• |
ide | kryesore

5 personazhet e 2015/ A do ja dalin edhe këtë vit?

I pakategorizuar
de-biayi11(1).jpg


Sondazhe të ndryshme, forumet e rjeteve sociale, por edhe shkrimet e shtypit kanë evidentuar disa nga personazhet më të rëndësishëm dhe më me influencë gjatë vitit që sapo lamë pas. Ata kanë qenë në qendër të vëmendjes, për fitoret e tyre, si De Biasi apo Erion Veliaj, për ligjërime në emër të publikut dhe në interes të tij, si Ben Blushi, për dështime maramendëse pas luftës politike, si Francesco Bechetti, apo për rolin që kanë marrë përsipër për të ndryshuar gjërat, si ambasadori amerikan, Donald Lu. Duke rënë dakord, se pak më shumë apo pak më pak, ata kanë qenë personazhet që kanë shenjuar vitin që shkoi, redaksia e Lapsi.al ka hartuar edhe sfidat që ata i presin për 2016.

Ja cilat janë ato dhe cilat janë njëkohësisht edhe shancet e përsonazheve të vitit që shkoi për të qenë sërisht në qendër të vëmendjes.

 

Giani De Biasi

Arritjet: Ai i bëri shqiptarët të ëndërrojnë duke i kualifikuar për herë të parë në një garë të madhe ndërkombëtare futbolli. E arriti këtë duke zgjedhur një skuadër përgjithësisht të re, duke farkëtuar një mentalitet fitues, duke konsoliduar një mbrojtje të çeliktë dhe duke besuar se pa pak fat (fitorja në Portugali 1-0 dhe 3 pikët në tavolinë ndaj Serbisë 3-0, dy ndeshje që më pas i humbëm në shtëpinë tonë) një ekip i vogël nuk mund ti’a dali kurrë mbanë.

Ai do të mbahet mend se për herë të parë kombëtarja jonë nuk humbi asnjë ndeshje jashtë fushës dhe krijoi një ekip rezervash gati të barazvlefshëm në kualitete me skuadrën e parë.

Sfidat: Së pari mardhëniet e tij të këqia- që pas suksesit- me presidentin Duka dhe stafin e tij nga i cili nuk i kanë munguar sulmet. Së dyti qetësia e vazhdimit të punës dhe mëdyshjet për zgjatjen e kontratës. Të gjitha këto mund ta bëjnë më pak të sigurtë në vetvete për të arritur diçka pozitive në europianin e kësaj vere në Francë. Një dështim në të treja ndeshjet (Zvicrën, Francën dhe Rumaninë) do ta ulte ndjeshëm aureolën e tij. Sukses do të quhej qoftë edhe një pikë, aq më shumë një fitore që mund ta bënte Shqipërinë pretendente për kualifikim.

 

Donald Lu

Arritjet: Zbarkoi në Tiranë me shumë vonesë pas dy ambasadorësh që kishin dështuar të krijonin një konsensus të gjërë. Por pavarësisht skepticizmit që ngjalli në fillim, edhe për faj të paraqitjeve të para pompoze, arriti të imponohet. Denoncimi i “kriminelëve” të politikës dhe votimi i ligjit të dekriminalizimit janë po aq sa suksese të opozitës shqiptare edhe të tijat personale. Me vënien e gishtit mbi plagë, ai bëri që të përmenden me emra të fortët e parlamentit. Ka marrë përsipër atë që pritet të jetë shtylla kurrizore e mandatit të tij, realizimin e reformës në drejtësi dhe fundin e pandëshkueshmërisë përmes saj.

Sfidat: Përpjekja kryesore është neutralizimi i shumë kritikëve dhe kundërshtarëve që i’a kanë nxjerrë përballë, politikanët që nuk e duan, por tuten ti dalin hapur. Por sfida më e madhe është të shohë frytet e reformës në drejtësi. Pra të shohë “në pranga” njerëz me pushtet, ashtu sikurse ka premtuar.

Eshtë një ndërmarrje e vështirë duke ditur se sa lobim të fuqishëm ka kundër. Bëhet edhe më e vështirë në trojet shqiptare, kur dihet se administrata shumë më të fuqishme, si ato të UMNIK-ut apo EULEX-it, në Kosovë, kanë dështuar ti kapin me presh në duar hajdutët shqiptarë. Donald Lu duhet ta dijë se po ecën në një tokë të minuar, ku të akuzuarit nuk e kanë për gjë të zhdukin dhe dëshmitarët.

