• |
ide | kryesore

Konfirmohet operacioni për Berishën, në dyshim e ardhmja e tij

Arkiva, Sport
ber_1481122429-9225998.jpg


Etrit Berisha do të operohet dhe për këtë çështje nuk ka më dyshime, por dyshim mbetet e ardhmja e tij në Atalanta. Mediat italiane kanë mësuar se operacioni i parashikuar me datë 30 nëntor është shtyrë vetëm për faktin se portieri i kombëtares shqiptare dhe Atalantas, Etrit Berisha kishte një ënjtje në zonën e dëmtimit duke e bërë të pamundur ndërhyrjen kirurgjikale.

Ndaj është vendosur të pritet derisa të ulej kjo ënjtje dhe më pas ai t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale. 27-vjeçari pritet t’i nënshtrohet sot ose nesër operacionit në klinikën “Villa Steuart’ në Romë dhe do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për 20-25 ditë, që do të thotë se kthehet në fushë vetëm në janarin e vitit 2017.

Ai pritet të mungojë në ndeshjet e skuadrës së tij ndaj Udineses, Milanit dhe Empolit, për t’u kthyer vetëm ndaj Chievos në javën e fundit të fazës së parë të Serisë A.

Por ky nuk është problemi kryesor i portierit shqiptar, i cili e ka thuajse të sigurt vendin mes titullarëve në radhët e Atalantas kur të kthehet për vijimin e sezonit, pasi Sportielo nuk bind drejtuesit e klubit me paraqitjet e tij.

Shqetësimi më i madh për Berishën është të bindë drejtuesit që të investojnë një shumë mes 6 dhe 7 milionë eurove për të blerë kartonin e tij. Kjo shifër është paracaktuar në kontratën e huazimit të tij nga Lazio dhe nëse Atalanta nuk e paguan, atëherë Berisha do të jetë i detyruar të kthehet në qershor te klubi kryeqytetas ku hapësirat e tij si portier i dytë tashmë janë zënë nga një tjetër shqiptar, Thomas Strakosha.

Mediat italiane bëjnë të qartë se Atalanta nuk është gati ta paguajë këtë shifër, pasi e cilëson një investim të papërballueshëm, edhe pse bëhet fjalë për një portier i cili planifikohet që të qëndrojë për shumë vite në klub.

Shpresa e Berishës është që për të mundësuar kalimin e tij përfundimtar, dy klubet të bien dakord për shkëmbime lojtarësh, pasi Lazio nuk e ka fshehur interesin për sulmuesin Paloschi. /Express/