• |
ide | kryesore

Taulant Xhaka/ “Heroi” i Beogradit, sot një “tradhtar” i zhgënjyer

Arkiva, Sport
xhakakaa.jpg


“Jam më se i kënaqur. Xhaka është një lojtar polivalent, i cili luan kudo që ta vendosësh. Është një “xhol” në kuptimin e plotë të fjalës dhe kjo është një gjë shumë e mirë për ne”.

/Xhani De Biasi 6 tetor 2014/

Shumë ujë ka rrjedhur që nga ajo kohë. Shumë deklarata janë bërë nga ajo kokë kur në kombëtare kishte mbërritur jo pa bujë vëllai i Granit Xhakës që atëherë luante në Bundesligën gjermane. Janë fjalët e Xhani De Biasit që jo pa krenari thoshte para medieve se kishte zbuluar një tjetër talent të cilin e kishte bërë pjesë të kombëtares. I lindur në Basel të Zvicrës në 28 mars 1991, (Xhaka ka sot ditëlindjen e 26-të) e nisi futbollin në moshë të herët. Babai i Xhakave, Ragipi u vu në sulmin e medieve zvicerane se i “kishte falur” Shqipërisë një nga djemtë e tij që ishte rritur dhe formuar në kombëtaret zinxhir të Zvicrës nga U15 deri në U21.

Ai që e kishte bindur Taulantin të vishte fanellën kuqezi ishte vetë trajneri italian i kombëtares shqiptare Xhani de Biasi. Pasi u aktivizua me te gjithë grupmoshat e kombëtares zvicerane, në maj 2013 mediat raportuan se në maj 2013 Taulant Xhaka do të pranonte një thirrje nga kombëtarja e Shqipërisë. Me 18 dhjetor 2013 Xhaka mori shtetësinë shqiptare, por përpara se të hynte në fushë duhet të merrte leje nga FIFA.

Thirrjen e parë nga trajneri Gianni De Biasi,Taulanti e mori me 5 mars 2014 per nje ndeshje miqësore kundër Maltës, por për shkak dëmtimi u zëvendësua nga Renato Arapi, citon lapsi.al.

Thirrja e dytë ishte për një miqësore treshe kundër Rumanisë, Hungarisë dhe San Marinos më 31 maj, 4 dhe 8 qershor 2014. Sërish ai u tërhoq duke deklaruar se nuk ishte gati për shkak të një dëmtimi. Këtu nisën dyshimet se Xhaka nuk ne kishte seriozisht Shqipërinë dhe se pranimi për De Biasin ishte për t’i bërë presion Zvicrës.

Me 25 qershor Xhaka u lejua nga FIFA të luajë për Shqipërinë edhe ne ndeshjet zyrtare ndërkombëtare.

Thirrjen e tretë Taulanti e mori për ndeshjen kundër Portugalisë më 7 shtator 2014 e vlefshme për kualifikueset e kampionatit evropian “Francë 2016”. Në atë ndeshje Xhaka bëri debutimin e tij duke luajtur 90 minuta dhe ku Shqipëria fitoi me rezultatin 0-1 me golin e paharrueshëm të Bekim Balajt.

Xhaka bëri një performance te mire ne debutimin e tij te pare dhe u perfshi ne 11-shen me te mire nga ndeshjet e raundit te pare te Uefa Euro 2016 kualifikuese. Edhe në ndeshjen e radhës të Shqipërisë  Xhaka serish luajti si titullar kundër Danimarkës në “Elbasan Arena” me 11 tetor 2014 ku Shqipëria barazoi me rezultatin 1-1.

Me 14 tetor 2014 ishte ndeshja kundër Serbisë në Beograd ku Xhaka ishte serish si titullar. Ajo ndeshje u ndërpre fillimisht për shkak te hedhjes se fishekzjarrëve nga tifozët serbë në fushë, por situata degjeneroi kur në stadium u shfaq droni me banderolën e Ballist Morinës, citon lapsi.al.

Taulant Xhaka ishte një nga futbollistët që u përfshi në përplasje fizike me lojtarët serbë për të marrë nga duart e tyre atë banderolë. Ai kishte nxjerrë në pah jo vetëm grintën e tij si lojtar, por edhe karakterin e tij shpërthyes.

Janë jo të pakta komentet që thurnin lavde për Taulant Xhakën dhe sjelljen e tij prej patrioti në atë situatë.

