• |
ide | kryesore

Basha: Pse e refuzoj aleancën me Metën (video)

I pakategorizuar
2016-06-03 10.19.31.png


Një “Jo” e prerë, e qartë dhe e thatë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ripërsëritur me forcë deklaratën e vjeshtës së shkuar  se sa të jetë ai në krye të PD-së, nuk do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. I ftuar në emisionin “Të paekspozuarit" të Ylli Rakipit, kreu demokrat është pyetur nëse i përmbahet deklaratave të pak muajve më parë, atëhere kur retorika e PD-së kundër Ilir Metës ishte shume më e fortë. Por edhe tani Basha nuk ka ndryshuar qëndrim, megjithëse PD dhe Berisha dëgjohen rrallë e më rrallë të denoncojnë LSI-në. “Nuk ka koalicion me LSI-në, tha ai.  Është gjymtyrë e qeverisjes. Ilir Meta mban qeverinë në këmbë”.

Por nëse për pyetjen e parë ka thënë një “Jo” të prerë, lideri demokrat ka lënë shumë ekuivoke, ka qenë i stërzgjatur dhe jo i drejtëpërdrejtë kur është pyetur: “Nëse humb do të largohesh, apo do të kërkosh të hapen kutitë?" Basha foli më shumë për “zgjedhje të ndershme” sesa për “dorëheqje”.

“Nëse shqiptarët më besojnë unë marr përgjegjësitë, nëse shqiptarët nuk më besojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme unë marr përgjegjësitë”, u shpreh ai.

Dialogu i Bashës me gazetarët

Bushati: Unë kam dy pyetje. Zoti Basha, i përmbaheni deklaratës bërë disa muaj më parë, që sa të jem unë në krye të PD-së s’ka koalicion me LSI-në?

Basha: Po.

Bushati: Nëse humbni zgjedhjet do të largoheni, apo do të kërkoni hapjen e kutive.

Basha: Unë do përpiqem për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Bushati: Sa qartë mu përgjigjët për pyetjen e parë vetëm me “PO” ose “JO”. Ishit shumë I qartë…

Basha: Po doni përgjigje apo doni sensasionin

Bushati: Ne gazetarët kemi një parim: fillimisht lajmin pastaj shtjellimin

Lubonja: Po duhet të thotë edhe nëse do bëjnë koalicion me Edi Ramën

Basha: S’ka aleancë me Edi Ramën, e kam deklaruar në PD-në. Dera ime është e mbyllur për ata që kriminalizuan politikën. PD-ja do të garojë në zgjedhje me koalicionin qytetar, jo me Ramën dhe Metën. Në PD-në ka një standard, kryetari dhe lideri dha një standard, që unë dua ta ndjek. Shqipëria është sot në listën e vendeve që nuk ka zgjedhje të ndershme. Unë kërkoj zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse shqiptarët më japin përgjegjësinë, unë do ti marr ato. Edhe nëse nuk më zgjedhin, unë sërish do të marrë përgjegjësitë tonë.