• |
ide | kryesore

Arrestimi i Albin Kurtit rindez situatën në Kosovë

I pakategorizuar
12166424-10153022472562511-1993621788-n_3758.jpg


Ndalimi i Albin Kurtit nga policia e ka ndezur sërish situatën politike në Kosovë. Ish -lideri i Lëvizjes Vetëvendosje u shoqërua për disa orë mbrëmë nga policia e Prishtinës. Ai kap  në orën 21 në Çagllavicë në një makinë me të cilën po kthehej nga Shkupi, në të cilën gjendej së bashku me Glauk Konjufcën, Bojken Abazin e Veton Dragusha. Asyeja e shoqërimit me pranga në duar ishte marrja në pyetje për hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e fundit të parlamentit.

“Policia e ka pritur kthimin e Kurtit në Kosovë dhe e ka arrestuar atë mbrëmjen e kaluar. Me t’u ndalur, Kurtit i është kumtuar gojarisht se ftohet të intervistohet nga prokurori i lëndës, dhe për këtë Kurti nuk e ka kundërshtuar e as rezistuar Policisë së Kosovës”, tha zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

Albin Kurti ishte autor i hedhjes së gazit lotsjellës javën e shkuar në sallën e Kuvendit të Kosovës. Opozita kosovare po i bllokon punimet e parlamentit për disa seanca me radhë.

Në një nga seancat e shkuara deputetët e Vetëvendosjes qëlluan me vezë kryeministrin Isa Mustafa. Ata janë kundër krijimit të Asociacionit të Komunave serbe, të njohur me emrin “Zajednica” dhe kundër mënyrës së ndarjes së kufirit me Malin e Zi, pasi pretendon se shumë territore shqiptare u janë lënë malazezëve.

Ky qëndrim i Vetëvendosjes, i mbëshetur kësaj here fort edhe nga dy partitë e tjera opozitare, Aleanca për Adhmërinë e Kosovës, e Ramush Haradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt, e ka futur politikën kosovare në një tjetër spirale krize.

Kriza doli mbrëmë nga parlamenti dhe zbriti në rrugët e Prishtinës.

Shoqërimi i Albin Kurtit në polici ngriti në këmbë qindra aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje. Ata u përleshën me policinë pranë stacionit policor të Prishtinës, duke hedhur në drejtim të forcave special gurë e sende të tjera të forta. Ndërsa policia hodhi gaz lotsjellës. 14 policë dhe një aktivist u lënduan. Disa protestues u ndaluan.

Pas presionit të protestuesve, policia vendosi ta lërë të lirë ish –liderin e Vetëvendosje.  Ai u tha aktivistëve se ishte shoqëruar pa asnjë udhër –ndalimi dhe se kjo ishte pjesë e skenarit për të ndalur prostetat kundër ndarjes së vijës kufitare me Malin e Zi dhe krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Por tensioni vazhdon në Prishtinë. Vetëvendosje ka kërkuar lirimin e aktivistëve të saj dhe disa qytetarëve të tjerë që protestuan mbrëmë. Beteja do të vazhdojë në parlament. Opozita duket se ka gjetur kësaj here dy çështje tërheqëse për publikun, pasi ato kanë të bëjnë me integritetin territorial të Kosovës, një pikë mjaft e ndjeshme në vend dhe me integritetin e saj si republikë, jashtë ndikimit të Beogradit.

Albin Kurti u dha aktivistëve të Vetëvendosjes  se nuk duhet të ndalen asnjëherë, “gjithkund në Kosovë, në mënyrë që bashkë ta realizojnë republikën e Kosvoës ashtu siç e ka emrin, pra, edhe republikë, edhe të Kosovës”. “Me këtë protestë që keni realizuar ju sonte nuk ka Zajednicë dhe nuk ka demarkacion që realizohet.  Ne duhet të qëndrojmë kësisoj të vendosur edhe brenda Kuvendit të Republikës, edhe nëpër rrugët e qytetve e fshatrave të republikës , posaçërisht në kryeqytetin e republikës dhe t’i ndalim njëherë e përgjithmonë projetet e Serbisë, t’i ndalim njëherë e përgjithmonë pretendimet e fqinjve grabiqarë… Mos harroni: nuk ka fuqi sikurse populli”, i tha Kurti turmës që brohoriste emrin e tij. (video më poshtë)

Për këtë arsye protesta e mbrëmshme që la disa të plagosur dhe dëmtime në policinë e Kosovës dhe disa rrugë, duket vetëm fillimi i një beteje të re. Lapsi.al 

 

Ja çfarë tha Kurti, pas lirimit… – http://telegra.fi/1jl6RT6

Posted by Telegrafi.com on Monday, October 12, 2015