• |
ide | kryesore

A ka revoltë në Kombëtare? De Biasi u përgjigjet të gjithëve: Nuk jap dorëheqjen!

Arkiva, Sport
Gianni-De-Biasi-Albania-2.jpg


Trajneri i kombëatres Xhani De Biazi ka dalë sot në konferencën për shtyp para ndeshjes me Bosnjën. Por vëmendja u përqëndrua te polemikat e ditëve të fundit, duke filluar që nga përplasja tashmë publike me Taulant Xhakën. Po përse dy ditë më parë trajneri nuk tha të vërtetën për Xhakën?

“Sepse trajneri është 60 vjeç kurse Xhaka është 25. Trajneri mundohet të mbrojë futbollistët e tij  ndërsa  futbollistët duan që unë të tregoj të vërtetën deri në fund. Ndoshta është më mirë që jo” – tha De Biasi.

Çështja është ai i janë dhënë Xhakës të gjitha mundësitë.

“Unë mendoj që lojtari duhet të respektojë vendimet e trajnerit dhe nëse ndonjëri e ndjen veten absolutisht më i forti, ta tregojë në fushë. Unë i kam dhënë gjithmonë këto mundësi. Janë disa momente kur unë kam bërë zgjedhje të ndryshme dhe duhet të pranosh zgjedhjet e trajnerit i cili është këtu për të mirën e ekipit dhe jo për te keqen. Pastaj nëse ndokush ndjehet i sakrifikuar ky nuk është problemi im”.

A ka dikush që mban ekuilibrat në kombëtare? De Biasi thotë se kombëtarja ka një president, një trajner që vendos se kush janë lojtarët që përbëjnë skuadrën.

“Skuadra ka 23 lojtarë, jo vetëm 11 që shkojnë në fushë. Për mua gjëja e rëndësishme është që ato 23 që janë në grup, të shkojnë mirë brenda grupit. Nëse ka ndonjë që vuan se qesh kur luan dhe krijon probleme kur nuk luan, mendoj se është rruga që mund të të çojë drejt humbjeve. Trajneri është ai që zgjedh se kush bëhet pjesë e 11 dhe 23, pastaj nëse ndonjë përjashton veten… Unë jam mësuar që përballë vështirësive të reagoj, nuk largohem me vrap nga vështirësitë. Nëse unë e ndjej veten më të forte se të tjerët, e tregoj në stërvitje, në fushë, kur luaj në ndeshjet me kombëtaren. Nuk është rastësi që të grumbulloj si futbollist, pasi paraqitesh mirë me klubin tënd. Por mund të ndodhë edhe që të mos luash” – thotë trajneri.

Në një intervistë për Panorama Sport, Sulejman Starova i Partizanit tha se kombëtareja është kthyer në një “kombëtare qokash”.

“Unë nuk jam mësuar të fut hundët në punët e të tjerëve dhe nuk dua që të tjerët të fusin hundët në punët e mia. Mendoj që duhet të përqendrohet te ekipi i tij, në rastin konkret me sprintin final dhe duhet të përqendrohet te ai”.

A e kanë shqetësuar zërat e kohëve të fundit për situatën e Xhakës, apo dorëheqjen De Biasin?

“Unë jam një person i cili e ka mbajtur gjithmonë fjalën në momentet më pak të mira, edhe në të mirat, kur mund të përfitoja nga situata. Unë mendoj se kam një raport të veçante me grupin tim të lojtarëve dhe më kënaq, pastaj llafe ka sa të duash. Në Itali thonë që “pëllitja e gomarit nuk mbërrin në qiell”.

A ka një revoltë të lojtarëve pas Europianit?

“Këtu nuk ka asnjë revoltë, kjo është një zgjedhje që e bej unë. Pastaj nëse ndokush nuk i pëlqen zgjedhja, është i lirë të largohet. E kam thënë që në ditën e parë që erdha, dyert e kombëtares janë të hapura për të hyrë dhe për të dalë, këtu nuk është askush i palëvizshëm. Pastaj rregullat respektohen. Këtu nuk mungon disiplina, përkundrazi, ndoshta ka shumë disiplinë dhe dikush e ka shkëmbyer me diçka tjetër. Nëse është ndokush që thotë që nuk ka disiplinë në kombëtare i them se nuk ka pasur asnjëherë më shumë disiplinë në kombëtare se tani, si përsa i përket organizimit, si për sa i përket punës në fushë, si për sa i përket aplikimit. Këtu flitet për lojtarë që kanë dëshirë që të hapin një kontribut të rëndësishëm për kombëtaren. Ata që kanë dëshirë të japin, janë këtu, të tjerët mund të shkojnë qetësisht edhe jashtë grupit pa asnjë lloj problemi”.