 

Ben Blushi

Arritjet: Ka shkruar të parën vepër letrare që telendis sistemin tonë politiko- mediatik. Por, këtë vit nuk u mjaftua vetëm me romanin “Kandidati”. Ai shkëlqeu në parlament duke u bërë një nga të vetmit deputetë që foli në emër të publikut, duke denoncuar mëkatet e të dyja palëve, të vetëve dhe të opozitës. Ikja e shqiptarëve jashtë vendit, mungesa e shpresës, shpërfillja e kastës ndaj varfërisë, dështimi i Rilindjes, ngushtimi i hapsirave demokratike brenda PS-së, u bënë temat e tij të preferuara. Një pjesë e tyre të trajtuara në formën e artikujve për Lapsi.al, zgjuan vëmendjen e madhe të lexuesve.

Sfidat: Sfida kryesore e Blushit është që librat, artikujt dhe qëndrimet politike ti shndërrojë në aksion konkret. Njëra prej tyre mund të jetë konkurimi për kreun e PS-së nëse Rama nuk e ndalon garën. Një lëvizje e mëpastajme mund të jetë nisma për një lëvizje apo parti të re, sinjalet e para të së cilës Blushi i ka dhënë përmes takimeve të tij letrare.

Por, në këtë vend ku pa qenë hajdut (I vdekur fizikisht apo shpirtërisht) e ke të vështirë të kesh sukses në zgjedhje, kjo nismë nuk është e lehtë. Gjithësesi duket sikur Blushi nuk ka rrugë tjetër vecse ta tentojë atë.

 

Erion Veliaj

Arritjet: Pavarësisht akuzave për abuzime dhe korrupsion si ministër, pavarësisht krijimit të idesë se bën shumë shou dhe pak punë, pavarësisht se një pjesë e mirë e PS nuk e donte, ai arriti të marrë një fitore spektakolare në bashkinë e madhe të Tiranës, me 44 mijë vota diferencë. Qyteti i zbukuruar prej tij këtë vit të ri ishte ndoshta më me shije se i gjithë pararardhësve të tjerë.

Sfidat: Ylli i Velisë mund të perëndojë shumë shpejt për të njëjtën arsye që u ngrit: Lidhjes së fatit të tij, pazgjidhshmërisht me Ramën. Nëse në fushatë ai premtoi se në teritorin e Tiranës së tij nuk do të ketë më leje ndërtimi për pallate të reja, 6 të parat u dhanë me firmën e kryeministrit të shoqëruar me heshtjen e turpshme të Velisë. Në këtë vazhdë, ai rrezikon ta shndërrojë postin e fuqishëm të kryebashkiakut të kryeqytetit, në një post drejtuesi komunaleje dhe vartësi të thjeshtë të kryeministrit.

Nëse për klientët e tij, Rama zhbën të gjitha premtimet e Velisë në fushatë, e ardhmja e kryebashkiakut është tepër e vështirë.

 

Francesko Bechetti

Arritjet:Becchetti ia doli të nisë një televizion Italian që trasmetonte nga Shqipëria. Pupo, Simona Ventura, Sabrina Ferili dhe të tjerë yje të shou bizit Italian zbarkuan në Tiranë. Edhe Agon Channel shqiptar arriti në kulmin e tij. “Emisioni “Ca thu” bëri denoncime të forta si ai fallcifikimit të kartave të identitetit. Becchetti arriti të rekrutojë në stafin e tij përpos, Krastës, Sajmirit të fiksit dhe Sonila Mecos edhe gazetarë nga ata më me emër në vend si Fatos Lubonja dhe Andi Bejtja. Por një miks rrethanash mes lobeve financiare, intereresave politike dhe luftës mediatike brenda llojit, sollën mbylljen arbitrare të televizionit të tij, të shoqëruar nga heshtja e turpshme e pothuajse të gjithë gazetarëve.

Sfidat: Të tregojë sikurse ka premtuar përmes avokatëve që mbrojtën edhe ish oligarkun rus Khodorovski, se nuk ka bërë pastrim parash sic e akuzuan kryeministri Rama dhe prokuroria shqiptare.

Të paguajë punën e pashpërblyer të shumë prej figurave të ekranit dhe të punonjësve të theshtë që shkon në disa qindra mijra euro. Dhe së fundi – një mission i pamundur- të rihapë Agon Channel megjithëse sot pothuajse askush nuk vë dot bast për këtë.