• |
ide | kryesore

Intervista/ Ministri i Jashtëm i Kosovës: Serbia po na bllokon, shkel marrëveshjen e vitit 2013

I pakategorizuar
30_03_2016_8516044_Foto_300316.jpg



Faqja online e universitetit prestigjioz anglez “The London School of Economics” (LSE) ka botuar sot një intervistë me Ministrin e Punëve të Jashtme në detyrë të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi. Selimi ka shtjelluar çështjet e njohjes dhe përfaqësimit të Kosovës, problemet aktuale të tilla si përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës nga opozita, korrupsioni i nivelit të lartë, si dhe debutimin e Kosovës në Lojërat e sivjetme Olimpike që do të mbahen në Rio de Janeiro të Brazilit. Gjatë vitit të kaluar, listës së shteteve që njohën Kosovën si shtet të pavarur i janë shtuar edhe disa vende. Por, kohëve të fundit, Qeveria e Kosovës ka qenë shumë aktive në frontet e tjera siç janë kultura dhe sporti. A mendoni që njohja jo-formale është duke u bërë më e rëndësishme se procesi formal?

Mendoj që në përgjithësi Kosova është duke diversifikuar portofolin e saj të ndërveprimit me botën. Jemi duke u zhvendosur nga domosdoshmëria që Kosova të njihet vetëm në mënyrë bilaterale nga sa më shumë vende të botës drejt të siguruarit që Kosova të ketë një vend të merituar në të gjitha platformat e shtet-ndërtimit dhe përfaqësimit nacional, të cilat natyrisht se shkojnë përtej proceseve bilaterale të njohjes.



Ju personalisht keni qenë shumë aktiv në fushën e promovimit të sportit nëpërmjet rrjeteve sociale. Pse mendoni që sporti është kaq i rëndësishëm në këtë kontekst?

Për shkak se mendoj se pamja e Majlinda Kelmendit, një kampione botërore në xhudo e cila ka arritur numrin më të madh të pikëve në të gjitha kategoritë, duke marshuar në Rio de Janeiro me flamurin e Kosovës, për herë të parë në histori, është kulmi i përfaqësimit të shtetit dhe është po aq i rëndësishëm sa edhe format e tjera të njohjes. Lojërat Olimpike ishin një hap i rëndësishëm, si dhe UEFA dhe FIFA do të jenë po aq të rëndësishme sepse duhet të mendojmë për gjërat që kanë rëndësi për qytetarët. Anëtarësimi në disa nga organizatat që janë më teknike ishte shumë i rëndësishëm për proceset ekonomike, për edhe për arsye diplomatike, por platformat e kulturës popullore apo sportit ndonjëherë janë më të rëndësishme për ndjenjën e krenarisë popullore për shtet-ndërtimin.



Përveç bashkimit të popujve, sporti mund të krijojë edhe ndarje, e një gjë e tillë është parë në mënyrë të përsëritur në Ballkan. Si do të siguroheni që incidente të tilla do të shmangen? A keni ndonjë projekt në të cilin jeni duke punuar me komunitetin serb për t`u siguruar që ngjarjet sportive të shërbejnë si një faktor i unitetit dhe jo i ndarjes?



Mendoj se në aspektin e brendshëm kjo do të ishte një mundësi shumë e mirë për shkak se ka shumë të rinj në Ballkan që janë shumë të mirë në sporte. Unë u gëzova shumë kur pashë se një tenisere kosovare nga komuniteti serb i është bashkuar ekipit kosovar për Davis Cup, derisa u bë objekt i kritikave nga shtypi serb të cilët pretendonin se ajo po tradhtonte kombin e saj duke iu bashkuar ekipit të Kosovës. Fatkeqësisht, në këtë rast, sportistja u detyrua të tërhiqej  dhe nuk do të garojë për Kosovën. Por prapë mendoj se sporti në Kosovë mund të jetë gjenerator i madh i bashkëpunimit dhe pajtimit. Unë mund të paramendoj që ekipi olimpik kosovar një ditë po ashtu do të mund të përfshijë sportistë serbë dhe turq dhe në këtë mënyrë të shërbejë si një pikë qendrore për tejkalimin e ndarjeve etnike.



