• |
ide | kryesore

Si provokohej e ëma e Fatos Lubonjës nga spiunia me pseudonimin “Erka” (DOKUMENTI)

I pakategorizuar
bbb.jpg


Liri Lubonja, bashkëshorte e Todi Lubonjës, është ndjekur nga Sigurimi. Ky fakt bëhet i ditur nga dokumenti sekret që Fatos Lubonja publikon sot në “Panorama”. Sipas dokumentit, Liri Lubonja është provokuar nga agjentë të Sigurimit për të “provuar veprimtarinë e saj armiqësore”.

LENDA: MBI SHFRYTËZIMIN E TO NË DREJTIM TË ELEMENTIT ANTIPARTI

MINISTRISË SË PUNEVE TË BRENDSHME

DREJTORISË SË PARË TIRANË

Gjegje telit tuaj Nr. 979, datë 26.10.1983. Siç kemi njoftuar me informacionin tonë Nr. 907/2, datë 30.09.1983, në rrethin tonë kemi një element të cilësuar anti­parti e kjo është e quajtura Liri Ibrahim Lubonja, në përpunim aktiv 2/ A dhe e internuar në fshatin Fishtë të këtij rrethi. Në drejtim të këtij objekti, gjatë vitit 1983 nuk kemi arritur të kryejmë ndonjë kombinacion T.O., kjo edhe për shkak se në banesën ku ndodhet aktualisht mungon T.O. stacionare, gjë për të cilën po studiojmë mundësitë për instalimin e saj.

Ndërsa për kontrollin e këtij objekti kemi përdorur forma të tjera të punës agjenturore – operative, si agjenturën ekzistuese, KP­në, vijën e masave, survejimin e jashtëm e veçanërisht kur kjo ka lëvizur jashtë rrethit tonë, nga përdorimi i të cilave nuk ka dalur që të zhvillojë aktualisht veprimtari armiqësore të mirëfilltë, me përjashtim të ndonjë reagimi për vështirësi të jetesës së saj, mundësitë e pakta që ka për të ndihmuar materialisht bashkëshortin dhe djalin e saj që i ka të dënuar për veprimtari armiqësore, të cilat nuk formojnë figurë krimi. Edhe në muajin nëntor të këtij viti u shfrytëzua me kombinacion vajtja e objektit në Tiranë dhe në kombinim me Drejtorinë e Punëve të Brendshme të atij rrethi, u organizua survejim për ditët që qëndroi atje dhe u aktivizua B.P. me pseudonimin “Erka”, vjen nga lidhjet e saja, por në përfundim nuk doli ndonjë material me interes operativ.

Veçori e këtij objekti është se, duke njohur pozitën shoqërore të saj, qëndron e veçuar nga njerëzit, qoftë dhe ndaj lidhjeve miqësore e me karakteristika të përafërta me të, i shmanget çdo bisede me karakter politik, të cilën e shpreh edhe vetë objekti “me politikë unë, as djali, nuk merremi” ose “nuk di pse jam e ndjeshme edhe ndaj njerëzve që më parë i kemi konsideruar të afërmit tanë” etj. Këto deri në një farë shkalle kanë vështirësuar edhe kontrollin e saj nga ana jonë. E megjithatë, jemi të ndërgjegjshëm se duhet organizuar më mirë puna agjenturore – operative në drejtim të shfrytëzimit të kombinacioneve me T.O., sepse, pavarësisht nga pasiviteti i përkohshëm i saj, bindja jonë është se ajo qëndron në pozita armiqësore, kjo edhe për shkak të masave që janë marrë ndaj saj dhe lidhjeve kryesore të saj

Kurse në radhët e të dënuarve të repartit të riedukimit Nr. 302, kemi 3 elementë anti­parti: Dashnor Mamaqin, Vasil Katin e Kristofor Mërtirin, për të cilët, me gjithë kontrollin që bëhet me agjenturë, nuk janë marrë të dhëna për veprimtari armiqësore. Dashnor Mamaqi dhe Vasil Kati në raste të veçanta kanë mbajtur edhe qëndrim pozitiv në ambientin ku jetojnë, ndërsa Kristofor Mërtiri, menjëherë posa erdhi në repartin 302, filloi të nxiste elementë të veçantë në rrugën e veprimtarisë armiqësore dhe për këtë u muar masa e izolimit në repartin 321 Burrel. Pas ardhjes nga Burreli, në përgjithësi qëndrimi i tij është jo i keq. Pavarësisht nga këto qëndrime, të cilat mund të jenë të përkohshme, kontrolli ndaj tyre do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke përcaktuar masa më të mira e të studiuara.

KRYETARI I DEGËS SË PUNËVE TE BRENDSHME

KADRI IBAJ

aaa