• |
ide | kryesore

Flet Paolo Tramezzani: Pse ika nga Shqipëria dhe çfarë mësova nga ju

Arkiva, Sport
tramezzani.jpg


Italiani Paolo Tramezzani do të nisë shumë shpejt një aventurë të re te Lugano, ndërkohë pak para se të largohej me avion për në Zvicër ka dhënë intervistën e fundit duke rrëfyer emocionet në pankinën kuqezi.
“5 vjet me shumë suksese, i kam jetuar në mënyrë shumë intensive, shumë profesionale, duke kërkuar të jap maksimumin për Gianni-n, duke u vënë në shërbim të tij dhe të Federatës. Ishte një punë shumë impenjative, në fillim shumë e vështirë, por jam shumë i kënaqur për atë që ia kemi dalë të bëjmë për Kombëtaren Shqiptare, si dhe për atë që ju dhamë dhe transmetuam tifozëve dhe gjithë popullit” – tha ish-zv.trajneri i kombëtares.
Ndërsa për Xhani De Biazin, Tramezzani tha:
“Ishte eksperienca e punës më e bukur dhe më e rëndësishme e jetës sime, besoj se nëse sot arrita të vendosem në këtë situatë të favorshme, është pikërisht pasi pranë tij kam mësuar shumë, kam pasur mundësinë për t’u rritur dhe për t’u përballur me gjërat, do të ruaj gjithnjë atë që më dha në aspektin futbollistik, në këndvështrimin e ndjenjave dhe miqësisë, dhe mbi të gjitha në këndvështrimin e raportit që kemi pasur pasi mund të them që deri në këtë moment është personi më i rëndësishëm që kam gjetur në botën e futbollit”, – tregon ai për Super Sport.
Kurse për Shqipërinë dhe shqiptarët italiani tha:
“Më keni mësuar se çfarë do të thotë të vuash në jetë, më mësuat se çfarë do të thotë të jesh krenar për atë që bën. Më bëtë të ndihem njëri prej jush. Kam marrë shumë më tepër se ajo që kam dhënë në këtë aspekt.  Iki me kënaqësinë se kam kontribuar për të bërë të lumtur një popull të tërë, i cili meritonte t’i përjetonte emocionet që i dha skuadra. Jam mirënjohës që kam mundur të përjetoj 5 vjet këtë eksperiencë në këtë vend dhe të njoh direkt këtë popull që më parë nuk e njihja. Do t’i mbaj me vete këto ndjenja dhe kjo është një lidhje që do të zgjasë gjithë jetën”, – u shprehet Tramezzani.