Kur bëhet fjalë për garat sportive mes shteteve, duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të sigurohemi që të gjitha ndeshjet të zhvillohen në një atmosferë të civilizuar. Fatmirësisht, në hendboll kemi pasur përvoja të suksesshme të pritjes së ekipeve serbe dhe udhëtimit për në Serbi, duke ia arritur të mbajmë situatën të qetë. Natyrisht se disa sporte janë thjesht më të nxehta në krahasim me të tjerat.



Kohëve të fundit opozita politike në Kosovë është përfshirë në protesta të pazakonta siç është hedhja e gazit lotsjellës dhe vezëve në parlament, dhe është e qartë se ekziston një nivel i pakënaqësisë në mesin e popullatës së gjerë. Si i vlerësoni këto shqetësime dhe si planifikoni të rifitoni besimin e këtyre qytetarëve?



Unë mendoj se këtu ekzistojnë dy elemente: ekziston çështja "evropiane", e cila është shumë e dukshme në Ballkan. Qytetarët tundohen nga zëri protestues. Kjo mund të shihet në të gjithë botën, duke filluar nga lëvizjet e ekstremit të djathtë në Evropë e deri te fenomeni politik i Dondal Trump dhe Bernie Sanders në Shtetet e Bashkuara: shumë njerëz janë lodhur nga mënyra e zakonshme e bërjes së politikës. Kosova nuk përbën dallim nga këto shtete, ku të rinjtë ndjehen se nuk janë të përfaqësuar në rrjedhën e politikave aktuale.



Por, në Kosovë ekziston edhe një faktor tjetër që ndërlidhet me disa probleme specifike që janë të qenësishme për vendin. Nuk do thosha se pakënaqësia është më e lartë në Kosovë në krahasim me vendet e tjera në Ballkan: për të përmendur dy shembuj, së fundmi kishte pakënaqësi të shprehur në forma të dhunshme edhe në Slloveni e Athinë. Ajo çka e dallon Kosovën në këtë drejtim është përfshirja e deputetëve në këto incidente. Ky u bë një tipar specifik i politikës kosovare dhe duhet të sigurohemi që si e tillë të mos i komprometojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Nga ana tjetër, Qeveria duhet të jet më komunikuese dhe duhet të adresojmë sfidat ekzistuese në mënyrë më efikase.



Këto sfida janë, pikë së pari, të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe të sigurojmë sundimin e së drejtës; së dyti të kemi një qasje koherente dhe gjithëpërfshirëse të brendshme në drejtim të të gjitha komuniteteve. Në fund janë sfidat në rrafshin ndërkombëtar, një pjesë e të cilave ndërlidhet me pengesat të cilat i vendos Serbia ndaj nesh në arenën ndërkombëtare. Në vitin 2013 ne kemi nënshkruar një marrëveshje dhe fryma e kësaj marrëveshje vazhdon të shkelet nga fqinjët tanë veriorë, të cilët po mundohen të bllokojnë Kosovën kudo që munden. Në parim, marrëveshja ka paraparë që ende nuk do të ketë njohje, por vendet janë zotuar të mos e pengojnë progresin e njëra-tjetrës. Kjo nuk është duke ndodhur.



Shumë kosovarë kanë migruar jashtë vendit kohëve të fundit, por shumë prej tyre janë detyruar të kthehen dhe tani po kanë vështirësi të riambientohet në mënyrë vetanake. Si do të i ndihmojë qeveria juaj të kthyerit?



Pjesa më e madhe e këtyre 60,000 migrantëve të cilët lëshuan Kosovën më 2015 u larguan gjatë tre muajve të parë të vitit që shkoi. Nga ky grup, rreth 20,000 janë kthyer. Për shkak të rregullave të Schengen-it, të cilat i kemi nënshkruar, ne duhet të vendosim një sërë mjetesh në dispozicion. Kohëve të fundit, për të kthyerit kemi lansuar mikro-grante në fushën e bujqësisë. Është më se e qartë se ata të cilët shpenzuan kursimet e tyre të fundit për të financuar udhëtimit e tyre për në BE tani janë në gjendje më të vështirë se para se të largoheshin.



