• |
ide | kryesore

Plehrat/ Vazhdon loja “dridhe Like” e Metës

I pakategorizuar
IMG-20161018-WA002.jpg


Ashtu si edhe për çeshtje të tjera madhore të vendit, edhe për ligjin për plehrat, LSI, vazhdon të luajë politikën e mosprononcimit. Pasi Presidenti Nishani ia ktheu këtë ligj kuvendit për rishqyrtim (lexo analizen poshte), projektorët janë kthyer sërish nga partia e Ilir Metës. Fillimisht në një intervistë për News 24 analisti Fatos Lubonja deklaroi se LSI do të ketë një rrol vendimtar për miratimin e këtij ligji: Megjithatë “Lojën e përcakton më shumë LSI-ja, e cila në një farë mënyre është ajo që ka luajtur balancën. Qëndrimi që do të mbajë LSI-ja nuk ka të bëjë shumë me të drejtën, me çështjen e interesit publik, se sa me lojën politike që luhet nën rrogoz, në rivalitetin midis kësaj force politike dhe PS”. Por nëse Lubonja i vuri “partisë ndërmarrje” të Metës një rol përcaktues më ironik me të qe të hënën në “Opinion” Ben Blushi. Ai rikujtoi se LSI në vitin 2011 votoi pro ligjit për importin e plehrave bashkë me Partinë Demokratike, në 2013, LSI votoi për ndaljen e importit të plehrave, ndërsa tani së fundi iu kthye  sërish vendimeve të 2011-es.

“Sepse LSI është një parti që do të rrijë vetëm në pushtet dhe në këtë amoralitet e kanë shumë të lehtë të bashkëjetojnë” u shpreh deputeti i larguar nga PS.

Por pavarësisht nga këto pritshmëri apo shpotitje Ilir Meta ka vazhduar sërish lojën e fshehjes pas gishtit. Herën e fundit që ligji do kalonte në parlament, ai sa për sy e faqe shtoi një amendament për kontrollin e shoqërisë civile mbi plehrat që do importoheshin. Pastaj personalisht në seancën e 22 shatorit u largua nga salla, megjithëse e urdhëroi partinë e tij të votonte pro importit. Këtë qëndrim ambig, me njërën dorë në bakllava dhe tjetrën në kadaif e ka mbajtur Meta edhe në një intervistë për nevs 24. Ai ka lënë të kuptohet se në epiqendër të tij do të jenë edhe shqetësimet shoqërisë civile dhe të opinionit public duke shtuar: “besoj që LSI-ja në çdo rast nuk do ta shikojë këtë ligj, si një problem midis shumicës dhe opozitës”.

Po pyetja është: a po bllofon Meta për herë të katërt? A mos janë këto fjalë vetëm për imazh dhe përsëri LSI do të shkojë të bashkojë votat aty ku e ka interesin, përkrah partisë më të madhe të shumicës? (Lapsi.al)

 

Përgjigjet e plota të Metës

 

Ju jeni larguar nga seanca e 22 shtatorit në ato momente, kur u bë votimi dhe ju nuk e kemi votuar. Presidenti Nishani e kthehu mbrapsht ligjin në Parlament. Cili do të jetë qëndrimi i LSI-së?

Qëndrimi LSI-së besoj do të bazohet në vlerësimin e argumenteve, mbi të cilat Presidenti ka mbajtur qëndrimin e fundit dhe besoj që LSI-ja në çdo rast nuk do ta shikojë këtë ligj, si një problem midis shumicës dhe opozitës. Pra si problem thjesht politik apo si problem institucional midis Parlamentit dhe Presidentit, por do ta gjykojë me përgjegjësi, si problem, në raport me opinionin publik, në raport me shoqërinë civile.

Do ta votojë Ilir Meta këtë herë ligjin kur të vijë në Parlament?

Nuk mund të jap asnjë prononcim të parakohshëm dhe të panevojshëm, sepse çdo vendim i tillë do të ishte i paragjykuar. Ndërkohë që kemi të bëjmë me një çështje mjaft të rëndësishme, e cila kërkon përqendrim, thellim dhe dialog, sidomos me ekspertët e kësaj fushe.