• |
ide | kryesore

Analiza/ Vota e Italisë s’ishte revoltë anti –establishment

I pakategorizuar
Screen-Shot-2016-12-05-at-12.16.47.jpg



Ashtu si Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump, rezultati i referendumit në Itali ishte një surprizë, por për arsye të ndryshme: sondazhet flisnin për diferencë të ngushtë, ndërkohë që rezultati ishte shumë i qartë; me një pjesëmarrje prej 68 % italianët i kthyen shpinën reformës kushtetuese me një masë prej 60 %.

Le të jemi të qartë: nuk ka patur revoltë popullore anti –establishment. Ndarja mes Po dhe Jo ishte një ndarje e zakonshme politike e sociale. Mbështetësit e Jo-së mobilizuan njerëz në të majtë e të djathtë; populistë dhe anti-populistë; anëtarë të elitës liberale dhe ata në rrethana më pak të larta. Renzi nuk ishte një figurë e establishmentit. Në të kundërt: ai kërkoi ta shiste fusahtën e tij si një pjesë të një fushate për të fshirë edhe interesat e tij. Apeli i tij – për të reduktuar fuqinë e Senatit, për të reduktuar kostot e politikanëve, për të shkurtuar numrin e deputetëve – janë të gjitha terma populiste.

Fitorja absolute e votës Jo kërkon interpretim më të thellë sesa një shprehje e etheve populiste. Sepse, vota ishte shprehje e disa Jo-ve të ndryshme: Jo reformës specifike kushtetuese; Jo elitës politike në përgjithësi; Jo pafuqisë aktuale ekonomike e sociale; dhe mbi të gjitha Jo qeverisë Renzi. Sepse Renzi, disa muaj më parë e kishte vënë bast gjithë të ardhmen e tij me rezultatin e votimit, si një plebishit ndaj tij dhe ekzekutivit të tij.

Kështu, duke mos u tërhequr nga ky pozicion, vota ishte de facto një referendum mbi qeverisjen e tij. Ishte një votë që vuri kundër të gjithëve një kryeministër i cili qe në gjendje të qeveriste vetëm sepse nuk kishte alternativë tjetër – një kryeministër i kundështuar nga njëra anë prej qendrës së djathtë dhe në anën tjetër nga lëvizja “5 Yjet”, edhe pse këto nuk kanë të bëjnë aspak me njëra – tjetrën. Tani, ky “thes plehrash” për të përdorur shprehjen e Renzit, qe në gjendje që të bashkohej në një pikë për të votuar Po ose Jo dhe për ta larguar Renzin nga pushteti.

Një vazhdimësi e Renzit nuk përjashtohet (presidenti e ka ngrirë dorëheqjen e tij deri në miratimin e reformës elektorale – shënim i lapsi.al). Sepse kapitali i tij politik nuk ka shteruar, madje është e kundërta. Ai drejton një parti të personalizuar dhe të presidencializuar. Dhe nëse vota Jo u përket disave, 40 përqindëshi që votoi Po i përket tërësisht atij. Është e njëjta votë që ai fitoi në zgjedhjet për Parlamentin Europian në 2014, një fitore e madhe për partinë e tij. Problemi i tij do të jetë mbajtja e bashkuar e koalicionit me partitë e vogla të qendrës për 14 muajt që do të duhen deri në zgjedhje.

Referendumi tregoi se ligji elektoral duhet të rishikohet. Ai u propozua në korrik me idenë se referendumi për ndryshimet kushtetuese do të kalonte dhe pa të, do të kishte kaos. Ai i jep një mazhorancë listës që u mbështet nga 40 % ose i siguron balotazhin dhe është parë si dhuratë për lëvizjen “5 Yjet” –edhe pse ajo e kundërshtoi me idenë se përqëndron më shumë pushtet në duart e kryeministrit. Tani, “5 Yjet” kërkon zgjedhje të parakohshme të menjëhershme të bazuar në ligjin sic është propozuar. Në një rast të tillë Dhoma e Deputetëve dhe Senati, që do të vazhdojnë të kenë fuqi të njëjta legjislative, do të kompozohen në mënyra shumë të ndryshme – një parti e vetme mund të ketë mazhorancën në Dhomë, por më pak se mazhorancën në Senat. Kështu që “5 Yjet” ose po thonë që ata dëshirojnë të marrin përgjegjësitë për të qeverisur, ose të jenë në një qeveri koalicioni; kjo nuk është e qartë.

Sido që të jetë, kjo është një çështje e hapur nëse një parti që tërheq mbështetës nga i gjithë spektri politik dhe ka qenë deri tani një parti e protestës, do të jetë në gjendje për të qëndruar e bashkuar përballë presioneve për të qeverisur. Përvoja e saj në pushtetin lokal nuk jep parandjenjë të mirë. /The Independent – Përgatiti Lapsi.al