Megjithatë, gjithashtu mendoj se shoqëria jonë është shumë e qëndrueshme. Mbështetja sociale jo-formale është një karakteristikë e rëndësishme në Kosovë, si dhe mbështetja familjare që ndërlidhet me diasporën (por po ashtu edhe në aspektin e brendshëm) është shumë e fuqishme. Për shkak të këtyre faktorëve njerëzit janë shumë ndërmarrës dhe mund t'ia dalin, por natyrisht se kjo nuk vlen për të gjithë. Përveç granteve bujqësore, ata gjithashtu përfitojnë një fond të vogël për të rifilluar jetët e tyre pasi të kthehen. Kosova, për fat të keq, nuk është një vend i pasur, por besoj se këta njerëz do të shërbejnë si shembull që të tjerët të mos e provojnë të njëjtën.



Më herët keni përmendur se ekzistojnë disa "molla të këqija" në Kosovë dhe gjithandej në Ballkan të cilat janë të përfshira në korrupsion. Duke u përballur me këtë problem serioz, përfshirë edhe rastet të cilat përfshijnë personalitetet e profilit të lartë, siç është rasti i marrëveshjes për autostradën apo Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), a jeni ende të të njëjtit mendim?



Mendoj se gjatë kësaj qeverisjeje ka pasur një numër rekord të ulët të skandaleve që përfshijnë Qeverinë e Kosovës. Nuk do t'i përsërisja artikujt me përmbajtje substanciale të shkruar nga gazetarët. Ekzistojnë molla të këqija dhe disa raste të korrupsionit, por mendoj se ka pasur një rënie në korrupsionin e nivelit të lartë gjatë muajve të fundit dhe besoj se ka dëshmi empirike të cilat e mbështesin këtë.



Rasti i AUK-ut daton që nga viti 2008. Çështja e autostradës asnjëherë nuk i është nënshtruar ndonjë shqyrtimi ligjor nga EULEX-i apo nga çfarëdo gjykate, dhe mendoj se këto para janë shpenzuar ashtu si duhet. Kjo “Rrugë e Kombit” ndërlidh tregjet e rajonit. Ajo do të ketë edhe një linjë tjetër – që u diskutua së fundmi në samitin e Parisit – që do të lidhë Nishin me Prishtinën. Serbët dhe maqedonasit do të lidhen me shqiptarët dhe malazezët përmes Kosovës, më saktë përmes kësaj autostrade.



A mendoni se sistemi ligjor ka probleme për sa i përket kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, duke marrë parasysh se rastet e para tetë viteve janë zgjidhur vetëm tani?



Natyrisht, nëse shkoni në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës dhe i shqyrtoni rastet, do të shihni se problemi më i madh i Evropës Juglindore është kohëzgjatja e rasteve gjyqësore. Kosova nuk është imune ndaj kësaj dukurie. Nuk është gjë e mirë, por Kosova nuk është një vrimë e zezë unike në Ballkan sa i përket kësaj çështjeje.



Ajo çka mund të them është se, në krahasim me fqinjët, Kosova ka nivelin më të ulët të korrupsionit dhe mendoj se kjo mund të dëshmohet. Nëse i shikoni të ardhurat për kokë banori, buxhetin, madhësinë e ekonomisë, si dhe madhësinë e oligarkëve e më pas e bëni një studim të duhur, do e vëreni këtë. Shumë njerëz vuajnë nga përtacia intelektuale – ata thonë se 'ah, Kosova është e korruptuar' – por kur të shkojnë tek fqinjët tanë, dhe të vlerësojnë rajonin, në mesin e anëtarëve më të rinj të BE-së, ata do të gjejnë raste shumë më të rëndësishme të cilët përfshijnë shuma shumë më të mëdha të korrupsionit të dyshuar.



Buxheti ynë është i vogël. Shumë nga paratë shkojnë në paga dhe pensione, prandaj burimet të cilat mund të keqpërdoren nga "mollët e këqija" në krahasim me vendet e tjera në Ballkan janë shumë më të vogla. Nuk po mundohem të jap një përshkrim vetëm pozitiv të kësaj çështjeje. Mendoj se kushdo që vjedh duhet të shkojë në burg dhe kushdo që keqpërdor parat publike duhet të shkojë në burg. Por, nuk e pranoj asnjë përshkrim që mundohet të përcaktojë Kosovën si një rast i veçantë  në Ballkan, kur në fakt kjo është e kundërta e së vërtetës.