• |
ide | kryesore

Xhorxh Kluni: Jam penduar që mblodha para të errëta për Klinton

Arkiva, Planet
clooney_hillary.jpg



“Paratë që kam mbledhur unë vetë për Hilari Klintonin kanë burime të errëta. Ka të drejtë Berni Sendërsi”. Krejt papritur flet Xhorxh Kluni, në anën e të penduarit. Darkat e mbledhjes së fondeve që ai vetë i ka drejtuar kanë shkaktuar manifestime proteste. Dhe Sendërsi vlerëson kurajën e aktorit. “Bravo, e respektoj ndershmërinë e tij. Eshtë një tragjedi, e gjithë kjo para që blen zgjedhjet”. (Dy miliardë është vlerësimi i “kostos” së kësaj fushate elektorale, dhe në nëntor ky rekord mund të thyhet).

Shkëmbimi ka ndodhur pak orë përpara zgjedhjeve primare të demokratëve në Nju Jork, atje ku Klintoni është në avantazh sipas sondazheve. Por, “krimi” ka ndodhur në Kaliforni. Xhorxh dhe e shoqja, Amal kanë qenë mikpritës të aktiviteteve të zhvilluara në San Francisko dhe Los Angeles. Në San Francisko, të pasurit demokratë kishin dy opsione: një mbledhje në Hotel Fairmont me çmimin 33 mijë dollarë, një darkë edhe më ekskluzive në shtëpinë e biznesmenit Shervin Pishevar, me hyrjen 350 mijë dollarë. Të ardhurat do të shkonin për fushatën e Hilari Klintonit. Këto shifra shkaktojnë habi deri edhe në Silikon Vallej, atje ku gëlojnë të rinjtë milionerë të teknologjisë. Qindra të rinj janë mbledhur për protestë, dhe për të denoncuar pabarazitë sociale në rritje, që kanë prekur edhe vetë San Franciskon. Në fund Kluni u ka dhënë të drejtë atyre. Në televizionin “Nbc” yli i kinemasë ka thënë: “Po, i kuptoj manifestuesit. Ato sasi parash janë të errëta. Sendërs ka marrë pozicionin e duhur”. Paratë e miliarderëve, të shumëkombësheve dhe lobeve është një mollë sherri mes kandidatëve demokratë. Sendërsi është rikthyer fort në duelin e fundit televiziv me Hilari Klintonin: “Po shkojmë drejt një regjimi oligarkik”. Senatori socialist ka sulmuar ish Sekretaren e Shtetit, duke i kërkuar mes të tjerave që të bëjë publike fjalimet që ka mbajtur me pagesë (675 mijë dollarë) tek Goldman Sachs. Duke konfirmuar dyshimet e atyre që e konsiderojnë jo shumë transparente, Hilari ka “trukuar” xhirimet, me qëllim që t’i bëjë pothuaj të padëgjueshme fjalët e saj. E vështirë të verifikohet nëse ajo është shfaqur shumë miqësore ndaj menaxherëve të lartë të Bursës së SHBA në ata takime private. Në realitet, për zgjedhjet primare të Nju Jorkut, Berni e mund Hilarinë kur flitet për mbledhje fondesh: por ai ka pothuaj vetëm donatorë të vegjël, qytetarë të thjeshtë, ndërsa asaj i vijnë çeqet me shumë zero.

Fushata e Sendërsit ka patur një vijim në sheshet e Uashingtonit dhe Nju Jorkut gjatë fundjavës. Nga organizata e majtë MoveOn, deri tek Occuppy Wall Street, kanë protestuar kundër Citizen United, vendimi famëkeq i Gjykatës së Lartë që, nga viti 2010, i ka bërë edhe më të pakufizuar dhe të pakontrolluar donacionet në fushatë elektorale, mbi të gjitha nëse për të mbështetur një kandidat përdorin skemën e Political Action Committee (Pac), që formalisht është i pavarur. Tema ngjit në një qytet si Nju Jorku, ku ka një opinion publik progresist. Por zona të tjera të shtetit janë më të moderuara. Hilari ka patur mbështetjen e aparatit të partisë, duke përfshirë guvernatorin Endrju Kuomo dhe kryebashkiakun Bill de Blazio. Një fitore e Sendërsit, e konsideruar e pamundur, do të ishte një tërmet i fortë, aq sa do të vinte në diskutim të gjithë fushatën./La Repubblica – Në shqip nga bota.al