• |
ide | kryesore

Edi Rama, analisti i ri i ngjarjeve botërore

Arkiva, Ide
enver robelli.png



Harrojini Fan Nolin dhe Faik Konicën, harrojini Mbretin Zog dhe udhëtimet e tij në Vjenë, harrojini Enver Hoxhën dhe veprat e tij kundër kapitalizmit dhe revizionizmit botëror. Harrojeni edhe Sali Berishën, i cili sa herë i kishte punët pisk në vitet ‘90, përpiqej të ndizte konflikt në Kosovë, shante BBC-në, diplomatët amerikanë… Harroni të gjithë. Shqiptarët kanë një yll të ri në skenën e politikës botërore. Një analist e komentues, vrojtues dhe vëzhgues të pashoq të ngjarjeve botërore. Emri i tij: Edi Rama.
Publikisht ai njihet si kryeministër i Republikës së Shqipërisë, por vokacionin e tij kryesor po e zbulon tani tamam: me deklarata për agjenci të lajmeve dhe me intervista për ngjarjet botërore. Pasi punët në Shqipëri ecin mirë, pse të mos merret me politikë botërore zoti piktor? Javën që shkoi Rama qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Para se të shkonte përtej Atlantikut, kryeministri i madh i vendit të vogël duke tundur grushtin e çeliktë kishte paralajmëruar se do të bëhet hataja nëse budallenjtë amerikanë e zgjedhin Donald Trumpin president. Lajmi gjeti vend edhe në faqet e “New York Times” për shkak se një ndërhyrje kaq e drejtpërdrejtë e një politikani të huaj në fushatën elektorale amerikane është e pazakonshme. Sapo aterroi në SHBA, Rama e nxori kokën në CNN. Edhe aty i dha kosës gjerë, tha se fitorja e Trumpit rrezikon paqen në Ballkan, nënvizoi se deklaratat e tij janë frikësuese për botën dhe kërcënuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gazetari i CNN-it, Richard Quest, e pa të domosdoshme që me zërin e tij të ngjirur ta frenojë analistin e ngjarjeve botërore, duke ia përkujtuar se janë disa rregulla diplomatike që thonë se politikanët e huaj nuk duhet të përzihen në politikën e brendshme elektorale në SHBA. Kjo vetëm sa e nxiti Ramën edhe më shumë. Ai ishte i bindur se nuk po thoshte asgjë të re, sepse edhe politikanë të tjerë të dynjasë kanë folur kundër Trumpit. Por Rama dështoi të përmendte një shembull kur një president apo kryeministër i një shteti evropian në mënyrë kaq eksplicite dhe të drejtpërdrejtë ka ndërhyrë në fushatën amerikane, siç po bën Rama.
Por përse të mos përzihet zoti piktor në ngjarjet e mëdha të dynjasë? A nuk ishte Shqipëria fanar i komunizmit dhe vatër e luftës kundër kapitalizmit për gati 50 vjet? Përse të mos vazhdohet tani kjo traditë, duke shfrytëzuar përvojën e lavdishme të së kaluarës? Rama ka edhe një arsye: që nga vera e vitit 2014, disa media shqiptare kultivojnë mitin se kancelarja gjermane Angela Merkel e ka emëruar Ramën një lloj emisari të saj për Ballkan. Duket se këtë mit Rama e ka marrë shumë seriozisht, andaj po e zgjeron fushëveprimin e tij edhe në Amerikë.
Pastaj mund të komentojë edhe arsyet e dhunës mes sunitëve dhe shiitëve dhe të tregojë si shembull se dervishët tanë si degë e largët e shiitëve nuk shpërthejnë të tjerët, por veten. Ose Rama mund t’i kthehet sërish fushatës elektorale në Amerikë. Tashmë që e dimë se Donald Trump qenka frikësues, a thua ç’mendon analisti Rama për Ted Cruz, republikanin që ka ambicie presidenciale. Analistë të njëmendtë shohin disa anë pragmatike te Trump, ndërsa Cruz përshkruhet si rreziku i vërtetë.
Ai ka paralajmëruar se do të shkatërrojë gjithçka nga trashëgimia e Barack Obamas. Cruz do të varrosë marrëveshjen me Iranin për atomin, reformën shëndetësore, zyrën e taksave, do të kufizojë punën e agjencisë për mbrojtjen e ambientit. Madje dhe vetë kolegët nga Partia Republikane e quajnë Cruzin «bombahedhës». Ndoshta për këto çështje Rama do të prononcohet në ditët në vijim. Shqiptarët, ndërkaq, që tani mund të ndihen të lumtur që kryeministri i tyre, pasi bëri aq shumë për përparimin e Shqipërisë, po marshon me hapa gjigantë në karrierën e tij të re si analist i çështjeve ndërkombëtare. E pse jo? Piktor, politikan, politolog. Rrugë konsekuente. Ka gjasa që Rama të bëhet komentues i përhershëm në CNN. Çfarë do të bëjnë pa të pasardhësit krenarë të ilirëve dhe pellazgëve?
Para se të davarisë mjegullën rreth Donald Trumpit, Rama është tallur me vende të tjera. Një gazete zvicerane i tha se Shqipëria as që do të jetë shtet model si Zvicra, sepse kjo do të ishte «monotone». Në një gazetë gjermane ai atakoi në mënyrë frontale shumicën e vendeve të BE-së se nuk kanë bërë sa duhet për refugjatët, ndërsa lavdëroi Serbinë dhe Maqedoninë për sjelljen e tyre gjatë krizës së refugjatëve. Analizë gjigante.
Maqedonia dhe Serbia të vetmen meritë që kanë është lejimi i kalimit të refugjatëve nëpër territorin e tyre dhe përfitimi aty ku ishte e mundshme. Sa ndërmarrja e autobusëve në Serbi është bërë e pasur nga kriza e refugjatëve, sa firma e taksive në Maqedoni, sa shitësi i sandviçëve, i ujit mineral, sa moteli i pistë ka fituar para. Këto janë meritat e Serbisë dhe të Maqedonisë. Ndërsa gati mbarë Evropa e quan kryetarin turk Rexhep Taip Erdoan shantazhues të Evropës me refugjatë, Rama ka një mendim krejt tjetër: «Nuk besoj se Turqia po e shantazhon dikë. Ajo po reagon kundër BE-së, e cila një kohë të gjatë është sjellë e rezervuar ndaj saj, e frikësuar dhe pa strategji të qartë. Nëse tani Ankaraja tregon njëfarë krenarie, kjo është e natyrshme». Krenaria e Erdoanit po shihet: jo vetëm që terrorizon gazetarët në vendin e tij, por ka filluar edhe një fushatë për frikësimin e humoristëve në Gjermani.
E si do të ishte sikur kryeministri i Shqipërisë të fliste seriozisht për zhvillimet dramatike në Maqedoni? Fundja, kemi atje mbi gjysmë milioni shqiptarë dhe një qeveri që shtypi gjerman po e quan “kriminale”. Si do të ishte sikur Tirana të hapte një konsullatë në Preshevë për të qenë më afër pakicës shqiptare në Serbi, e cila diskriminohet pandërprerë? Si do të ishte sikur të kishte një konsullatë në Strugë? Këto janë pyetje dhe çështje serioze, me të cilat nuk ka nge të merret Rama. Me rëndësi që Greqia ka konsullata në Gjirokastër dhe në Korçë, me rëndësi që Serbia po kërkon prej vitesh hapjen e një konsullate në Shkodër. /koha ditore/