• |
ide | kryesore

Xhaka braktis kombëtaren. De Biasi: Ka probleme

Arkiva, Sport
fyhdr.jpg


Një ditë pas humbjes me Italinë duket se janë thelluar problemet në kombëtaren e De Baisit. I pari që është larguar nga skuadra është Taulant Xhaka që nuk e ka kapërdirë qëndrimin sërish në stol. Ai nuk i është bashkuar skuadrës që u kthye këtë të shtunë në Shqipëri, por ka udhëtuar drejt Zvicrës ku luan me Baselin. Largimin e Xhakës e ka komentuar edhe De Biasi që pranon problemet.

“Xhaka iku se ka disa probleme” – ishte përgjigjja e teknikut që nuk jep shumë detaje.

Nga skuadra është larguar edhe Abrashi. Edhe ai nuk u fut në fushë në takimin me Italinë.

“Abrashi iku se ka probleme fizike dhe kthehet në klub dhe ka problem me gjurin të djathtë që nuk e lejon të aktivizohet. Ndaj edhe mbrëmë qëndroi në bankinë”- përgjigjet shkurt De Biasi.

Këta nuk janë lojtarët e parë që largohen nga kombëtaraja pas përplasjeve me teknikun italian. Për shkak të këtyre hatërmebetjeve nuk thirret më në kombëtare Kaçe apo dhe Gashi.  

Tekniku ka bërë edhe një tjetër analizë të humbjes me Italinë. Ai është i bindur se paraqitja ishte e mirë.

“Mendoj se kemi bërë një ndeshje taktikisht shumë të mirë, skuadra u paraqit mirë, surprizoi kundërshtarët në fillim. Në fazën mbrojtëse me tre lojtarë është interpretuar mirë, ndonëse kishim 2 nga 3 lojtarët që nuk luajnë rregullisht në Serinë A në Itali. Ishte ndeshje me ndonjë vështirësi në fillim, me luhatje, por mendoj se në 90 minutat e Italisë ishin prova të mira ato të Veselit dhe Ajetit, dy lojtarë te të cilët kam besim të madh se janë shumë të rinj dhe që kanë mundësi të rriten më shumë.

Jam shumë i kënaqur me mbrojtësin tjetër të “shpikur”, Kukelin, një lojtar që bëri një ndeshje me shumë cilësi, me inteligjencë të jashtëzakonshme. Mirë ishin si Basha ashtu edhe Memushaj, edhe krahët, nga një krah Agolli dhe tjetri Hysaj. Bënë një ndeshje të mirë. Mirë edhe Roshi, Cikalleshi, apo edhe sakrifica e Lilës. Por nuk kishim përballë lojtarë mediokër, por lojtare si Beloti, Imobile apo Insinje. Italia pati shumë vështirësi, derisa gjeten golin në një skemë që e kishim përmendur 150 herë në stërvitje dhe e dinim që do të ishte pasim për Belotin. Bëmë një gabim individual dhe sipas meje gjyqtari me shumë bujari i dha penallti dhe nga aty ndryshoi ndeshja. Dua të them se regjistroi 15 faulle Shqipëria, 14 Italia, 5 kartonë për ne, 0 për Italinë.

Kur kaluam në disavantazh, ndryshuam sistemin, pa bërë ndryshime. Në fund kaluam në 4-2-3-1 për të shfrytëzuar karakteristikat e individëve. E vetmja gjë është që pësuam këtë gol të dytë në një mënyrë të lehtë që nuk më pëlqen dhe që i jep një vlerë tjetër humbjes në një ndeshje ku djemtë duhej të meritonin më shumë. Finalja e ndeshjes ishte në rritje, i krijuam disa probleme Italisë. Ishte pozitive që debutuan dy djem që janë padyshim dy djem për të ardhmen. Në pikëpamjen teknike dhe taktike ishte paraqitje pozitive, ajo që mungon është rezultati. Por ka rëndësi që luajtëm ndaj një skuadre që ka më shumë cilësi taktike e teknike pa zhgënjyer përballë tyre”  -thotë De Biasi.