• |
ide | kryesore

Analiza/ Edi Rama në mes të katër rrugëve

I pakategorizuar
IMG_20151120_120632.jpg


Të enjten në emisionin Top Story pati një episod tejet sinjifikativ gjatë pyetjeve që gazetari Balla i bëri ministrit të ri të Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai insistoi në ato që Manjani kish thënë përpara për Edi Ramën dhe ky i fundit nuk shprehu as pendesë dhe as nuk kërkoi falje që dikur e kishte trajtuar shefin e tij të ri si “sharlatan” dhe “monstër”.

Ky jo- lajm, u raportua që në mbrëmje nga faqet online dhe nga gazetat e së premtes, por ai mbeti si një titull i veçuar dhe pa thellimin e duhur.

Në fakt ai meritonte më shumë vend, sepse guximi i Manjanit për të mos u tërhequr është treguesi më i mirë për të kuptuar gjendjen me duarlidhur ku gjendet sot kryeministri.

Shumëkush e ka theksuar se vetë fakti që Meta largoi Naçon dhe i imponoi Ramës, Manjanin, ishte një tentativë e tij për ta tallur, delegjitimuar dhe përçmuar Ramën. Shumëkush ka përmendur gjithashtu se ajo qe një hakmarrje e vogël pas një mërie të gjatë me vëllain armik brenda së majtës.

Por përditë e më shumë po vërtetohet se Rama sot është peng i Metës. Ai jo vetëm dështoi ta destabilizonte kryeparlamentarin përmes kurdisjes së aferës CEZ- DIA, por ai tani po përpiqet të lëpijë atë që ka pështyrë. Meta e ka vënë me shpatulla pas muri dhe e ka futur në një kryqëzim pa rrugëdalje.

Ja sepse…

Diçka më shumë se në fundin e pranverës që shkoi, para fushatës elektorale, Rama dhe ministrat e tij të besuar thurrën një plan për destabilizimin e Metës. Varianti i tij i parë ishte hapja e aferës së CEZ. Pikërisht në këtë kohë daton edhe arrestimi i Kastriot Ismailajt dhe njëkohësisht edhe sulmet e para që krahu mediatik që mbështet LSI-në, organizoi kundër ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Ky plan, nga njëra anë synonte diskreditimin e Ilir Metës për mbështetjen që i kish dhënë një aventurieri si Ismailaj (kundrejt ryshfetit) përmes përcjelljes në shtyp të dokumentave që dispononin avokatët ndërkombëtarë të qeverisë, ndërsa nga ana tjetër kërkonte mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për linçimin e kryeparlamentarit.

Njerëzit e Ramës në diplomaci prej kohësh përgatisnin terrenin ndërkombëtar për të thënë se gjërat nuk po shkojnë ashtu sikurse duhet se këtë na e bëjnë të pamundur hajdutët e LSI-së.

Beteja filloi në dy frontet. Një nga një, në Tiranë shpërthyen bombat e agjensisë BIRN që tregonin lobimin e Ilir Metës që Kastriot Ismailaj të mblidhte paratë e CEZ. Pastaj vazhduan aludimet se “një ish kryeministër i akuzuar për korrupsion” kishte përfituar edhe para nga kjo lojë.

Paralel me këtë diskretitim publik makina e propagandës së kryeministrit përhapte edhe fjalët e akuzave ndërkombëtare për Metën. Kështu, sipas këtyre fjalëve, thuhej se ndihmëssekretarja e shtetit Nuland, që erdhi pas zgjedhjeve në Tiranë, i pat kërkuar Ramës eleminimin e partive “që sillen si shtet brenda shtetit”.

Gjithashtu u hap fjala se ambasadori amerikan Lu po bënte presion mbi Ramën për goditjen e Metës. Madje se ai kishte negociuar edhe me opozitën që ajo të mos e pengonte këtë zhvillim. Përkundrazi.
Kjo qe edhe arsyeja që, në kulmin e aferës CEZ –DIA, Ilir Meta bëri deklaratat e famshme për një pakt Basha- Rama kundër tij. Kjo qe gjithashtu arsyeja se pse ai shtroi me habi pyetjen për një opozitë që sulmonte më shumë kryeparlamentarin sesa kryeministrin.

Pikërisht, për këtë, në letrën e tij haluçinante, Spartak Braho përmendte edhe emrin e ambasadorit Lu, në goditjen e supozuar që po i bëhej Metës.
Dukej sikur kreu i LSI ishte i rrethuar. Një koalicion i madh, me nismën e Ramës, mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe pa kundërshtimin e opozitës, qe formuar kundër tij. Orët e Metës kishte gjasë të ishin të numëruara dhe në rrethe të ngushta po përflitej prangosja e tij.

