• |
ide | kryesore

Emrat që thuhet se do të zëvendësojnë drejtorat e larguar të Top Channel

Arkiva, Paparazzi
image (61).jpeg


Largimi i drejtorit të përgjithshëm Enkelejdi Joti nga puna, ka bërë të besueshëm zërat që flisnin për një rikthim të filozofisë, e cila karakterizoi krijimin e Top Channel. Me ikjen e drejtuesit kryesor, duket se i është hapur rrugë promovimit të miqve të afërt të trashëgimtarëve. Po të kujtojmë ardhjen në krye të Top Channel të ish-drejtorit, mik i ngushtë i Dritan Hoxhës, apo personazheve të tjerë që kanë mbajtur postet e larta drejtuese në Top Media, është e lehtë të kuptojmë se kush mund të jetë dora e zëvendësuesve, qoftë të nën drejtorit Skerdi Drenova, apo dhe atij të sapolarguarit. 

Dy janë emrat kryesorë që u lakuan jo vetëm në media, por edhe korridoreve të Top Channel, si kandidatët që kanë marrë përsipër ringritjen e Top Channel. I dashuri i Sarës, Ledioni dhe regjisori i Top Fest, afër me Lori Hoxhën, Ardit Roshi. Djemtë, kanë shfaqur hapur ambicien për të drejtuar televizionin, i cili po përjeton një situatë jo të mirë, referuar edhe shifrave të audiencës. Sjelljet prej drejtori të Ledionit janë vënë re dhe në organizimin e fundit kur Top Channel promovoi ambientet e reja, e po ashtu, 29-vjeçari nuk ka kursyer tonet e forta kritike kundër prodhimeve aktuale, të cilat thuhet se i ka transmetuar deri në mbledhjet e bordit. Nga ana tjetër, Ardit Roshi duket më i tërhequr. Pavarsisht mbylljes së emisionit të tij Pop Channel, 30-vjeçari siç duket ka punuar fort për t’u gjendur papritur në krah të Lori Hoxhës, duke fituar pozicionin e të preferuarit të trashëgimtares, miqësi e cila me gjasë do të shpërblehet në momentin e duhur. 

Përballë kësaj skeme, të besueshme edhe nga vetë punonjësit e Top-it, në linjë me sloganin e njohur për nder të të ndjerit, “Ëndrra vazhdon”, apo shprehjes “bëmë baba të të ngjaj”, së cilës shpesh i referohen kur duan të tregojnë se vajzat e krijuesit janë po aq të zonja sa i ati, gjendet Vjollca Hoxha. Ish-ekonomistja, e cila për shkak të detyrimeve familjare u shkëput nga profesioni, për t’u rikthyer pas ndarjes nga jeta të të shoqit, si Presidente e medias më të madhe në Shqipëri, kësaj here duket nën presionin e fëmijëve të saj, të cilët kanë nisur të marrin në dorë drejtimin e biznesit të trashëguar. Parë nga ky këndvështrim, rigjenerimi i kupolës drejtuese të Top-it me emra që qëndrojnë pranë familjes Hoxha është i mundur. Por, a do të qe efektiv zëvendësimi i drejtuesve që deri dje mbanin shtyllën e menaxhimit të financave të Top-it, me personazhe, kontributi i të cilëve nuk ka lidhje nevojat emergjente të kompanisë?