• |
ide | kryesore

Kush është vërtet Hashim Thaçi?

Arkiva, Ide
berat-buzhala-oped-express.jpg


Në këto 16 vjet liri, Partia Demokratike e Kosovës ka qëndruar në opozitë vetëm në një mandat, vetëm për 3 vjet. Në periudhën 2004 deri në 2007. Edhe gjatë kësaj kohe ka qenë vetëm formalisht në opozitë. Përmes rrugëve të ndryshme, joformale, PDK edhe atëherë i ka kontrolluar kompanitë kryesore publike në vend.

Në këto 16 vjet liri PDK i ka ofruar vendit dy kryeministra. Fill pas luftës, qershor – dhjetor 1999, ndonëse jolegal, kryeministër faktik i Kosovës ishte Hashim Thaci, në krye të së ashtuquajturës Qeveria e Përkoheshme e Kosovës. Pastaj, prej vitit 2001 deri në vitin 2004, për kryeminisër të vendit e caktoi Bajram Rexhepin, si një kompromis të madh me LDK-në. E pastaj, krejt në fund, prapë Thacin për dy mandate.

Tash, ndoshta gjatë kësaj jave, ndoshta javën tjetër, po flitet me të madhe se Thaci do t'ia mësyejë garës për t'u bërë President i Kosovës. Sigurisht që ai do të donte të zgjedhej 'simboli i unitetit' të vendit në kohë të paqes, por ja që këto janë kushtet.

Kushdo që mendon se e ka eliminuar Thacin prej lojës gabon rëndë. Historia e tij tregon se ai 'nën presion' reagon më mirë se kundërshtarët e tij. Është negociator brilant, edhe pse intelektualisht është jokurioz.

Këtë e dëshmojnë rreth 20 vjet histori. Ai shumë herë është ngritur, e shumë të tjera ka rënë.

Pra kush është në fakt, Hashim Thaci, sipas meje?

Historia më e re e Kosovës është e lidhur ngushtë me emrin e Hashim Thacit. Kulmi politik i tij është konferenca e Rambujesë dhe shpallja e Pavarësisë. Të dyja këto procese të përmbyllura nga ai, me plot sukses. E në mesin e këtyre dy ngjarjeve ai ka katranosur shumë punë dhe shumë procese tjera.

Megjithatë, nëse e harrojmë për pak çaste procesin e Tribunalit Special, fundin e të cilit ende nuk e dimë, Thaci ka lundruar suksesshëm në politikë, duke qenë partner i besueshëm i Perëndimit, përkundër alarmeve të rreme, nga brenda vendit, se "pavarësia nuk do të vjen kurrë".

Personalitete margjinale politike, si Veton Surroi me shokë, bëjnë përpjekje të mëdha për ta parodizuar Thacin dhe rolin e tij në Rambuje, por e vërteta atje ishte shumë më serioze.

Pas kësaj konference, sido që të këtë vajtur ajo, kishin filluar bombardimet e NATO-s. Për ta thjeshtësuar krejtësisht: Kosova kishte fituar, Serbia kishte humbur. Vendi e kishte fituar lirinë, për herë të parë në histori.

Thaci, aktualisht kandidat i vetëm për President, do të mbahet mend edhe për punë tjera të mira. Si, bie fjala, sakrifica e tij, dhe shokëve, gjatë luftës së viteve të 90-ta.

Derisa në Prishtinë besonin që pavarësia do të vinte me kolumne në gazeta, ose me konferenca për shtyp të premteve, Thaci e vazhdonte rrugën e tij, së bashku edhe me shumë të tjerë, kuptohet, duke e kaluar kufirin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, me armatim në krah.

Këta djem të rinj, të gjithë nën 20 vjeç, duhet ta kenë pasur një kurajo të hekurt për të mos u dorëzuar në atë rrugë, pothuajse të vetmuar. Edhe të përqeshur.

Deri në këtë shkallë Thaci ishte me të gjitha notat pesëshe.

Gabimet e vërteta, ato më të rëndat, Thaci i ka bërë pas luftës. Fillimisht duke qenë kryeministër i një Qeverie famëkeqe, siç kishte qenë ajo e Përkohshmja, qershor – dhjetor 1999.

Duke mos qenë qeveri as legale, e as legjitime, ajo pushtetin e kishte të plotë. Ajo e kishte policinë e saj si dhe doganat e saj. Me ndihmën e tyre, kjo Qeveri i ka kontrolluar të gjitha llojet e bizneseve që kryheshin në Kosovë.

