• |
ide | kryesore

Rama dhe Duka duhej të thërrisnin: “O sa mir me ken Zviceran”

I pakategorizuar
Lubonja.JPG


Fatos Lubonja ka shpërthyer fort, me drejtësi dhe mendim të thellë sipas stilit të tij. Gjithë euforinë e pajustifikuar për suksesin e kombëtares ai e ka quajtur një trushplarje masive. Në epiqëndër të sulmeve të tij janë vënë Edi Rama dhe Armando Duka të cilët sipas Lubonjës duhet tu vijë turp me atë që kanë bërë: "Turp edhe për trushpëlarjen! Por pikërisht pse nuk e njohin ndjenjën e turpit, po e përdorin Kombëtaren si fasadë për të mbuluar dështimin e tyre politik, dështimin e tyre me sportin dhe punët e tyre mafioze me futbollin në Shqipëri" shkruan ai ne panorama.

Sipas Lubonjës abuzimi me krenarinë kombëtare të kujton atë thënien e vjetër që hamë bar dhe parimet nuk i shkelim: "Mirëpo, edhe kur vjen puna te krenaria, seç ka një problem që s’shkon në këtë histori. Duam, s’duam ajo na çon te fushat zvicerane ku janë rritur, edukuar, stërvitur dhe ku luajnë shumica e lojtarëve të Kombëtares sonë. Kush ka pak tru, nuk mund të mos ngrejë pyetjen: Përse po bërtasim me të madhe “Oh sa mirë me ken shqiptar”, kur një logjikë e thjeshtë ta do me thënë: “Oh sa mirë me ken zviceran”. Ç’e ka gjetur Kryeministrin tonë, që është kaq i ekzaltuar? Sikur të punonte me kulturën e Kryeministrit tonë, do të duhej të dilte Kryeministri zviceran dhe Federata Zvicerane të mburrej, sepse me ata fëmijë shqiptarë kanë krijuar dy kombëtare, jo një. Sepse edhe më injoranti e di sot se njeriu nuk është produkt i asaj që dikur quhej racë, por i kulturës, i edukimit, i asaj se me çfarë e ushqen qysh në foshnjëri shoqëria ku jeton".

Më pas Lubonja bën thirrje që të ndalojë kjo farsë: "E përsëris, tek e fundit, trushpëlarëve edhe u lejohet ky infantilizëm, por kryetrushpëlarësit, kryekarafilit të Kryeministrisë dhe dukëve të Federatës që kanë sajuar sloganin “Oh sa mirë me ken shqiptar” nuk duhet t’ua lejojmë vazhdimin e kësaj farse, sepse nuk janë aty ku janë që të mburren me futbollistët e krijuar në Zvicër e gjetkë, as me gjakun e racën, (se atëherë do të duhej të merrnin një trajner shqiptar, jo italian), por me punën e tyre.

Dhe sa për punën që kanë bërë dhe bëjnë, atyre duhet t’u vijë turp. Po, po, turp! Turp edhe për trushpëlarjen! Por pikërisht pse nuk e njohin ndjenjën e turpit, po e përdorin Kombëtaren si fasadë për të mbuluar dështimin e tyre politik, dështimin e tyre me sportin dhe punët e tyre mafioze me futbollin në Shqipëri".

Më pas Lubonja rendit edhe mëkatet e atyre që kanë shkatërruar sportin sipas tij: "E para gjë që u duhet kujtuar trushpëlarësve dhe trushpëlarëve të ekzaltuar është se sporti nuk ka lindur dhe nuk praktikohet në botë për të marrë pjesë në ndonjë kampionat dhe për të tundur një flamur apo një kupë me krenari kombëtare, por sepse bën pjesë në edukimin fizik të çdo njeriu, si një e drejtë njerëzore, ashtu siç është edhe arsimimi. Sa më shumë të jetë numri i fëmijëve që e ushtrojnë sportin për këtë qëllim, aq më shumë mundësi ka pastaj që, prej tyre, të dalin edhe sportistë profesionistë që të na emocionojnë me talentin e tyre, që të na japin emocione fitoreje, thuaj po deshe edhe krenari kombëtare.

E pra, Edi Ramës dhe gjithë kastës që e rrethon duhet t’u vijë turp, sepse me politikat e tyre nuk kanë bërë asgjë për të krijuar këtë lloj krenarie. Përkundrazi, e kanë orientuar rininë drejt kufijve. Por le të mbesim te futbolli. Këta bandillë e kanë orientuar rininë shqiptare më shumë sesa nga luajtja futboll, te luajtja bixhoz përpara ekraneve me rezultatet e ndeshjeve; këta të babëzitur nuk kanë lënë një fushë sporti ku të luajnë e stërviten fëmijët gratis, sepse kanë zgjedhur të ngrenë aty pallate fitimprurës për xhepat e tyre; këta njerëz që duan vetëm veten, dashurinë e shqiptarëve për futbollin e kanë tjetërsuar në biznes për të mbushur xhepat e tyre, e për këtë u kanë hequr shqiptarëve edhe atë që vende të tjera, shumë më të pasura, e kanë gratis: mundësinë për ta parë një ngjarje të tillë në Televizionin Publik.

Jo më shumë sesa disa javë më parë, po për këto qëllime mafioze, ata morën vendimin e turpshëm dhe krejtësisht të paligjshëm të prishnin stadiumin “Qemal Stafa”. Kjo është goditja e fundit që i dhanë atij kompleksi sportiv që kishte edhe aneksin, që kishte edhe palestra e që vazhdonte natyrshëm me Parkun. Po pse? Për të ngritur atje qendra biznesi, hotele, restorante, kulla. Duke lënë vetëm një fushë futbolli në mes, pa pistë atletike. Meqë ra fjala: pamë tërë ata stadiume në Francë, a patë ndonjë me kullë? Po kryeqytet pa një pistë atletike, keni parë? A mund të imagjinohet ekzistenca e çdo lloj sporti pa atletikën? Kjo mbretëreshë e sporteve ka vdekur në Shqipëri. Edhe historia e asaj që bart me vete ai stadium po fshihet. Një popull që s’ka të kaluar, nuk ka as të ardhme. Por trushpëlarësve pikërisht kjo u intereson: ekzistenca vetëm e së tashmes, katandisja e njerëzve në kafshë që kanë vetëm emocione primare, as kujtesë, as mendim e arsyetim, sepse kështu i manipulojnë më lehtë. Ja pse u duhet Kombëtarja si trushpëlarje".