• |
ide | kryesore

Analiza/ Çelësi i kthesës së Interit te suksesi

Arkiva, Sport
630367370-057-kCDI-U180130511123wXD-620x349@Gazzetta-Web_articolo.jpg


2016-ta skizofrenike e Interit u mbyll me një fitore të bukur ndaj Lazios në San Siro. Një sukses 3-0 që deri në një farë pike ishte bindës dhe mbi të gjitha shumë i rëndësishëm. Një vit më parë në këtë periudhë Interi kryesonte Serinë A, por pikërisht një humbje ndaj Lazios në ndeshjen e fundit të 2015-tës, ishte fillimi i një krize rezultatesh, dhe mungese identiteti në lojë. Më pas ndikuan edhe lëvizjet që u bënë në instancat e drejtuese të klubit e deri te largimi i trajnerit Roberto Mancini vetëm pak ditë përpara fillimit të sezonit. Por pas 1001 problemeve , vjen kjo fitore 3-0 ndaj Lazios e treta radhazi madje pa pësuar gol diçka që nuk ndodhte prej kohësh. Kura Pioli ka nisur të funksionojë dhe me trajnerin italian Interi po bën shumë më mirë se me holandezin De Boer. Statistikat nuk gënjejnë dhe flasin në favor të Stefano Piolit.

51-vjeçari nga Parma i ka rikthyer besimin e munguar skuadrës zikaltër dhe tashmë futbollistët përpiqen të japin gjithmonë maksimumin në fushë. Pioli ka grumbulluar 13 pikë në 6 takime me një mesatare prej 2,17 pikësh për ndeshje, ndërkohë që holandezi De Boer në 11 takime mori vetëm 14 pikë, me një mesatare prej 1,27 pikësh për sfidë. Me ish teknikun e Lazios kanë rilindur shumë futbollistë, Icardi është gjithnjë e më vrasës përpara portës, Brozovic ka marrë në dorë frenat e mesfushës duke u shndërruar në një regjizor të mirfilltë, Miranda dhe Murillo bëjnë më pak gabime, Handanovic është më i sigurt se kurrë, Candreva më tepër deçiziv, ndërsa D’Ambrosio një mbrojtës krahu që ndihmon jo vetëm prapavijën por shtyn edhe shumë përpara për të ndihmuar sulmin. Ky Inter ka ende shumë probleme që duhen zgjidhur por të paktën me Piolin në stol skuadra po paraqit shumë më mirë dhe shanset për tu kualifikuar në Champions League sezonin e ardhshëm  janë rritur ndjeshëm. Te Interi shpresojnë për një vit 2017 sa më të suksesshëm./Supersport/