Udhëheqësit e kësaj qeverie, si Hashim Thaci (PDK), Fatmir Limaj (Nisma për Kosovën), Rexhep Selimi (Lëvizja Vetëvendosje), dhe jo vetëm këta, por këta ishin kryesorët, kontrollonin tregtinë me naftë, cigare, alkool etj. Njerëzit e tyre i kanë kontrolluar pikat doganore. Njerëzit e tyre i kanë kryer uzurpimet më të mëdha në vend – që sot po publikohen gjithandej.

Por jo vetëm kaq. Kjo Qeveri, njerëzit brenda saj, mbajnë përgjegjësinë kryesore edhe për një numër të vrasjeve të dyshimta që kishin ndodhur fill pas luftës, kryesisht të oponentëve politikë, por edhe atyre biznesorë.

Në atë kohë, brenda më pak se gjashtë muajve, në Kosovë janë vrarë në forma të ndryshme rreth 1000 qytetarë, ose 10 – 15 herë më shumë sesa një vit më parë.

Të jetoje gjatë asaj kohe në Prishtinë, por edhe në Kosovë, isht një makth i vërtetë. Nëse nuk do të kishin zbarkuar në Kosovë forcat e NATO-s, atëherë pa dyshim që pushtetin do ta kishte zyrtarizuar një formë e juntës ushtarake, e kryesuar nga komandantët e luftës.

Për ta sjellë normalitetin në vend, faktorët ndërkombëtarë, përmes joshjeve të ndryshme, përmes ndërmjetësimeve të shumta, kishin arritur ta bindin krahun e luftës se pushteti merret vetëm përmes votës.

Brenda disa muajve qytetarët ishin dëshpruar me sjelljen e atyre që njiheshin si Krahu i Luftës. Dhe atë jo vetëm me sjelljet e tyre në nivelin qendror. Qeveria e Përkohshme e kishte uzurpuar – për fatin e tyre të keq – pushtetin edhe në të gjitha komunat e Kosovës. Kishte instaluar në krye të komunave komandantët lokalë, që kujdeseshin në mënyrën me efikase të mundshme të rrënonin reputacionin e tyre, dhe të lëvizjes që ata përfaqësonin.

Në rrethana të tilla, Kosova kishte shkuar drejt zgjedhjeve lokale të vitit 2000. Të parat demokratike në historinë e vendit. PDK, e udhëhequr nga Thaci, e shurdhër dhe e verbër nga lavdia e luftës, po kalkulonte vetëm se sa e thellë do të jetë fitorja e tyre. Për humbje as që flitej.

Të nesërmen e zgjedhjeve, kur dolën rezultatët, PDK, udhëheqësit e saj, e morën faturën e plotë të bëmave të tyre për një vjet qeverisje klandestine. Rezultati i zgjedhjeve e kishte shokuar PDK-në. U dukej i pabesueshëm. Vetëm rreth 25 për qind e kishin votuar PDK-në, kurse pjesa tjetër e kishte zgjedhur LDK-në.

Për të mos e pranuar të vërtetën, shumica e udhëheqësëve të PDK-së po besonin që kishin humbur në komuna, pasi emrat e tyre nuk ishin në lista të votuesve. Po besonin që fajin për ketë humbje e kishin përfaqësuesit e tyre në nivel komunal. Sipas tyre, në zgjedhje nacionale, kur votuesi t'i sheh emrat e tyre, atëherë gjendja do të ndryshojë drastikisht. Gabuan rëndë.

Nuk kishte ndryshime të mëdha, as në zgjedhjet nacionale të vitit 2001. Prapë PDK ishte tronditur nga rezultati. Me një fjalë Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kishte nevojë të bënte asgjë, që të dukej e mirë. LDK edhe ashtu nuk bënte asgjë. Boll po bënte PDK, për t'u mundësuar atyre fitorën.

Bashkësia ndërkombëtare, që në atë kohë ishte faktor kyç për zhvillimet në vend, qoftë përmes ambasadave, përmes KFOR-it, ose edhe përmes UNMIK-ut, e dinte fare mirë se cfarë po ndodhte në Kosovë. E dintë se kush realisht po e kontrollonte Kosovën, ndonëse fituese e zgjedhjeve ishte nominalisht LDK.

Për ketë arsye pas zgjedhjeve nacionale të vitit 2001, pas humbjes së dytë radhazi, ata edhe më tutje e mbanin të izoluar Thacin. Po e ndëshkonin qëllimisht. Ndërkombëtarët po ndërmjetësonin një koalicion të gjerë, në përbërje LDK, PDK dhe AAK, duke e mbajtur personalisht Thacin në opozitë, por jo edhe Rugovën.

