• |
ide | kryesore

Rrëfimi “pa doreza” i De Biasit: Kaçe, humbja me Spanjën dhe ofertat e Kinës

Arkiva, Sport
De-Biasi-Albania-560x391.jpg


Humbja me Spanjën shkaktoi një furtunë kritikash në drejtim të trajnerit De Biazi dhe kombëtares. Kritikat nuk ishin më shumë për humbjen, sesa për sjelljen e kuqezinjve në fushën e lojës. Nisur nga kjo, por edhe për shumë tema e çështje që rrethojnë drejtpërdrejtë kuqezinjtë, Xhani De Biazi flet për gjithçka. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, italiani shpjegon diferencën e të përgatiturit të një ndeshjeje dhe lehtësinë që mund të flasësh për të në mbarim, i del në krah Berishës për gabimin që bëri ndaj Spanjës, si dhe përmend edhe një herë detyrën e Shqipërisë në këtë grup kualifikues.

“Kritikat janë normale pas një humbjeje. Por besoj se dikush ka harruar të marrë në konsideratë se kush ishte kundërshtari ynë… Objektivi ynë nuk ishte që të mos i lejonim ata të kontrollonin topin, por kur ne të merrnim topin në zotërim, të mund të ishim të saktë në veprimet që bënim. Këtë gjë, për fat të keq, e bëmë pa cilësinë e duhur dhe me shumë pasiguri. Nuk arritëm të bënim kurrë më shumë se 5 apo 6 pasime kur kishim topin” – kritikon tekniku.

“Ndeshjet janë gjithnjë ndryshe nga njëra-tjetra. Është shumë e thjeshtë të thuash se “po të luante njëri në vendin e tjetrit, gjërat do të kishin ndryshuar! Por kush e thotë këtë? E thotë dikush që ka pak njohje me këtë punë. Është shumë e thjeshtë të flasësh pas ndeshjes…”  -thotë De Biasi.

Për gabimin e Berishës te goli i parë, trajneri del në mbrojtje të tij.

“Mendimi i parë ishte që mund t’u ndodhë të gjithëve të bëjnë një gabim në punën e tyre. Bufoni besoj se është një nga ata portierë që nuk mund të diskutohen për cilësitë që ka, por në ndeshjet e fundit me Kombëtaren ka bërë gabime trashanike. Etriti është një portier i madh dhe kishte nevojë të gjente besimin në një klub (Atalanta), në mënyrë që t’i jepej mundësia të luajë rregullisht dhe të tregojë vlerën e tij. Bëmë aq sa mundëm të bënim… Forca e kundërshtarit nuk na lejoi të bënim më shumë, sepse në fakt kishim planifikuar të përsërisnim paraqitjen me Portugalinë në Averio".

Për kritikat e ish-trajnerit të kombëtares Astrit Hafizi, italiani ka këtë koment.

“Mendoj se, prej disa kohësh, ish-trajneri Hafizi ka një sjellje aspak pozitive ndaj Kombëtares, sepse është i gatshëm të kritikojë sapo i krijohet mundësia. E bëri këtë edhe gjatë Europianit, megjithëse opinioni ndërkombëtar ka lëvduar lojën e skuadrës sonë. Besoj se e kuptoj motivin e kësaj sjelljeje pasi, në fund të fundit, ai nën drejtimin e Kombëtares, megjithëse ka pasur në dispozicion një grup me futbollistë të shkëlqyer, ka marrë rezultate të dobëta”- thumbon De Biasi.

Çfarë ndodh me Ergys Kaçen? Pat deklaruar se, sa të jetë De Biazi trajner, mund edhe të mos vijë më në Kombëtare…

“Besoj se asnjë futbollisti nuk i pëlqen të qëndrojë në stol, por në fushën e lojës shkojnë vetëm 11 lojtarë. Skuadrat e mëdha përbëhen edhe nga futbollistë të mëdhenj, sepse respektojnë vendimet, respektojnë shokët dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë në çdo moment për të mirën e përbashkët. Kombëtarja është diçka madhështore dhe e mrekullueshme, e cila duhet të lumturojë çdo njeri që është pjesë e saj. Këtë e kuptojmë në çdo hap që hedhim dhe kudo që ndodhemi, sepse shohim se sa me pasion e dashuri na ndjekin dhe mbështesin tifozët tanë. Sa i përket Kaçes, po ju them se mora një vendim teknik, çka është pjesë e detyrës sime dhe ia shpjegova qartë djaloshit. Mes meje dhe tij nuk ka pasur asnjë tension dhe unë i kam shpjeguar se çfarë kërkoj nga ai: që të reagojë dhe të më vendosë në vështirësi në zgjedhjet që bëj, duke u stërvitur maksimalisht dhe duke më bindur se është gati. Sa i përket mundësisë që ai të mos vijë në Kombëtare, mua nuk ma ka thënë kurrë këtë. Nëse në të ardhmen do të vendos ta ftoj në Kombëtare dhe ai nuk do të vijë, e sigurt është se nuk do t’i lutem të vijë” – thotë De Biasi.

A keni menduar të rinovoni kontratën me FSHF-në pas vitit 2017?

"Nuk kemi folur kurrë për këtë çështje".

Ish-kapiteni Altin Lala dhe ish-ndihmësi i de Biasit deklaroi se ndoshta ishte e gabuar që të mos merrej Rashica në Europian, duke lënë të kuptohet se kështu ai sot mund të ishte një lojtar i Shqipërisë dhe jo i Kosovës.

“Kur kam takuar Altinin personalisht nuk ma tha këtë gjë. Përkundrazi… Gjithsesi, ai tani është menaxheri i Rashicës dhe bën detyrën e tij. Por nëse nuk gaboj, djaloshi deklaroi pak kohë më parë në media se, edhe nëse do të kish qenë me ne në Europian, sërish do të kish zgjedhur Kosovën…”

Pyetja e fundit ishte: A është e vërtetë që gjatë verës morët një ofertë të çmendur financiare nga Kina dhe mund të kishit shkuar atje?

(Nuk përgjigjet).