• |
ide | kryesore

Top Channel kërkon ndihmë, mbledh mediat në një konferencë për shtyp

Arkiva, Paparazzi
top awards 2.jpg


Mbi 20 gazetarë ishin sot në “Sheraton” për t’u njohur me eventin më të ri që stafi i Top Channel, po përgatit për të zëvendësuar ish-festivalin e muzikës moderne shqiptare, “Top Fest”. Si kurrë më parë një media, për më tepër televizioni më i madhi në vend, u duk në hall me “shpikjen” e një konference për shtyp, me tentativën për t’u promovuar tek mediat rivale. Sidoqoftë, kriza financiare që flitet se ka mbërthyer “Top Channel”, me gjasë ishte shkaku kryesor i organizimit të këtij prezantimi pompoz. Sapo mbaroi konferenca me gazetarët, stafi i “Top Awards”, në të njëjtën sallë u mblodh me përfaqësues të biznesit, me qëllim sponsorizimin e sipërmarrjes gjigande.    

Ndonëse kishin njoftuar gjithë kolegët, për shkaqe të ditura, televizionet nuk iu përgjigjën pozitivisht ftesës për “bashkëpunim”. Portalet dhe shtypi i shkruar u pa më i interesuar për takimin, ku u shfaqën personazhet me të cilët ata mbushin përditë faqet e tyre rozë.

“I ngjashëm, në mos më mirë se MTV Music Awards, do të jetë shfaqja e Top Awards” – goditi Lori Hoxha, duke krahasuar eventin më të rëndësishëm dedikuar biznesit muzikor në botë, me shfaqjen shqiptare që do të kulmojë më 24 qershor në Tiranë. 

Por çfarë është “Top Awards”?

Në fakt, duke qenë se na ndajnë më shumë se dy muaj nga fundi i qershorit, informacionet konkrete për atë se çfarë do të ndodhë në skenën e Pallatit të Kongreseve, ishin të pakta ose të dëgjuara në kronikat promovuese të Top Channel. Në terma të përgjithshëm, Ledion Liço, autor i formatit dhe prezantues, theksoi formulën e vlerësimit të këngëtarëve që do të shpërblehen në 12 kategori:

“Female Artist of the Year” – ”Artistja Femër e Vitit”

“Male Artist of the Year” – “Artisti Mashkull i Vitit”

“Group of the Year” – “Grupi i Vitit”

“Viewer’s Choice” – “Zgjedhja e Shikuesve”

“Video of the Year” – “Videoja e Vitit”

“Avantgarde Artist” – Artisti “ndryshe”

“Song of the Year” – “Kënga e Vitit”

“TAR hit of the Year” – “Hiti i Vitit në TAR”

“Album of the Year” – “Albumi i Vitit”

“Achievement Award” – “Çmimi për Arritjen”

“Artist to Watch” – “Artisti që duhet të Ndiqni”

Janë këto çmimet që do nderojnë artistët shqiptarë, mes të cilëve do të përzgjidhen ata që kanë qenë aktiv me publikime, gjatë 10 muajve të fundit. Pa specifikuar përbërjen e jurisë, Ledioni tha se “vlerësimi i prodhimeve muzikore do të bëhet nga Bordet Artistik të kanaleve si Top Channel, My Music, My Music Radio dhe Top Albania Radio. Bashkëngjitur, do t’i shtohen votimet e publikut, javë pas jave.”

Nga ana tjetër, në total këngëtarët që do të performojnë në natën e “Top Awards” pavarësisht vlerësimit me çmim ose jo, janë 24. Përtej performancave në skenën e këtij festivali, në konferencë u nënvizua se Tapeti i Kuq është një moment i menduar mirë, për t’i dhënë rëndësinë e duhur eventit dhe të ftuarve.

Në thelb, kjo ishte çka u tha në sallë nga paneli; Producente Lori Hoxha, Autor Ledion Liço, Drejtor Artistik Alban Male dhe Regjisor Ergys Lubonja, transmetuar ‘live’ në Top News. Në përgjigje të pak pyetjeve, stafi i “Top Awards” shpjegoi në vija të trasha atë që e quajtën, “sukses absolut”.

Megjithatë, interesi i kolegëve gazetarë që ishin thirrur për ndihmë, duket se tentoi të shkojë përtej kombinimit të veshjeve të protagonistëve, të cilët tek e fundit çdoherë përbëjnë lajm kurdo dhe kudo, pa patur nevojën e ndonjë konference për shtyp. 

Rasti i kryeredaktorit të revistës “Who”, i cili kërkoi shpjegime se pse Genta Ismajli nuk ishte përfshirë në klasifikimet paraprake të Top Awards, mori një përgjigje jo profesionale. Dhe kjo, ndoshta sepse Ledioni ndërhyri në kompetencat e Drejtorit Artistik. “Çështje shijesh”, përmblodhi më në fund prezantuesi, i cili u pa në tension, si për t’i shpëtuar ndonjë tjetër pyetje pikante që do ta vinte në siklet.  

Zhvillimet e fundit në Top Channel; largimet e punonjësve, gjyqi i bashkëpronarëve, e të tjera çështje të nxehta, duket se qenë shkaku që i fejuari i Sarës, të diktojë gazetarët: “Ndonjë pyetje që ka lidhje me eventin, se doemos ka pyetje…”, i vuri pikë konferencës me humor Ledioni, duke mos lënë hapsira për të dalë jashtë “skaletës”. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

Në këtë kuptim, gazetarët u shfrytëzuan si dekor në funksion të fushatës së marketingut të “Top Awards”, një eksperiment personal i Lori Hoxhës dhe Ledion Liços, pjesë e të cilit u bënë sot dhe mbi 20 kolegë të të gjitha mediave.