• |
ide | kryesore

Qetësohuni shqiptarë, koncerti i Bon Jovit është një mashtrim

Arkiva, Paparazzi
bon joviiii.jpg


Prej dy ditësh mediat online po çorodisin shqiptarët me një lajm, ku shkruajnë se banda e njohur e muzikës rock, Bon Jovi, do të jetë për një koncert muajin e ardhshëm në Tiranë. Nisur nga nostalgjia, fansat e grupit të famshëm të viteve ’90-të, shpërndanë posterin qesharak dhe nisën të interesohen lartë e poshtë  për biletat e koncertit.

Sipas lajmit aspak të besueshëm që i referohet një postimi dukshëm të sajuar, të cilin e gjetën në një faqe pa kuptim në facebook, me emrin “G.A Tirana Events”, mediat online ranë pre e mashtrimit.

Lapsi.al u interesua për të mësuar detaje rreth koncertit i cili sipas shkrimeve do të mbahej një ditë përpara shembjes së stadiumit “Qemal Stafa”, më 14 mars. Por, burime të sigurta nga bashkia, stadiumi e deri tek sponsorët e përmendur në raportime, mohuan të jenë përfshirë në një organizim të tillë. Për më tepër, kjo datë as nuk figuron në listën e koncerteve zyrtarë të Bon Jovi. Pra, me një kërkim të thjeshtë e me pak telefonata me qëllim konfirmimin e burimit, mediat shqitptare do t’i kishin kursyer vetes mungesën e profesionalizmit, ndërsa fansave të këtij grupi, eksitimin/ dezinformimin.