Por papritmas gjithçka ndryshoi. Atëherë kur të gjithë aktorët prisnin që Rama të ekzekutonte planin që kish thurrur vetë prej muajsh, ai u tërhoq. Bëri kthesë të rrufeshme 180 gradë.

Si një usta i vjetër që, pikërisht kur ti kujton se e ke kapur, atëherë e kupton se të ka kapur ai, Meta arriti ta shantazhojë Ramën. Fiks si në rastin e Dritan Priftit (jo më kot nga arkivat e LSI-së dolën ato ditë edhe fotot e videoskandalit të tij) Meta kishte në dorë shantazhin, për atë që kërkoi ta shantazhonte.

Disa thonë se ai kishte në duar dosjet korruptive të dy ministrave. Disa të tjerë se ai kishte joshur disa deputetë të PS-së. Disa flsinin për një video- skandal. Askush nuk e di me siguri armën që mbante në duar. Por të gjithë e kuptuan se ai e detyroi kryeministrin të zbythet.

Një telefonatë me Monika Kryemadhin nga SHBA ku gjendej Rama ato ditë, pastaj një takim me Metën në zyrën e Kuvendit, sapo u kthye që andej, shënuan tërheqjen përfundimtare të kryeministrit.

Edhe njëherë ai u tregua i pafuqishëm.

I pazoti për të shpënë në fund edhe intrigat që thurrte vetë.

Dhe kjo histori nuk kaloi pa lënë gjurmë.

Ajo ka ngritur tek aleatët tanë ndërkombëtarë pikëpyetjen e madhe: a është në gjendje Rama ta luftojë kapjen e shtetit? A mund ta bëjë këtë një njeri që është i shantazhueshëm dhe plot pika të errëta?

Por, më tepër se në kancelaritë perendimore, dështimi i intrigës ndaj Metës e ka goditur Ramën në arenën e brendëshme. Pas dy vitesh dështime, ai donte ta shiste këtë goditje si një pastrim të ri. T’i justifikonte mossukseset e pjesës së parë të mandatit me pengesat dhe korrupsionin e gjysmës së pushtetit që kontrollon LSI.

Sepse në pjesën më të madhe të atyre që ka nisur, qeveria ka dështuar.

Ku është sot lufta me kazinotë e filluar me bujë? Ato vazhdojnë të lulëzojnë në mes të qyteteve.

Ku është sot rregulli në qarkullim? Askush nuk të ndalon më as se nuk ke vënë rrypin, as kur kalon kufirin me gjoba të papaguara.

Ku është sot prishja e ndërtimeve pa leje? Sot me firmën e tij Rama po jep leje skandaloze ndërtimi, që do t'i kishte zili edhe Berisha.

Ku është sot përbetimi për të mos blerë të ardhmen e fëmijëve tanë me rritjen e borxhit publik? Ai vetëm shtohet.

Ku është sot virtyti për të mos vjedhur në tatime dhe dogana? Difiçiti vetëm shumohet.

Ku është sot zotimi i Shalsit se “ne nuk do të vjedhim si këta”? Tek tenderat e Ilir Beqes, tek koncesioni i Check Up-it, tek ambulancat, Jaguarët, ndërtimi i godinës së CEZ, pallatet e Deliorgjit apo blerja e mediave?

Ngado të kthesh sytë, Rama në këto dy vite ka dështuar. Pikërisht për të mbuluar këto dhe për t'i faturuar njëkohësisht mëkatet, i duhej goditja ndaj Ilir Metës.

Por në këtë “luftë bandash” siç e quan Fatos Lubonja, kreu i LSI-së doli më i fortë. Nga i shantazhuar ai u kthye në shantazhues. Dhe e çoi hakmarrjen e tij deri në fund.

Jo vetëm duke e detyruar Ramën të tërhiqet, por duke e denigruar atë. Duke i treguar se nuk është sovran as në qeverinë e tij. Dhe duke i imponuar në tryezë Ylli Manjanin.

Edhe kështu edhe pa i kërkuar falje, Edi Rama e pranoi ministrin e ri. Sepse ai tani është i dobët, i kapur dhe i pafuqishëm. Ai është sot mes katër rrugëve dhe me asnjë kartë në dorë për të vazhduar lojën. /lapsi.al/