• |
ide | kryesore

Të gjitha detajet e koncesionit për parkingun nëntokësor të parku Rinia

I pakategorizuar
parku rinia.jpg


Në Parkun Rinia, në qendër të Tiranës, është projektuar të ndërtohet parkimi i parë nëntokësor publik. Do të jetë një koncesion 30 –vjeçar sipas vendimit të marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës më 30 dhjetor 2015. Fituese është kompania Taiwan shpk, me aksioner kryesor Besnik Sula (80 %), një prej biznesmenëve të konsideruar si një prej miqve më të ngushtë të kryeministrit Edi Rama. Dhe historia e këtij koncesioni nis që në kohën kur bashkinë e Tiranës e drejtonte Edi Rama.

Procedura e konkretizimit të kësaj kontrate koncesionare është një nga më të gjatat.

Zanafilla është një Propozim i Pakërkuar i shoqërisë Taiwan shpk në vitin 2008. Një vendim i Këshillit të Ministrave i datës 23.7.2008, (VKM Nr. 1181 më poshtë) i jep kësaj shoqërie një bonus prej 1 % si propozues. Kjo VKM përcakton që Bashkia e Tiranës do të jetë Autoriteti Kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore.

Gara është hapur më 16 shkurt 2009. “Taiwan shpk” ka qenë ofertuesi i vetëm. Por kontrata koncesionare do të finalizohet vetëm më 30 dhjetor 2015, 6 vjet më vonë.

Open Data Albania, që ka krijuar një pasaportë për Koncesionin e tipit BOT (ndërtimi, operim dhe transferim tek shteti), si pjesë e Regjistrit Koncesionar, jep edhe detaje mbi termat e kontratës. Sa do të jetë kapaciteti? Sa do të investojë Taiwan shpk? Sa do të fitojë koncesionari dhe sa do të jetë fitimi i Bashkisë së Tiranës? Cilat janë tarifat që do të aplikohen për qytetarët? Tabela e mëposhtme jep një pasqyrë të plotë të këtij koncesioni.

·         Kapaciteti i parkingut  1 342 vende.

·         Vlera e Investimit 1 973 932 800 (një miliard e nëntëqind e shtatëdhjetë e tre milion e nëntëqind e tridhjetë e dy mijë e tetëqind) lekë.

·         Koha e vënies në shfrytëzim të veprës (ndërtimi) 15 muaj.

·         Kohëzgjatja e koncesionit  35 vite.

·         Tarifë koncesionare që do të përfitohet nga Autoriteti Koncesionar Bashkia e Tiranës është 10% e fitimit.

·         Tarifa parkimi janë ora e parë 120 lek/ora; ora II-IV 50 lekë për çdo 30 minuta; Ora e IV – XII e parkimit 40 lekë për çdo 30 minuta. Biletë ditore 850 lekë, biletë nate nga ora 22 e mbrëmjes deri ora 7 e mëngjesit vlerë 500 lekë. Biletë mujore 12 000 lekë, biletë tremujore 34 000 lekë dhe biletë 6 mujore 60 000 lekë.

·         Kritere të organizimit për kategori të veçanta: sigurohen 30 vende për automjete të invalidëve pa pagesë; 140 vende për institucione publike me tarifë mujore fikse 6 000 lekë, 160 vende për rezident me tarifë mujore 10 000 lekë dhe 73 vende për biznese me tarifë mujore 12 000 lekë.

·         Nuk ka përcaktime të ofertës për Përputhshmërinë me Standarde Mjedisore.

Miratimi i kontratës koncesionare nga Këshilli Bashkiak i Tiranës u pasua me një protestë ëtë një grupi qytetarësh. Publicisti Fatos Lubonja u bëri thirrje qytetarëve për ta ndaluar ndërtimin e parkimit, të cilin ai e quajti si masakër mjedisore. “Vetë fakti që kanë marrë një vendim aq të rëndësishëm pa u konsultuar më 30 dhjetor tregon se ata e dinë vetë çfarë kanë bërë. Është si ai krimineli që e di vetë që po bën krim…Kjo është një rivrasje dramatike. Është turp i madh dhe ajo më ka sjellë dhe këtu… Kjo është si armët kimike. Njerëzit duhet ta kuptojnë”, u shpreh Lubonja.

Partia Demokratike ka deklaruar se do të mbështesë një referendum lokal kundër ndërtimit të këtij parkingu nëntokësor dhe atij në kraj të Universitetit Politeknik, në hyrje të Parkut të Liqenit. /Lapsi.al