Kështu në emër të PDK'së e kishin caktuar për Kryeministër një mjek të panjohur deri atëherë, Bajram Rexhepin. Thaci ishte pajtuar, por gjithashtu kujdesej që vazhdimisht ta minonte atë Qeveri, e ato institucione, e bashkë me to edhe Kryeministrin Rexhepi. Sic kishte thënë edhe Kryeadministratori i Kosovës, shefi i UNMIK-ut, Bernard Kushner, "Thaci shkakonte probleme në mbrëmje, kurse në mëngjes vinte e më thoshte nëse dëshiroja që t'i zgjidhte ato". Mirëpo ishte detyruar nga të huajt ta pranonte koalicionin e gjërë, duke dërguar si ministra njerëz jorelevantë. Jashtë tij kishin qëndruar figurat kyçe të PDK-së. Po prisnin ditë më të mira, por që do të vonoheshin edhe pak.

Kishin kaluar disa vite nga fundi i luftës, mirëpo nuk kishte kaluar bashkë me të edhe inati i Thacit, ose urrejtja e tij ndaj kundërshtarëve politikë. Intervistat e tij në mediat e atëhershme ishin plot mllef – posacërisht ndaj kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova. Ky i fundit në çdo tubim politik, në çdo përvjetor të luftës, shpallej kuisling dhe tradhtar.

Për ta shtensionuar situatën, ndërkombëtarët në atë kohë, kishin vendosur që zgjedhjet në vendin tonë t'i mbanin shumë shpesh. Çdo dy vjet mbaheshin ato lokale, kurse çdo tri vjet ato nacionale. Mos të harrojmë: pas humbjes së zgjedhjeve lokale të vitit 2000, pas humbjes së zgjedhjeve nacionale të vitit 2001, PDK i kishte humbur edhe zgjedhjet lokale të vitit 2002. Gjatë gjithë kësaj kohe PDK po fitonte vetëm në rajonin e Skenderajit dhe të Drenasit.

Në fund të vitit 2004 u organizuan zgjedhjet e dyta nacionale. Pas asaj çfarë kishte ndodhur në tri palë zgjedhjet e mëhershme, askush nuk priste më befasi. Një palë zgjedhje nacionale, në vitin 2001, dhe dy të tjera lokale, 2000 dhe ato të vitit 2002 i kishte fituar LDK, bindshëm.

Njëjtë ndodhi edhe në tetorin e vitit 2004. Lidhja Demokratike e Kosovës prapë doli e para.

Derisa PDK gjatë gjithë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2004 po fliste për tema të mëdha, si pavarësia e Kosovës, Ibrahim Rugova, në anën tjetër, i patrazuar me zhvillimet për rreth tij, vazhdonte e fliste për tema periferike.

Pothuajse po i ofendonte rivalët me indiferencë. Bënte fushatë për kultivimin e racës së qenve të Sharrit, për speca turrshi, e për çka jo tjetër.

Nuk kishte kaluar as disa muaj kur vendi ishte përfshirë në flakët e trazirave të marsit të vitit 2004, por Rugova reagonte sikur të mos kishte qenë këndej pari ato ditë. Madje, për të, edhe pavarësia ishte çështje e përfunduar – ende pa u shpallur. Për Rugovën pavarësia ishte kryer në vitin 1990, në mos edhe më herët.

Sido që të jetë, përkundër të gjitha këtyre, LDK doli partia e parë në vend.

Por tash jo më me rezultatet e para tri viteve. Ndonëse për rrethanat e ditëve të sotshme prapë fitorja ishte e thellë. LDK kishte rënë në 45 për qind, prej rreth 60 për qind sa kishte qenë tri vite më herët.

Për ta bërë Qeverinë megjithatë i duhej edhe një partner, jo aq i madh. Në menynë e tij Rugova kishte PDK'në me 28 për qind, AAK'në me 8, ose partinë e sapokrijuar ORA, të Veton Surroit, me 6-7 për qind. Kjo e fundit kishte qenë partia më agresive kundër LDK'së gjatë gjithë fushatës, prandaj ishte opsion joreal për koalicion.

Thuhet se dy partitë e luftës, PDK dhe AAK, e kishin arritur një marrëveshje të fshehtë, që në koalicion me LDK'në, ose të shkonin së bashku, ose hiç fare. Kjo aleancë, si e tillë, zgjati deri kur Ramushi e mori ftesën për të qenë kryeministër. Ai kishte dëgjuar që emri i tij po përflitet për të qenë klient i radhës në Hagë. Për këtë arsye e kishte harruar marrëveshjen e fshehtë më PDK'në, duke e bërë një marrëveshje të hapur me LDK'në.

