• |
ide | kryesore

Manaj drejt Las Palmasit në Spanjë

Arkiva, Sport
rey-manaj_pescara-1.jpg


Pas konfirmimit se Rey Manaj kërkohet edhe në Spanjë, tashmë zbulohet emri i skuadrës së interesuar për shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare.
Në gjurmët e 19-vjeçarit, që do të largohet nga Pescara ku luajti i huazuar nga Interi, është vënë Las Palmasi. Skuadra e drejtuar nga Quique Setién, e cila e mbylli pjesën e parë të sezonit në vendin e dhjetë mbetet një prej surprizave të La Liga-s spanjolle. Në skuadrën e Ishujve Kanarie aktualisht konkurrenca në sulm është mjaft e madhe, pasi aty luajnë spanjolli Tana, kroati Livaja e argjentinasi Araújo por edhe marokeni El Zhar.

Afrimi i Rey Manaj-t do të bënte që nga ekipi i Las Palmasit të largohen Tyronne dhe Asdrúbal, të cilët nuk kanë pasur shumë hapësira në dispozicion deri në këtë pjesë të kampionatit. Fjalën e fundit do ta kenë klubi i Interit, që zotëron kartonin e lojtarit kuqezi, por edhe vetë sulmuesi, i cili ka oferta në Itali, ku ndër skuadrat më të interesuara është Empoli.

Në gjysmën e parë të këtij sezoni me Pescarën, Rey Manaj ka realizuar dy gola në 12 ndeshje, ku në pjesën më të madhe të rasteve nuk ka qenë zgjedhje e parë për trajnerin Massimo Oddo.