• |
ide | kryesore

“6 pikë më pak për Flamurtarin dhe ultimatum 12 ditë për borxhet”

Arkiva, Sport
stadiumi-i-vlores-4-1.jpg


Komisioni i Disiplinës i zbriti 6 pikë në klasifikim skuadrës së Flamurtarit për mosshlyerje të detyrimeve financiare ndaj futbollistëve Arbri, Sakaj dhe Veliu. I mbledhur këtë të enjte në zyrat e FSHF, Disiplina vendosi ashtu siç pritej bazuar dhe në nenin 63, pika c të Drejtësisë Sportive, që klubit vlonjat, për mos zbatim të vendimit të marrë nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve për shlyerje të detyrimeve ndaj 3 lojtarëve të mësipërm, ti hiqen 6 pikë në klasifikim. Sipas Komisionit nga ana e klubit nuk është paraqitur asnjë deklaratë për shlyerjen e detyrimeve financiare dhe as ndonjë marrëveshje për zgjidhjen me mirëkuptim të çështjes.

Vendimi mund të kishte qenë dhe më i rëndë, nëse të 3 lojtarët do t’i kishin paraqitur si kërkesa individuale pretendimet e tyre dhe jo në një të përbashkët, pasi rregullorja parashikon zbritjen e 6 pikëve për çdo çështje. Gjithashtu klubi është paralajmëruar se nëse nuk do të shlyejë brenda një afati prej 12 ditësh këto detyrime, atëherë rrezikon zbritjen nga Kategoria Superiore.  Pas këtij vendimi të Komisionit të Disiplinës, skuadra e Flamurtarit zbret në vendin e parafundit në tabelën e klasifikimit me vetëm 6 pikë në total./supersport/

vendimi