• |
ide | kryesore

Berisha: E vërteta e përplasjes sime me Rugovën

I pakategorizuar
1155.jpg


Në intervistën për gazetarin Berat Buzhala, ish-kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer marrëdhëniet e tij me Ibrahim Rugovën. Ai është pyetur për arsyet e përplasjes me të fillim të viteve “90.

SALI BERISHA: Presidentin Ibrahim Rugova e kam takuar për herë të parë më datë 21 shkurt të vitit 1991 në vizitën e tij të parë si kryetar i LDK në Shqipëri. I takoi edhe të tjerët. E kam njohur më parë edhe si studiues me një përshtypje shumë pozitive. Unë kam qenë për Bashkim Kombëtar, unë isha rritur me idenë absolute se Kosova është provincë e Shqipërisë. Ishte ideali im në atë kohë. Pas takimit me Rugovën dhe shumë intelektualë unë konstatova se ideja e pavarësisë, e republikës ishte një ide reale, dhe jo fiktive. Në atë vizitë e pyet Azem Hajdari Rugovën: Çfarë mendoni për Bashkimin kombëtar? Rugova i thotë: Ne të fitojmë këto, pastaj një hap i dytë. Mirëpo këtë tezë Rugova e mbante vazhdimisht: Njëherë kjo, pastaj më vonë si të rridhnin gjërat. U binda se elita e Prishtinës ishte për pavarësinë e Kosovës dhe Republikën e Kosovës. E respektova atë qëndrim në mënyrën më të prerë dhe fillova ta mbështes dhe të bëj gjithçka që Rugova të pritet sa më lart në arenën ndërkombëtare. I pari që e priti ishte Mitsotakis si kryeministër i huaj. Në një takim që pata me të i thash: Pse takon Millosheviçin? Sepse ai kishte një farë simpatie për Millosheviçin. I thash më thuaj kë do takosh ti për 2 milionë shqiptarë. Pse nuk takon ti një njeri paqësor si Rugova? Jo këtu ke të drejtë më tha dhe e priti në Selanik. Në atë periudhë në Evropë kishte një tendencë shumë të ngurtë që çështja e Kosovës të trajtohej si çështje e të drejtave të njeriut. Një arritje shumë e madhe ishte në Samitin e Helsinkit, ku ne arritëm të shkëpusim Kosovën nga Serbia. Dhe futet për herë të parë në Samit një paragraf në të cilin thuhej që çështja e Kosovës duhej të zgjidhje me dialog midis Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësim të palës së tretë. Që nga ai moment e mbrapa, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare kishin dritën jeshile, donte s’donte Beogradi, të vinin në Kosovë dhe të takonin autoritetet e Kosovës, vetëm po t’i ndalonte ushtarakisht, po nuk shkonte deri aty. U përpoqën shumë rusët ta bllokojnë, amerikanët na mbështetën megjithëse me hezitim fillimisht.

BERAT BUZHALA: A keni pasur problem me zotin Rugova dikur, çështja e protestave…

SALI BERISHA: Nuk kam pasur problem që shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhjet e serbëve. Kurrë, përkundrazi. Një herë më kanë kërkuar dhe e kam kundërshtuar dhe ata të cilëve unë e kundërshtova më dhanë të drejtë. Sepse më erdhën në ’92-shin Lordi Olluen edhe Sajrus Vens dhe thanë ne kemi ardhur direkt që ti të bindësh Rugovën të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë. Dhe unë u them: Të nderuar zotëri kjo është një kërkesë që nuk shkon. Pse nuk shkon? – më thanë. E para ta supozojmë se unë i them Rugovës dhe Rugova do të pranojë, por nuk i dalin qytetarët kosovarë në zgjedhje. Ju do humbisni të vetmin intelekutor që keni. A ja vlen që të rrezikojë komiteti ndërkombëtar për këtë punë? Pastaj nga ana tjetër unë nuk ja them, por ju kërkoj juve: Shkoni takojeni në Prishtinë. Pranojnë. Pas dy javësh shkoj në Beograd, i them Paniçit, i cili thotë: “Po, do vi me ju”. Nisemi të tre. Millosheviçi organizon pritën Paniçit, i nxjerr serbë diku pak para se të hysh në Prishtinë, ja bllokon rrugën, të gatshëm ta rrihnin, mezi e shpëtuan rojet. Paniçi i thotë këtyre, shkoni ju takoni Rugovën se sa të mbaroj punë unë me këta serbët e mi po vi. Ai mezi doli i gjallë prej tyre. Këta e takuan Rugovën, kanë dalë shumë të kënaqur nga takimi. U bindën në këshillën time të sinqertë që u kisha dhënë. Por çfarë ndodhi? Në vitin ’96, u bënë zgjedhjet të kryetarit të Beogradit dhe Millosheviçi nuk i pranonte zgjedhjet. Dhe Beogradi doli në protesta, por jo për të marrë pjesë Kosova, por për mandatin e Zoran Djindicit. Unë isha i mendimit që edhe Prishtina duhej të dilte në protesta kundër Millosheviçit, jo për mandatin e Djindicit, por protesta në të gjitha anët për t’ja djegur tokën në këmbë diktatorit, ta dobësoja edhe më shumë.