• |
ide | kryesore

Terrori artistik që udhëhoqi votimet në “Kënga Magjike”

Arkiva, Paparazzi
florrrrr.jpg


Triumfi i Aurela Gaçes në festivalin “Kënga Magjike” për të dytin vit rradhazi, nuk mori vëmendjen e duhur. Sherri mes Stines dhe Florit, sfumoi fitoren e baladës “Akoma jo”, edhe për një tjetër arsye, që duket se ndikoi tek atmosfera e vakët që shoqëroi post-festivalin.

Tradita e festivalit 17-vjeçar që sipas producentit Gjebrea, “kënga fituese, pra votimi i kolegëve, çdo vit ka qenë në sinkron me preferencën e publikut”, me sa duket u thye. Flori Mumajesi i cili udhëhoqi që nga fillimi garën e klikimeve në youtube, nuk mori vlerësimin maksimal nga kolegët, e po ashtu Stine që e ndoqi pas me diferencë të vogël shikimesh, as u rendit në top 3-she.

Edhe pse ka kaluar gati një javë nga finalja e “Kënga Magjike” dhe si fituese Aurela Gaçe, veç vlerësimit maksimal të këngëtarëve duhet të kish siguruar dhe klikimet e publikut, referuar youtube, fituesja e festivalit duket larg shifrave të kantautorëve në fjalë.

Nga një analizë e thjeshtë, e ditur në lidhje me formulën e votimit, po të marrim parasysh klanet e këngëtarëve të cilët japin pikë të ndikuar, e shpeshherë të diktuar, ky vit duket se rezervoi një luftë të vërtetë, nga e cila Flori Mumajesi u tërhoq.

Ashtu siç producenti i “ThreeDots” detyroi dy produktet e tij Klajdin dhe Brunon ta votonin me zero pikë, nga ana tjetër, natën finale të ‘Kënga Magjike” kolegët shfrynin nën zë nëpër korridore: “Po ça t’i bëja, më merrnin në telefon pronarë studiosh, më bënë presion, po nuk ia dhash filanit, do m’i mbyllin dyert”, apo kërcënimet për votime në favor të X këngëtari, që arrinin deri tek paralajmërimi për pushim nga puna.

Pra, nën terrorin artistik, “shpirtrat e lirë” edhe këtë herë vlerësuan dhe nxorrën fituesit, të cilët, në krahasim me garën e këngëve të tyre përballë publikut, duket se u ndeshën për të fituar nënshtrimin e kolegëve. Kapja e këngëtarëve kaq hapur, duket më shumë si një përballje e mafias muzikore, se sa e vlerave artistike të këngëtarit në skenë.