Mirëpo, PDK kurrë nuk e ka harruar këtë 'mjekër' të lëshuar nga Haradinaj.

Tash Thaçi edhe personalisht, por edhe si parti politike ishte mbajtur larg prej pushtetit. Për herë të parë po qëndronte në opozitë. Përballja me Haradinajn si Kryeministër, për PDK'në, ishte shumë më problematike, se sa bie fjala me LDK'në.

Bie fjala, disa javë pasi ishte zgjedhur Kryeministër, në një stadium të mbushur plot, Haradinaj i shau 

me nënë të gjitha ata që po e fishkëllenin.

"Komandantat e Bllacës….", tha Haradinaj.

Por gjërat ndryshuan shpejt. Haradinaj u shtrëngua të jepte dorëheqje, sepse tash edhe zyrtarisht ishte i akuzuar nga Prokuroria e Hagës. Insistimi se pozita e Kryeministrit ndoshta do t'i ndihmonte që të mos paditej nga Tribunali doli të ishte vetëm një dëshirë e tij.

Pas shkuarjes së Ramushit në Hagë, koalicioni LDK – AAK e kishte marrë teposhtën. Fillimisht, si pasues i tij, ishte caktuar Bajram Kosumi, e pastaj Agim Çeku. As njëri e as tjetri nuk ishin autoritete të duhura për t'i mbajtur nën kontroll njerëzit e Ramushit të shpërndarë nëpër ministri të ndryshme. As ministrat nuk i përfillnin. Rugova në anën tjetër jetonte në ishullin e tij, pa e vrarë mendjen për punët e shtetit.

I vetmi sukses i arritur në këtë kohë ishte një raporti i përfaqësuesit të OKB'së për Kosovën, Kai Eide. Pas trazirave të vitit 2004 në Kosovë, OKB e kishte dërguar z. Eide për të analizuar gjendjen në vendin tonë. Norvegjezi kishte konstatuar se sa më shpejt duhet të adresohet çështja e statusit final, sepse nuk do të mund të vazhdohet edhe gjatë në këtë formë.

Kjo ishte në rrafshin e marrëdhënieve tona me Perëndimin. Në rrafshin e qeverisjes gjendja ishte aq e keqe, sa ishte komike.

Askush nuk e pyeste askënd. Kosova në atë kohë kishte kryeministra, aq sa kishte ministra. Ministrat e LDK'së nuk e pyesnin kryeministrin e AAK'së, kurse as ministrat e AAK'së nuk e pyesnin e as nuk i përgjigjeshin kryeministrit të AAK'së.

PDK, duke qenë partia më e madhe opozitare në vend, e Thaçi duke qenë lideri ende i pa provuar me pushtet de jure, filluan ta fitojnë simpatinë e qytetarëve neutral.

Për ta përforcuar edhe pak ma shumë pozicionin e tij, Thaçi, gjatë asaj kohe e kishte formuar Kabinetin e Qeverisjes në Hije, ose Qeverisjes së Mirë, që kishte qenë një imitim i bukur i lojërave politike në Britani të Madhe.

Bashkëpunimi i tij me media kishte filluar të rritej. Kryetari i PDK'së kishte hequr dorë prej jetës gjysëmilegale. Po njoftohej me qytetin, ndoshta për herë të parë.

Kryeministrat si Bajram Kosumi dhe Agim Çeku para Thaçit dukeshin shumë të pafuqishëm. Qytetarët po e kërkonin një kryeministër të vërtetë, të paprovuar më parë, qoftë ai edhe pak arbitrar.

Këtë e nuhaten Thaçi dhe ekipi i tij. Pa humbur kohë filluan ta godasin fuqishëm qeverisjen LDK – AAK. Me shumë të drejtë. Thaçi po akuzonte koalicionin LDK – AAK se po qeveriseshin nga 'parapolitika'. Nënteksti i kësaj akuze ishte se Haradinaj ishte kryeministri i vërtetë, por ai po qeveriste pa qenë kryeministër. Gjithashtu kjo ishte koha kur mediat filluan të raportonin gjerësisht për krimet e kryera në shtëpinë e Presidentit Ibrahim Rugova. Dolën në publik dosje e sponsorizuara nga PDK për të ashtuquajturin Sigurimi i Atdheut, organizatë ilegale e LDK'së, e udhëhequr nga Këshilltari Special i Rugovës, Ramë Maraj.

Kosova prej vitit 2004 deri në vitin 2007 ishte njoftuar për herë të parë për lojën pozitë – opozitë.

