• |
ide | kryesore

“Washington Post»: ISIS ka hyrë në Ballkan

I pakategorizuar
IMG_20151109_095842.jpg


Gjithnjë e më shumë informacione të shërbimeve të inteligjencës tregojnë se «Shteti Islamik» (ISIS) mund t’ia ketë vërë syrin mundësisë së infiltrimit dhe destabilizimit të Ballkanit. Një burim i lartë nga rajoni i ka thënë «Washington Post» se inteligjenca kroate ka identifikuar një lider të mundshëm të ISIS-it, që është vendosur në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, dhe ka nisur të organizojë shumë luftëtarë islamikë, që janë larguar nga Ballkani për t’iu bashkuar «Shtetit Islamik» ose Frontit «Al-Nusra» të «Al-Qaidas» në luftën e Sirisë dhe në Irak, dhe tash janë kthyer në vendlindje. «Kemi identifikuar një lider të mundshëm të për rajonin dhe po monitorojmë luftëtarët xhihadistë që po kthehen në Ballkan, dhe ka për çka të shqetësohemi», ka deklaruar zyrtari, që ka folur vetëm në kushte anonimiteti për shkak se është çështje e ndjeshme inteligjence për t’u diskutuar hapur. Shqetësimet janë rritur edhe më shumë për shkak të krizës së refugjatëve që po përhapet gjithandej Europës, por zyrtarët e sigurisë në Ballkan shqetësohen se një celulë e fjetur e ISIS-it do të mund të kthehet në rajon e maskuar me refugjatë sirianë që kërkojnë azil. Zyrtarët kanë theksuar se një video që është shfaqur në qershor nga krahu i propagandës së ISIS-it ka treguar dhjetëra luftëtarë nga Ballkani në Siri dhe janë kërcënuar me xhihad në Ballkan. Në video kishte referencë edhe për luftën e prirë amerikane kundër Serbisë në vitet nëntëdhjetë dhe u bëhej thirrje islamikëve në Ballkan për t’iu bashkuar luftës në Siri ose të ndërmarrin aksione në vendlindje. «Vendosni bomba nën makina, eksplodoni shtëpi, helmoni ata, mbytni gjithkund», bën thirrje një luftëtarë në incizim, merret vesh prej një përkthimi të vrazhdë në gjuhën angleze. Me një popullsi të madhe myslimane dhe ekonomi të dobët që mund të jetë terren i përshtatshëm për radikalizimin e të rinjve dhe të varfërve të papunë, rajoni i Ballkanit po përjeton shqetësime se terrorizmi mund të rrënjosët në mesin e popullsisë civile lokale. «Kërcënimi është real, dhe rajoni është terren i pëlleshëm për radikalizim», ka deklaruar burimi diplomatik. Shqetësimet e rekrutimit terrorist Shqetësimet për rekrutime nga «Shteti Islamik» në Ballkan janë shtrirë përtej rajonit. CIA llogarit se qindra luftëtarë të ISIS-it në Siri kanë ardhur nga Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Shqipëria ose Kosova që nga viti 2012 dhe dhjetëra të tjerë janë kthyer në vendlindje. Kroacia deri tash nuk është shqetësuar prej radikalizmit – pothuajse nëntëdhjetë për qind e popullsisë është e krishterë, dhe vetëm dy për qind janë myslimanë –, por shqetësimet po rriten se shtrirja e terrorizmit në kufijtë e saj do të vinte prej vendeve fqinje. «Ballkani ka dëshmuar se është terren i pëlleshëm për ISIS-in dhe këta luftëtarë të regjur kur kthehen paraqesin rrezik në rritje për të përhapur radikalizëm ose për të kryer sulme në Ballkan apo diku tjetër në Evropë», ka deklaruar një zyrtar i lartë amerikan që merret drejtpërdrejt me këtë çështje dhe është përgjegjës për vlerësimin amerikan. Burimi ka folur në kushte anonimiteti, sepse nuk ishte i autorizuar të fliste për media. «Të gjitha vendet në rajon janë alarmuar dhe disa kërcënime janë neutralizuar», ka shtuar zyrtari i lartë amerikan. «Por, është një shqetësim që nuk do të na hiqet qafe shpejt». Shumë agjenci amerikane kanë alarmuar vjet për kërcënimet në Ballkan. Departamenti amerikan i Shtetit në shtatorin e vitit të kaluar njoftoi se dy luftëtarë nga Ballkani – njëri anëtar i «Shtetit Islamik» nga Kosova dhe një tjetër simpatizues i «Al-Qaidas» në Bosnjë – ishin më mesin e terroristëve që u ishin ngrirë pronat. Qendra për luftimin e terrorizmit në West Point llogarit se vjet 200 deri në 600 burra nga Ballkani i janë bashkuar që nga viti 2012 ISIS-it. Shumica prej tyre ishin nga Bosnja, Serbia dhe Kosova. Shërbimi për Kërkime i Kongresit ka sjellë një pasqyrë më të gjerë këtë pranverë, duke pretenduar se 330 luftëtarë të ISIS-it në Siri janë nga Bosnja, 100 deri 150 nga Kosova, 90 nga Shqipëria, 50 deri në 70 nga Serbia dhe disa dhjetëra nga Maqedonia. Rreth pesëdhjetë luftëtarë besohet se janë vrarë në fushëbeteja, dhe rreth 100 të tjerë janë kthyer në vendet e lindjes në Ballkan. «Të dhënat për luftëtarët e huaj nga Ballkani Perëndimor duket se zbardhin shumë bastione kryesore, me grupe individësh të lidhur me bashkësi të izoluara dhe radikale në Bosnjë ose Serbi, ose me rrjete radikale bazuar rrethuar xhamive joformale në Shqipëri», thuhet në raportin e Kongresit. Shumë vende në rajon në të kaluarën vjet kanë marrë masa për ashpërsimin e ligjeve për të ndëshkuar qytetarët që mundohen të largohen prej vendit për të luftuar në konflikte të huaja, dhe agjencitë e sigurisë në shtetet fqinje të Ballkanit kanë organizuar shumë takime së fundi për të përmirësuar ndarjen e të dhënave të inteligjencës. Kujdesi i shtuar ka rezultuar me arrestime dhe neutralizim të disa sulmeve të planifikuara, një që përfshinte një sulm potencial diku tjetër në Evropë. Në shkurt, një suedez dhe katër boshnjakë u arrestuan në Bosnjë me dyshimin se kishin planifikuar të kryenin një sulm terrorist me bombë në Skandinavi. Ky ishte një rast i qartë se Ballkani po përdorej si bazë për të kryer sulme tjetërkund. Autoritetet në Kosovë – ku 90 për qind e popullsisë është myslimane – arrestuan në korrik disa persona që dyshohej se kishin lidhje me ISIS-in, që kishin planifikuar të helmonin furnizuesin më të madh me ujë të pijshëm të Prishtinës. Uji ishte ndalur për një kohë derisa autoritetet konfirmuan se nuk kishte kurrfarë helmimi. Maqedonia rrethoi dhe arrestoi në gusht nëntë të dyshuar si simpatizues të ISIS-it që besohej se ishin përfshirë në rekrutim dhe radikalizim, ose kishin luftuar në Siri. Nga Maqedonia është rritur së fundi numri i luftëtarëve të huaj në 130, që është një shifër larg më e lartë se ajo që ishte paraqitur në raportin e Kongresit. (John SOLOMON/"Washington Post»)