Krisja me De Biasin

Ndeshja me Zvicrën në Euro 2016 u pa nga të gjithë edhe si një sfidë mes dy vëllezërve Xhaka. Janë të shumta specialet, reportazhet dhe intervistat e medieve shqiptare dhe të huaja përpara këtij takimi mbi përballjen e Ganitit dhe Taulantit.

Por Taulanti duket se nuk i mposhti dot emocionet në atë takim ndërsa në fushë shfaqej vazhdimisht nervoz. Nuk po përmbushte atë që kërkonte De Biasi dhe për këtë ai e uli në stol pa përfunduar takimi në minutën e 61-të. Është e njohur irritimi i prishtinaliut që përplasi një shishe uji në stol. Kjo nuk i pëlqeu aspak trajnerit italian që hodhi në fushë Ergys Kaçen.

Që prej atij momenti, marrëdhënia e tij me De Biasin ka pësuar një krisje. Trajneri e la atë jashtë edhe në sfidën me Francën duke e futur vetëm në pjesën e dytë. Megjithatë Xhaka nuk arriti të bindë sërish me performancën e tij. Në ndeshjen e tretë,, me Rumaninë, Xhaka qëndroi në stol. Ishte e qartë krisja mes të dyve, por përpara medieve u tha se lojtari “ishte me temperaturë”.

Euforia e post-europianit e mbuloi krisjen e cila do të zgjohej dalëngadalë. Xhaka ishte titullar në formacionin e De Biasit në ndeshjen me Maqedoninë në 6 shtator 2016, e para për kualifikueset për në botëror . Ai do të lihej jashtë ndeshjes me Lihtenshtejnin në tetor. Në ndeshjen ndaj Izraelit do të ishte sërish titullar, por do të zëvendësohej në minutën e 81-të. Ndërsa gjithçka kulmoi në takimin me Italinë ku Xhaka u la në stol për 90 minuta.

Çfarë pritet të ndodhë

Xhaka nuk mori avionin e kthimit në Shqipëri pas përfundimit të ndeshjes me Italinë. Ai nuk iu bashkua ekipit ndërsa me një SMS i njoftoi trajnerit se do largohej pasi ai nuk e shihte më titullar. De Biasi u mundua ta fshihte duke thënë për mediat se Xhaka u largua “pasi kishte probleme”. Vetë lojtari bëri një koment për TCH se De Biasit i dhimbeshin lekët dhe jo kombëtarja.

“Unë Taulant Xhaka do ta them të vërtetën se jam plotësisht i zhgënjyer kur trajneri De Biazi thotë se ika në Bazel për sepse kisha problem, unë ju garantoj se nuk kam asnjë problem, por problemi është direkt me Trajnerin Di Biazin i cili për mua ma ka ba me të padrejtë pa asnji arsye, kam qen nji lojtar titullar në kombëtaren time dhe me mish e me shpirt kam luajtur për flamurin dhe atdheun tim, dhe deklarata e tij se më ka mbrojtur tregon se ai nuk thotë të vërtetën por i lakon gjërat… Mënyrën dhe sjelljen e tij nuk konceptoj dot, mua me dhimbset Shqipëria dhe populli im, kurse trajnerit i dhimbsen lekët. Juve fansave kuqe e zi dhe të Shqipërisë ju them se më është bërë padrejtësi deri fund”- ishte reagimi i Xhakës.

De Biasi megjithatë publikisht thotë se Xhaka nuk i ka dyert e mbyllura.  

“Unë mendoj që lojtari duhet të respektojë vendimet e trajnerit dhe nëse ndonjëri e ndjen veten absolutisht më i forti, ta tregojë në fushë. Unë i kam dhënë gjithmonë këto mundësi. Janë disa momente kur unë kam bërë zgjedhje të ndryshme dhe duhet të pranosh zgjedhjet e trajnerit i cili është këtu për të mirën e ekipit dhe jo për te keqen. Pastaj nëse ndokush ndjehet i sakrifikuar ky nuk është problemi im” – thotë De Biasi.

A është kjo një marrëdhënie që nuk rikuperohet? Mbetet për tu parë. Për çdo tifoz, ky debat lë një shije të hidhur pasi kupton se kombëtarja nuk është më “hirushja” e mrekullive, por një strofull që zien nga inatet dhe mëritë.../përgatiti lapsi.al/