Thaçi e kishte shfrytëzuar këtë ambient të përshtatshëm për t'i përfunduar edhe disa reforma personale. Përmirësimi i imazhit të tij, si bie fjala look'i i ri, ose frizura e re, shoqërimi me figura jashtë orbitës së ngushtë të PDK'së, maturimi në intervista , posaçërisht gjuha e kujdesshme ndaj serbëve, pjesëmarrja e tij në trupa nacionale, kur ishte fjala për statusin final të Kosovës, siç ishte Ekipi i Unitetit etj.

Pas pesë gjashtë vitesh plot rrëmujë, Thaçit, më në fund, kishte filluar t'i buzëqesh fati gjithandej. Opinioni përveç me qeverisjen skandaloze LDK – AAK, u trondit edhe nga lajmi për sëmundjen e Rugovës nga kanceri.

Vlera e aksioneve të Thaçit në bursën politike të Kosovës shënuan pikën më të lartë. Çdo gjë fliste në favorin e tij. Të joshur nga kjo perspektivë, të joshur nga ideja që PDK do ta fitonte pushtetin, ofertat e Thaçit për t'iu bashkuar PDK'së tashmë nuk hasnin në vesh të shurdhër. Figura të shquara nga shoqëria civile, si Astrit Salihu, Dukagjin Gorani, Tomë Gashi etj., u rreshtuan pa mëdyshje krah liderit më premtues në vend. U rreshtuan edhe njerëzit e biznesit. Edhe minoritetet. Edhe mediat. Me fituesin janë të gjithë.

Tashmë Thaçi nuk dukej më as shumë fshatar. Qyteti dhe qytetarët filluan të flasin për shtatin e tij të hedhur, për ecjen e tij të bukur, për stilin e tij të ri. "Kryeministri duhet me kanë edhe pak i bukur", i dëgjojë secilën herë e më shumë këto klithje. Mediat dhe analistët e pavarur – duke përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave – filluan ta përgatisin terrenin për fitoren e PDK'së dhe Hashim Thaçit.

Në janar të vitit 2006, ndodhi ajo që të gjithë e prisnin: vdiq Presidenti Rugova. Profecia po realizohej. Tashmë Thaçi në mënyrë të pakontestueshme ishte figura e dytë më e rëndësishme politike në vend. Krejt çfarë kishte mbetur ishte edhe certifikimi me vota i kësaj ngjarjeje. Për t'ia bërë fitoren më të lehtë kundërshtarit të tyre historik, LDK vendosi të vetëshkatërrohej edhe pak më shumë. Pesha që Rugova ua kishte lënë mbi supe, ishte tepër e rëndë për udhëheqësit e LDK'së. Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci vendosën që të ndanin LDK'në në dysh.

Kështu Hashim Thaçi e kishte komoditetin që të përkulej para varrit të rivalit kryesor të tij politik, Ibrahim Rugova. Nuk e di a e kishte edhe dëshirën. Vështirë të thuhet. Mirëpo, duhet që të jemi korrekt dhe të flasim pa emocione të ngritura: kjo ishte garë historike, e edhe vdekja është pjesë e saj. Dikush humb e dikush fiton. Këtë herë Thaçi po fitonte, fal rreshtimi të të gjithë yjeve në anën e tij.

Dhe kjo nuk ishte e gjitha. Thaçit, në gjuhën e pokerit, në tavolinë iu hapen dhjetë, xhandar dhe çikë. Në dorë e kishte mbretin edhe pikën. Të gjitha këto diamant.

Në anën tjetër, përpara vdekjes së Rugovës, ishte kthyer nga Haga edhe Fatmir Limaj. Pas disa dyshimeve fillestare, Limaj u rreshtua prapa Thaçit. Ekipi ishte komplet. Ekipi kundërshtar në katrahurë të plotë. Kjo ishte mundësia jetësore për Thacin. Nëse do ta humbiste edhe këtë dorë atëherë pozita e tij në parti do të lëkundej përfundimisht. Askush nuk do të kishte durim të priste pafundësisht në opozitë. Shto këto faktin që shumë shpejt do të adresohej edhe çështja e pavarësisë së vendit. Ishin rrethana të arta.

Për ta përforcuar edhe më shumë bastin e tij, Thaçi angazhoi, më në fund, këshilltarë të jashtëm. Ata po kryenin sondazhe. Po e informonin për pozitën e tij elektorale. Kjo po ndodhte për herë të parë në Kosovë.

Ai tashmë ishte bërë gati për zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit 2007.