• |
ide | kryesore

Ceremoni speciale për largimin e Canës në ndeshjen me Spanjën

Arkiva, Sport
cana.jpg


Lorik Cana nuk do të jetë më lojtari i Kombëtares dhe kjo është konfirmuar publikisht nga trajneri Xhani De Biazi. Mirëpo, publikisht, ai nuk është larguar ende nga Kombëtarja. Për këtë, në Federatën Shqiptare të Futbollit ka nisur puna për ideimin dhe organizimin e një ceremonie speciale, me anë të së cilës Cana t’i japë lamtumirën skuadrës kuqezi.

Tërheqja

Lorik Cana e ka pranuar disa herë se nuk do të jetë më pjesë e skuadrës kombëtare. Mbrojtësi u dha fund ndeshjeve të luajtura me kuqezinjtë që në Europian. Minutat në të cilat u aktivizua kundër Rumanisë kanë qenë të fundit për ish-numrin 5 të Kombëtares.

Përballja e tretë e Shqipërisë në kualifikueset për Botërorin “Rusi 2018” pritet që të jetë ajo në të cilën ish-kapiteni i kuqezinjve do të shkelmojë për herë të fundit topin me përfaqësuesen. Ashtu siç ka thënë edhe ai disa herë publikisht, kjo është përfaqësuesja e të gjithë shqiptarisë, për vetë faktin se ka futbollistë nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Karriera

Lorik Cana ka pasur një kurbë gjithmonë në rritje të karrierës së tij, si me klubet, ashtu edhe më Kombëtaren. Ai ka debutuar në një përballje kundër Zvicrës me fanellën e Kombëtares dhe e fundit herë që e ka veshur atë fanellë ka qenë një moment historik: Fitorja e Shqipërisë kundër Rumanisë në Europian. E para në historinë e këtij ekipi. Një nga kundërshtarët më të fortë të Shqipërisë në këtë grup, është Spanja dhe pikërisht në këtë supersfidë që do të luhet më 9 tetor, Cana mendohet se do të përfundojë aventurën e tij si futbollist i Kombëtares shqiptare.

Lorik Cana numëron 94 ndeshje me fanellën e ekipit kombëtar gjatë periudhës 13 qershor i vitit 2003 kundër Zvicrës deri në ndeshjen e fundit për të kundër Rumanisë në qershor 2016. Cana është futbollisti që ka numrin rekord të paraqitjeve me kuqezinjtë. /panorama-sport/