione tejet të forta, para çdo daljeje në skenë. Po ju tregoj një sekret. Gjithnjë, para se të dilte në skenë, Vaçja shkonte më parë në banjë të urinonte dhe ankohej për dhimbje barku të tmerrshme, aq emocione të forta kishte. Ndaj pinte ponç, para se të dilte, disa gota rresht, dhe publiku nuk e kuptoi kurrë as që pinte, por as i kuptoi ndonjëherë emocionet e forta të saj. Vaçja është rast unik që dinte të ruante veten para publikut.

Cilat kanë qënë rivalet më të forta si këngëtare?

Kanë qënë ato që kishin të dashurin ose mikun më të fortë. Historikisht, dy më të rrezikshmet kanë qenë Parashqevi Simaku dhe Lindita Theodhori. Përveç Vaçes, që e shpjegova më lart, që ishte tjetër gjë, Parashqevia dhe Lindita zgjidhnin këngët që dëshironin ato, bëhej ç’donin ato.

Si arritën të kishin kaq liri?

A thua me aftësi?

A thua me aftësi, është edhe pyetja ime?

Kishte shumë më të mira se ato.

Po Parashqevia ka fituar disa festivale…

Po të them që kishte këngëtare shumë më të mira se Parashqevia. Erdhi nga Kavaja, por nuk do të doja të jepja detaje, se nuk ka ardhur në ndonjë mënyrë shumë të bukur. Po lante rrobat pranë një pusi dhe kam rastisur atje, ndaj e di mirë si ka ardhur. Po pinin ca atje pranë pusit dhe e sollën në Tiranë, pastaj na çoi ajo tek pusi. Na e bëri gropën sa mundi. Që ta shpjegoj më saktë dhe në mënyrë më të përgjithshme: Kemi pasur këngëtare të zgjuara, këngëtare finoke dhe këngëtare kurva. Kurvat morën fund shumë shpejt, sepse e morën vesh të gjithë se çfarë ishin dhe i lanë. E kuptoni menjëherë për kë e kam fjalën, se kurvat këngëtare, sado të famshme ishin asokohe, u zhdukën nga qarkullimi shpejt, pasi ndërroi sistemi. Fituan këngëtare finoke dhe të zgjuara. lapsi.al