• |
ide | kryesore

Historia misterioze mbi zhdukjen e fëmijëve

Arkiva, Planet
femijet_1473378827-9250256.jpg


Natën e Kërshëndellave të vitit 1945, një zjarr i tmerrshëm kaploi shtëpinë e familjes Sodder, në Fajetvill, Virxhinia Perëndimore.
 Kemi të bëjmë këtu me njërin prej mistereve më të mëdha në historinë e Amerikës. Derisa shumica e anëtarëve të tjerë të familjes ia dolën që të largoheshin nga shtëpia që po digjej, pesë nga gjithsej dhjetë fëmijët u zhdukën në një re tymi dhe hiri. Pjesa më e çuditshme? Askush nuk beson se ata vdiqën në zjarrin e asaj nate.
 
Çka thotë një shkrimtar lokal?
 
Një shkrimtar lokal dhe autor i librit “West Virginia Unsolved Murders”, George Bragg, e tregon ngjarjen e asaj nate: “Jennie u zgjua. Ajo dëgjoi një zhurmë. Dikush kishte hedhur diçka mbi kulm. Ajo u ngrit për të parë se çka, por më pas u kthye përsëri në shtrat. Ajo u zgjua sërish rreth gjysmë ore më vonë dhe ndjeu erën e tymit. U ngrit dhe pa se njëra nga dhomat, ku gjendje zyra e tyre, kishte marrë flakën. Ajo e thirri burrin me zë të lartë dhe e zgjoi atë nga gjumi, duke u nisur shkallëve përpjetë, ku gjendeshin dy nga djemtë e tyre”. Kur detektivët kontrolluan atë që mbeti nga shtëpia e djegur, mbetjet e pesë fëmijëve: Maurice, 14; Martha 12; Louis, 9; Jennie, 8; Betty, 5, nuk u gjetën asgjëkund. Nuk u gjetën as eshtrat e tyre, as veshjet, e as nuk u ndie kurrë era e “mishit të djegur”, që ndihet kur digjen personat në zjarr.
 
Ngjarjet bizare që i paraprinë tragjedisë
 
Kishte pasur edhe ngjarje të tjera, të çuditshme, që i kishin paraprirë zjarrit: Atë mbrëmje, para se të plaste zjarri, familja kishte marrë një thirrje anonime. Më pas, dikush ua kishte prerë telin e lidhjes telefonike. Pak ditë para ngjarjes tragjike, fëmijët kishin treguar se kishin parë një njeri i cili i kishte përcjellë dhe i kishte shikuar. Dëshmitarët kishin thënë të kishin parë “lëmshe të zjarrta” që ishin hedhur mbi shtëpi. Në oborr ishin gjetur një palë shkallë, që i përkisnin familjes. Njëzet vjet pas kësaj tragjedie, familja në fjalë kishte marrë një fotografi të një të riu, i cili ngjante me njërin prej djemve të tyre të zhdukur. Në anën e pasme të fotos ishte shkruar me dorë: “Louis Sodder. E dua vëllain Frankie. “Ilil Boys”. A90132 ose 35″. Edhe pse familjarët ishin të bindur se fotoja ishte e djalit të tyre, Louis, ata nuk ishin në gjendje që ta dekodonin mesazhin, apo ta merrnin vesh se kush e kishte dërguar atë foto. Ata angazhuan një detektiv privat, por pasi ai kishte shkuar në Kentaki për të hetuar, kurrë nuk ishte parë më. Në vitin 1952, prindërit e fëmijëve të zhdukur, George dhe Jennie, bënë publik shpërblimin prej 5000 dollarësh për të gjithë ata që do të jepnin informata rreth vendndodhjes së fëmijëve. Askush nuk u lajmërua kurrë. Çifti Sodders mori me vete në varr mërzinë e tmerrshme për fëmijët e zhdukur.
 
Thashetheme të shumta, por pa rezultate
 
Që nga ajo natë tragjike e vitit 1945, ka pasur shumë thashetheme rreth asaj se çka, në të vërtetë, ndodhi me ata fëmijë, duke përfshirë edhe rrëfimet sesi një jetimore i kishte rrëmbyer ata, me qëllim që t’ua shiste çifteve që nuk mund të kishin fëmijë, apo edhe se fëmijët u vranë nga prindërit. Po ashtu, ka pasur njerëz që thoshin t’i kishin parë fëmijët në pjesë të ndryshme të SHBA-së. Anëtarja më e re e kësaj familjeje, e cila ende jeton, Sylvia Sodder Paxton, si dhe vajza e saj, ende vazhdojnë që t’i kërkojnë pesë motrat dhe vëllezërit e zhdukur. Sylvia kishte vetëm dy vjet kur kishte ndodhur tragjedia. Edhe sot e kësaj dite, ky rast mbetet i hapur dhe i pazgjidhur. Çka mendoni ju se ka mundur të ndodhte me këta fëmijë?